E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrita atë që desha

Alkena Dervishaj, kosovarja e “Big Brother 4”, jeta brenda e jashtë shtëpisë, studimet për psikologji dhe dëshira për t’u marrë me politikë. Nga Entela Resuli më 13 shkurt 2011 në ora 14:07

Alkena këtë javë i është rikthyer lirisë. Pas qëndrimit në “Big Brother” ka qenë radha e kosovares të lërë shtëpinë. Ka lundruar në ujëra të qeta gjatë qëndrimit në shtëpi, ka qenë paqësore dhe nuk ka provokuar debate. Zhurma më e madhe që ka krijuar ka qenë për punën e nacionalizmit… edhe kripën që vinte nga Greqia, ajo nuk e përdorte. Ka spikatur për sharmin e saj dhe kujdesin në të folur. Studion Psikologji në Prishtinë dhe më vonë ka ndërmend t’i futet politikës. Në këtë bisedë na ka treguar shumë për vetën, pse vendosi të hyjë në “Big Brother”, çfarë mësoi nga kjo eksperiencë dhe çfarë do të ndodhë me Alkenën më vonë.

Alkena, ju sapo keni dalë nga “Big Brother” ku keni qenë për disa javë e “izoluar”, si ishte kjo eksperiencë për ju?
E them me plotë gojë që ishte njëra ndër gjërat më të bukura që më ka ndodhur deri tani. Është pothuajse e papërshkrueshme çdo gjë që ka ndodhur gjatë atyre ditëve, jam me të vërtetë me fat që isha pjesë e saj.

Çfarë do të mbani mend më gjatë nga kjo eksperiencë?
Do të mbaj mend çdo detaj, ato ndoshta më ndryshuan edhe disa koncepte për njerëzit që i kisha të fiksuara, s’thuhet kot që detajet bëjnë ndryshimin. Më ka stimuluar shumë për çdo gjë.

Le të kthehemi pak në fillim, pse vendosët të merrnit pjesë në një reality-show si “BB”?
Mendoj që dëshira për të matur veten në një situatë të kushtëzuar, të shoh kufijtë e mi dhe mendimet e mia, të bëj të zëshme dhe të dëgjueshme. Them që ia kam arrit asaj që desha.

E menduat si një trampolinë për t’u bërë e famshme, apo për të hyrë në botën e televizionit?
Nuk e kisha mendjen te fama, e kisha mendjen te prezantimi i asaj që jam, si natyrë nuk e dua shfrytëzimin, andaj shtëpinë e Vëllait të Madh nuk e shfrytëzova për qëllime fame, desha të jap më shumë sesa të marr.

Çfarë vutë re ne mentalitetin e atyre njerëzve që ishin në shtëpi?
Sensi i protagonizmit është pjesa më e theksuar, dëshira për të qenë në qendër të vëmendjes në çfarëdo mënyre, shpeshherë edhe aty ku nuk u takonte. Por, besoj që shumica e shfrytëzuan shansin duke menduar që është i fundit dhe i vetmi.

Cilët ishin karakteret e tyre dhe, sipas jush, a përfaqësohet shoqëria shqiptare me ta?
Sipas meje, ata përfaqësojnë vetveten, por si ata ka edhe jashtë. Nuk dua të gjeneralizoj, por mendoj që përzgjedhja ka qenë e duhur dhe ka prekur shumë shtresa të shoqërisë shqiptare, gjithmonë duke besuar që ata në të vërtetë përfaqësonin veten dhe jo idealizimin e vetvetes.

Largimi juaj nga shtëpia ishte i hershëm, pse mendoni se dolët kaq shpejt?
Mendoj që reality-show mori një kthesë dhe unë nuk isha e përgatitur për ndryshme e aq më pak për ndryshim qëndrimesh dhe modifikim personaliteti. Kjo ndoshta edhe më nxori jashtë. Megjithatë, arsyet pse unë dola i di më mirë publiku, i cili më votoi dhe e respektoj çdo vendim tyrin.

Me kaq pak sa keni jashtë, i keni marrë reagimet e njerëzve, çfarë komentesh keni marrë prej tyre?
Komente, kritika, lëvdata. Më së shumti më bëri përshtypje se sa shumë prej tyre i kishin personalizuar veprimet e mia duke me thënë mburrja e kombit, apo kritika, si ekstremizmi apo mos lëshoja pe… Të gjitha i mora si të mirëqena dhe i arsyetova.

Po të ktheheshe mbrapsht, çfarë do të bëje ndryshe në atë shtëpi?
Asgjë, duke u nisur nga hyrja ime, e cila nuk ishte strategjike, por ishte shumë origjinale. Do të vazhdoja të qëndroja pas fjalëve, njësoj siç qëndrova sa isha brenda.

Cili ishte personi më antipatik për ju aty brenda?
Antipatinë time e morën vetëm veprimet hipokrite, kishte disa veprime të tilla. Ata persona i eliminova nga kontaktet e mia.

Po personin që kishit më shumë simpati?
Mendoj që është vënë re marrëdhënia ime me disa nga personat aty. Neda dhe Alma ishin ato që më afeksionuan dhe krijova raport shumë të mirë me të dyja. Afërsia ime me to do të vazhdojë edhe jashtë, them më shumë sinqeritet që ishin dhurata që më ofroi jeta dhe “Big Brother”.

Ju keni qenë një nga banorët e “Big Brother 4”, e realizuat ëndrrën duke qenë pjesëmarrëse aty?
Ishte e menduar mirë hyrja aty dhe qëllimet e mia u realizuan aq sa unë desha dhe e pashë të arsyeshme.

Ju ka mbetur gjë “peng” nga qëndrimi në shtëpi?
Përpos dëshirës të jem afër njerëzve që i doja dhe përjetimit të mëtejshëm të gjërave të bukura që ofroi Top Channel, nuk më ka mbetur peng as edhe një qëllim tjetër.

Në “Big Brother” është tendencë që shumë prej tyre mundohen të bëhen çift, të lidhen me njeri-tjetrin, ndoshta për t’i mbijetuar lojës, ju si e shihni këtë strategji?
Shpresoj që të mos jenë strategji, sepse është mëkat të përdorësh gjëra të shenjta për të arritur qëllime, ata që e ndjejnë i përkrah shumë, ata që e përdorin besoj që tashmë veç janë të djegur, sepse kartat që po i përdorin ka kohë që janë konsumuar.

Kishte aty çifte të shtirur?
Mendoj që kishte, por nuk iu zgjati.

Ju vetë pse nuk zgjodhët këtë strategji?
Nuk jam stratege e mirë për gjëra të rrejshme, nuk mbështetem aty ku nuk ka bazë, eci me këmbët në tokë.

Kishte ndonjë mashkull që ju pëlqente brenda në shtëpinë e “BB”?
Edhe pse shumica janë djem shumë të mirë, nuk kishte ndonjë që më fitoi ndjenjat. Nuk e shoh veten të dashuruar në situata të tilla.

Si ju ka pritur familja pas daljes nga “BB”?
Shumë mirë, më kishin përkrahur shumë, më pritën si fituese, kjo ishte shumë e rëndësishme dhe më bëri që të forcoj edhe më shumë besimin te bindjet dhe veprimet e mia.

Çfarë të bën të jesh aq nacionaliste, e ke mbrojtur më shumë zell të qenit shqiptare?
Nacionalizimi apo patriotizmi im mendoj që është në suaza të normales. Të gjithë e ndjejmë, por jo të gjithë e shprehim. Për mua gjëja kryesore është atdheu dhe njerëzit e tij, e dua vendin tim me të gjitha që i ka.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›