Thaçi tek tash merr bekimin e partisë për dialog

Megjithëse dialogu ka filluar muaj më parë, kryetarët e degëve të PDK-së tash janë aktivizuar për t'i dhënë bekimin shefit të tyre të partisë.
Kryetarët e degëve të PDK-së përkrahin vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, vazhdimin e reformave të përgjithshme dhe forcimin e koalicionit qeverisës.
Në mbledhjen e parë me kryetarët e degëve të PDK-së, pas konstituimit të kryesisë së re të Partisë Demokratike të Kosovës, u diskutua për çështje organizative, dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si dhe nevojën e thellimit të reformave ekonomike dhe të thellimit të bashkëpunimit me anëtarët e koalicionit qeverisës
Kryetarët e degëve mbështetën procesin e dialogut, duke konsideruar se dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është një nismë evropiane për paqësimin dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja shteteve tona.
Ndërmjetësimi i Bashkimit Europian dhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë dialog nënkupton pashmangshëm këtë agjendë evropiane, në shërbim të proceseve integruese të Prishtinës dhe Beogradit për në Bashkimin Europian.
“Vendi ynë, për herë të parë ka arrit të bëjë të njohur dhe ta zyrtarizojë qëndrimin në nivelin e Bashkimit Europian, të ndërhyrjes së pushtetit të Beogradit në një pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Me këtë rast vendi ynë ka mbështetjen e Brukselit prej nga është duke u kërkuar largimi i pakusht ndërhyrjes së Beogradit në një pjesë të veriut të Kosovës", thuhet në njoftimin e PDK-së
Partia Demokratike e Kosovës e mbështet fuqishëm dialogun e udhëhequr nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka për qëllim shtrirjen e sovranitetit të vendit tonë edhe në veri të Kosovës me të gjitha mjetet e mundshme demokratike.
Partia Demokratike e Kosovës, mbështet gjithashtu agjendën e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
“Me këtë rast, i ftojmë të gjitha forcat parlamentare të Republikës së Kosovës të jenë të pranishme në këtë proces ku transparenca e dialogut duhet të dëshmohet dhe të legjitimohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe debatin për këtë çështje kaq me peshë për vendin dhe rendin kushtetues”, thuhet në njoftim./Indeksonline/