E Diel, 1 Nëntor 2026

Parandalimi i sëmundjeve, ushqimet që duhet të shmangni

Kequshqyerja ndodh kur trupi nuk merr sasinë e duhur të kalorive, proteinave, karbohidrateve, yndyrave, vitaminave, mineraleve dhe lëndëve të tjera të nevojshme për të mbajtur të shëndetshëm...

“Ushqyerja e shëndetshme është guri i themelit për një shëndet të mirë dhe mjeti shumë efikas për parandalimin e shumë sëmundjeve apo dhe për trajtimin e disa të tjerave”, - shprehen ekspertet e ushqyerjes, teksa deklarojnë rëndësinë e një ushqimi të ekuilibruar dhe me vlera të larta shëndetësore. Situata e ushqyerjes së popullatës në vend paraqitet problematike. Fakt për këtë janë edhe të dhënat e studimit demografik realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik, i cili evidenton se kequshqyerja po fiton terren dita-ditës. Për këtë, Jeta Lakrori, doktoreshë dhe eksperte pranë Departamentit të Promocionit të Shëndetit në ISHP, si dhe Daniela Nika, mjeke pediatre, eksperte e Promocionit të Ushqyerjes dhe Mirërritjes së Fëmijëve në Departamentin e Promocionit, ISHP, shpjegojnë për “Standard” format e shfaqjes së kequshqyerjes dhe mënyrat se si mund të reduktohet risku për të formuar sëmundshmëri.

Çfarë është ushqyerja e shëndetshme?

Ushqyerja e shëndetshme është ushqyerja me llojshmëri ushqimesh e ekuilibruar, e përshtatshme e kombinuar me aktivitet fizik të rregullt. Ushqyerja e shëndetshme është guri i themelit për një shëndet të mirë dhe mjeti shumë efikas për parandalimin e shumë sëmundjeve apo dhe për trajtimin e disa të tjerave. Sigurimi i një ushqyerje të shëndetshme dhe të sigurt gjatë 2-3 viteve të para të jetës ka përfitime për gjithë jetën.

Kur ndodh kequshqyerja dhe cilat janë pasojat e saj?

Kequshqyerja ndodh kur trupi nuk merr sasinë e duhur të kalorive, proteinave, karbohidrateve, yndyrave, vitaminave, mineraleve dhe lëndëve të tjera të nevojshme për të mbajtur të shëndetshëm organizmin dhe për funksionimin e mirë të tij. Kequshqyerja takohet në dy forma në formën e nënushqyerjes dhe formën e mbiushqyerjes.

Nënushqyerja

Nënushqyerja ndodh si rezultat i marrjes në sasi të pakët të kalorive, proteinave, karbohidrateve, yndyrave, vitaminave, mineraleve dhe lëndëve të tjera të nevojshme.

Tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël, kequshqyerja, e në veçanti nënushqyerja, është një faktor kyç themelor jo vetëm për vdekshmërinë foshnjore dhe fëminore, por ndikon edhe në uljen e imunitetit dhe rritjen e mundësisë për t’u sëmurë, zhvillim të dobët fizik dhe mendor, ulje të produktivitetit dhe përqendrimit në shkollë, prishje të dhëmbëve, etj. Gratë shtatzëna me nënushqyerje kanë rrezikshmëri më të lartë për të abortuar ose për lindur një foshnjë me peshë të vogël.

Mbiushqyerja

Mbiushqyerja ndodh si rezultat i marrjes në sasi të tepërt të ushqimeve hiperkalorike e me shumë yndyra. Mbiushqyerje e një individi konsiderohet kur ai është mbipeshë ose i dhjamosur. Kjo mund të shkaktojë diabet që në fëmijëri, probleme psikologjike dhe sociale si: humbje të vetëvlerësimit, irritim, probleme të përqendrimit në shkollë, deri në vonesë në rritje dhe zhvillim, stres dhe pagjumësi e madje ulje të jetëgjatësisë. Në moshë më të rritur pasojat mund të jenë; diabet të tipit 2, sëmundje të zemrës dhe vazave të gjakut, hipertension, rritje të yndyrave në gjak, e sëmundje të tjera. Aktualisht ka ndryshuar mënyra e ushqyerjes së popullatës e sidomos ndodh shpesh që fëmijët të marrin sasi të mëdha të ushqimeve hiperenergjike, por të varfra në elementët e domosdoshëm ushqyes, p.sh. pije të ëmbëlsuara artificialisht, ëmbëlsira, patatina, të skuqura, fast food etj..

Si paraqitet kequshqyerja në Shqipëri?

Studimi Kombëtar Demografik-Shëndetësor (ADHS) i kryer gjatë 2008-2009 nga ISHP dhe INSTAT, në Shqipëri tregoi se situata karakterizohet nga kombinimi i nënushqyerjes së theksuar mes grupeve të brishta si femrat shtatzëna, foshnjat dhe fëmijët e vegjël në zonat e largëta ku sigurimi i ushqimit është i kufizuar dhe mundësitë për të siguruar jetesën janë të pakta, dhe niveleve në rritje të mbiushqyerjes, sidomos mes grupeve urbane tek të cilat konsumi i ushqimeve të përpunuara po rritet, ndërkohë që aktiviteti fizik vjen në ulje.

Ushqyerje ekskluzive me gji do të thotë të ushqesh një bebe për rreth 6 muaj vetëm me qumësht gjiri, pa shtuar as ujë dhe as lëngje të tjera dhe sipas kërkesës (ushqyerje sipas nevojës së fëmijës) ditën dhe natën, pa përdorur ushqimin me shishe ose përdorimin e biberonit.

Këshillohet të vazhdohet dhënia e qumështit të gjirit për të paktën 2 vjet e shoqëruar mbas 6 muajsh me ushqime plotësuese. Sipas ADHS, vihet re se vetëm 54% e fëmijëve të moshës 6-9 muaj konsumojnë ushqime të buta ose të forta plotësuese, pra kemi vonesë në fillimin e ushqimeve plotësuese e cila do të çojë në kequshqyerje.

Sipas vendbanimit nuk ka ndonjë diferencë të madhe në mbipeshë dhe obezitet: përkatësisht në zonat urbane 22% dhe në ato rurale 21% e fëmijëve nën 5 vjeç. Sipas seksit janë vajzat (22,3% ) më shumë mbipeshë se djemtë (21,1%). Tirana urbane dhe rajoni qendror i Shqipërisë kanë përqindje më të larta të fëmijëve mbipeshë ( përkatësisht 24 dhe 25%). Fëmijët e nënave me arsim të lartë dhe ata me indeksin më të ulët të pasurisë kanë më shumë gjasa të jenë mbipeshë (përkatësisht 28 dhe 23%) se sa fëmijët e tjerë.

Përgatiti: Jeta Lakrori, doktoreshë dhe eksperte pranë Departamentit të Promocionit të Shëndetit në ISHP si dhe Daniela Nika, mjeke pediatre, eksperte e Promocionit të Ushqyerjes dhe Mirërritjes së Fëmijëve në Departamentin e Promocionit, ISHP. 

Nënushqyerja në Shqipëri

       Rreth 20-25% e vdekshmërisë për moshën 0-5 vjeç i dedikohet kequshqyerjes së nënave dhe fëmijëve.

       19% e fëmijëve nën 5 vjeç paraqiten të shkurtër për moshën dhe rreth 11% janë shumë të shkurtër. Më e shprehur është tek foshnjat 0-6 muajsh e në zonat malore dhe te nënat pa arsim ku niveli arrin rreth 30%. (ADHS)

       17% e fëmijëve nën 5 vjeç dhe 19% e grave paraqesin anemi të shkallëve të ndryshme. Shkak i saj është ushqyerja e pakët me ushqime që përmbajnë hekur, folate, vit. B12 etj.(ADHS)

       Vetëm 39% e fëmijëve nën moshën 6 muaj janë ushqyer ekskluzivisht me gji, ndërkohë që rekomandohet që për të gjithë fëmijët 0-6 muajsh, qumështi i gjirit është ushqimi ideal dhe e vetmja nevojë për fëmijën për rreth 6 muaj. Ushqyerja me gji është rruga më e mirë për të mbajtur edhe fëmijën edhe nënën të shëndetshëm.

Disa nga gabimet kryesore të ushqyerjes për fëmijët e moshës shkollore

1.       Marrje e shtuar kalorish në raport me aktivitetin fizik që kryejnë

2.       Keqshpërndarje e kalorive të marra gjatë ditës, duke marrë më shumë në pjesën e dytë të ditës dhe sidomos në darkë

3.       Mungesa e ngrënies së mëngjesit apo ngrënia e pamjaftueshme e tij

4.       Ngrënie e ushqimeve hiperkalorike si patatinat, ëmbëlsirat, paninet etj. në vaktin e zemrës

5.       Ngrënie e shtuar e ushqimeve me shumë proteina dhe yndyra si djathërat, proshutat, mishi

6.       Ngrënie e sasive të pakta të frutave dhe perimeve dhe ushqimeve të tjera që përmbajnë fibra si: drithërat, legumet, peshku

7.       Zakoni për t’u ushqyer para televizorit, e cila lejon moskontrollimin e sasisë së ushqimit të marrë

8.       Stili sedentar i jetës: moskryerja e aktivitetit fizik të mjaftueshëm, mungesa e lojërave në ambient natyror, mungesa e ecjes, përdorimi i shtuar i lojërave elektronike dhe TV etj.

Këshilla për një ushqyerje të shëndetshme

1.       Konsumimi i një dietë ushqyese të bazuar në ushqime të ndryshme me origjinë kryesisht bimore se sa shtazore

2.       Konsumimi bukës, drithërave, orizit ose patateve disa herë në ditë

3.       Konsumimi i varieteteve të zarzavateve e frutave disa herë në ditë (së paku 400 gr në ditë), mundësisht të freskëta dhe të prodhuara lokalisht

4.       Mbajtja e peshës trupore në limitet e rekomanduara (Indeksi i Masës Trupore mes 20-25) duke kryer nivele të moderuara të aktivitetit fizik, çdo ditë, të paktën 30 minuta për të rriturit dhe 60 minuta për fëmijët

5.       Mbajtja nën kontroll e konsumimit të yndyrave (jo më shumë se 30% të energjisë ditore) dhe zëvendësimin e yndyrat shtazore(të saturuara) me yndyra bimore(të pasaturuara), sidomos vaj ulliri

6.       Zëvendësimi i mishit me dhjamë dhe prodhimeve të tij me bishtajore si: bizele, thjerrëza apo me peshk, pulë ose mish pa dhjamë

7.       Përdorimi i qumështit dhe nënprodukteve të tij (qumësht të prerë, salcë kosi, kos dhe djathë) që kanë sasi të pakta yndyre dhe kripe

8.       Zgjedhja e ushqimeve që kanë përmbajtje të ulët sheqeri dhe konsumo sheqer të përpunuar dhe me kursim, duke limituar frekuencën e pijeve me sheqer dhe ëmbëlsirave

9.       Zgjedhja e një dietë me sasi të pakët kripe. Konsumi total i kripës nuk duhet të jetë me shumë se një lugë çaji (6 gr) në ditë, duke përfshirë kripën në bukë dhe ushqimet e konservuara e të përpunuara. Kripa që përdoret duhet të jetë e jodizuar, mbasi defiçienca jodike përbën një rrezik për shëndetin (kryesisht të fëmijëve), dhe shkakton nga gushën endemike deri në prapambetje mendore apo kretinizëm.

10.     Nëse konsumohet alkool, atëherë konsumi limit duhet të jetë jo më shumë se 2 pije për burrat dhe 1 pije për gratë ku në ditë, ku secila të përmbajë 10 gr alkool

11.     Të konsumohet të paktën 1,5 lit ujë në ditë dhe kjo sasi mund të shtohet në stinën e nxehtë apo tek individët që kryejnë sport apo punë të rënda

12.     Përgatisni ushqimet në mënyrë të sigurt dhe higjienikisht pastër. Ziejini, piqni apo gatuani me avuj apo mikrovalë për të pakësuar sasinë e yndyrave shtesë

13.     Promovoni ushqyerjen ekskluzive me gji dhe futjen e ushqimeve shtesë të sigurta në moshën rreth 6 muajsh, por jo më herët se 4 muajsh, ndërkohë që ushqyerja me gji të vazhdojë të paktën gjatë vitit të parë të jetës dhe nëse është e mundur rreth 2 vjeç

Hapat që duhet të ndiqen

Praktikisht hapat e ushqyerjes së shëndetshme ndahen në: Konsumim të përditshëm, të përjavshëm dhe mujor.

Konsumimi i përditshëm:

•        Ujë jo më pak se 1,5 lit në ditë

•        Drithëra 3 herë në ditë apo në çdo vakt si: buka e zezë e grurit, buka e misrit, makaronat, orizi (sa më shumë drithëra të plota, pra me ngjyrë kafe)

•        Fruta dhe perime 3-5 herë në ditë sa më të ndryshme (1 porcion i barabartë me madhësinë e grushtit, p.sh.: 1 mollë,1 portokall, 3 kumbulla, etj

•        Konsumi i një lugë gjelle vaji bimor, sidomos vaj ulliri, vaj misri, vaj luledielli etj.

•        Qumështi dhe bulmeti me përmbajtje të ulët yndyrore, jo më shumë se 2 herë në ditë, si qumështi i skremuar, kos, djathë i bardhë, gjizë etj.

•        Aktivitet fizik për një stil jete më aktiv të paktën 30 min për 5 herë në javë.

Konsumimi i përjavshëm:

•        Peshk 3 herë në javë

•        Mish dhe nënprodukte të tjera mishi 3 herë në javë të alternuara, duke preferuar mishin e bardhë.

•        Fasule dhe bishtajore të tjera: 2 herë në javë

•        Patate 2 herë në javë

•        Vezë 2 herë në javë

•        Fruta të thata, ullinj 3 herë në javë

Konsumimi mujor:Përdorni sa më pak gjatë muajit:

•        Ëmbëlsirat

•        Pije të gazuara

•        Ushqime të kripura,të konservuara

•        Ushqime të skuqura

•        Yndyrat shtazore, gjalpë, margarinë, dhjami etj.

•        Përdorni sasi të moderuar pijesh alkoolike (2 pije në ditë për burrat dhe 1 për gratë)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›