E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kënga ime” bëhet “Feel the Passion”

Nga Express më 13 shkurt 2011 në ora 17:34

Këngëtarja Aurela Gaçe pas një qëndrimi jashtë Shqipërisë është kthyer në Tiranë ku thuhet se është duke përfunduar versionin përfundimtar të këngës “Kënga ime”, me të cilën ajo do të prezantohet në maj në “Eurovision”.

Mediat shqiptare kanë shkruar të dielën së këngëtarja tashmë e ka bërë versionin e parë të këngës, përderisa ajo është realizuar edhe në gjuhën angleze. Titulli i këngës “Kënga ime” është përkthyer në anglisht “Feel the Passion”.

Mësohet se Aurela përpunimin e ri të këngës e ka bërë në një studio të njohur në Los Angeles të Kalifornisë. Është kjo studio “Village”, në të cilën kanë punuar yje të mëdhenj të muzikës botërore.

Në këtë studio kanë punuar edhe yjet e njohur si B.B King, Weezer, Lady Gaga, The Foo Fighters, The Pussycat Dolls etj.

Sipas këtyre medieve, thuhet se versioni i ri i këngës “Kënga ime” tingëllon shumë më ndryshe nga origjinali, me të cilin Gaçe ishte paraqitur në festivalin e RTSH-së. Mediat shkruajnë së kënga shkon më shumë te zhanri i muzikës rok, duke e bërë kështu këngën me moderne dhe më argëtuese për publikun.

Nga ana tjetër, këngëtarja ka thënë se përpos Eurovisionit është duke u përgatitur edhe për një hit të radhës. Bëhet fjalë për një bashkëpunim të saj me reperin nga Kosova, MC Kresha, të cilët së shpejti do të hedhin në treg “singlein” e tyre të ri, “Ca$”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›