Prokuroria, vegël dhe shërbëtore e Edi Ramës, ushtron presion ndaj kryekomunares së LSI-së

Një dosje e harruar për kryekomunaren e Ndroqit, Fatime Goga, po keqpërdoret këto ditë nga organi i akuzës
Prokuroria ka filluar ditët e fundit të rivihet në shërbim të Edi Ramës. Pas humbjes së zgjedhjeve nga PS-ja dhe kreu i saj, organi i akuzës, në shenjë hakmarrje është vënë në shërbim të kryesocialistit Edi Rama, për të “ndëshkuar” fajtorët e humbjes së PS-ës. Dje këta fajtorë që Edi Rama te vetja dhe te partia që drejton nuk po ka guximin t’i kërkojë, Prokuroria po i kërkon te LSI-ja, saktësisht te të zgjedhurit lokalë të kësaj partie.
Ditët e fundit, objekt i presioneve dhe shantazheve të Prokurorisë ka qenë Fatime Goga, kryetare komunës së Ndroqit në rrethin e Tiranës. E njohur si një përfaqësuese e LSI-së, pas largimit demonstrativ nga radhët e PS-ës, Fatime Goga ka mundur të sigurojë një numër të konsiderueshëm votash për LSI-në në këtë komunë, në zgjedhjet e 28 qershorit të këtij viti. Këto vota, që kanë pasur një ndikim jo të vogël edhe te mandati i deputetit për LSI-në në Qarkun e Tiranës, i kanë prishur gjumin dhe rehatin Edi Ramës, i cili ka çuar ndër mend dhe ka realizuar ndërsimin e prokurorisë ndaj kryekomunares së LSI-së.
Për këtë shërbim të radhës së saj, Prokuroria nga ana e saj, ka tentuar të shfrytëzojë një dosje të hapur që prej 22 shtatorit të vitit 2008, ndaj kryekomunares së Ndroqit Fatime Goga dhe sekretares së kësaj komune Irena Trimi.
Ndërsa rreth një vit më parë, prokuroria pretendonte se kishte marrë në shqyrtim materialet denoncuese në ngarkim të këtyre dy funksionareve të komunës së Ndroqit, nën pretekstin e abuzimit me detyrën, lidhur me procedurat për regjistrimin e tokave, prej asaj dite dhe deri pak ditë më parë, për prokurorinë kjo dosje ishte një dosje e harruar, pa elementë ët mundshëm për fillimin e një procedimi të mundshëm penal.
Por prej pak ditësh, kur edhe Edi Rama kuptoi se nuk mund të siguronte më shumë mandate dhe kur i lodhur nga zhurma anti KQZ-ës, apo anti Kolegjit Zgjedhor, zgjodhi hakmarrjen me ndihmë e Prokurorisë, ndaj Ilir Metës, partisë dhe bashkëpunëtorëve të tij. Dhe në këtë hakmarrje Prokuroria ka nxituar të thërrasë nën preteksin e hetimit të dosjes së harruar, Fatime Gogën, kryekomunaren e Ndroqit, të cilës i ka përcjellë edhe mesazhin kërcënues të kreut të PS-ës, për votat që ajo ia kishte hequr kësaj partie dhe ia kishte siguruar LSI-së.
Përpjekja e Edi Ramës, që nëpërmjet Prokurorisë, jo vetëm në shërbim të përdhosjes së procesit zgjedhor, por edhe për ndëshkimin e “fajtorëve” të hamendësuar nga Edi Rama, është më e hershme se sa marrja në pyetje e kryekomunares së Fatime Gogës.
Jo më larg se disa ditë më parë, vetë Edi Rama paralajmëroi aktivizimin e Prokurorisë në shërbimin e tij, kur kërcënoi për ndjekje penale, kryetarin e KQZ-ës, Arben Ristanin, si edhe tre anëtarët e tjetër të këtij komisioni të përzgjedhur e votuar nga mazhoranca.
Duket, se atë që Rama kishte parashikuar ndaj KQZ-ës dhe disa anëtarëve të saj, nuk mundi ta realizojë, e për pasojë zhvendosi objektin e sulmit të tij, në nivelin e “fajtorëve” brenda LSI-së që i shkaktuan atij disfatën e radhës në zgjedhjet e radhës.
...