E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët e policëve të vrarë, pagë të plotë deri në 18 vjeç

27/10/2009  Basha do t’i dorëzojë projektin për miratim qeverisë. Prençi: “U jemi mirënjohës”

TIRANE- Familjarët e policëve të vrarë në krye të detyrës do të kenë mundësinë që së shpejti të marrin si pension nga buxheti i shtetit një pagë mujore të plotë, deri në periudhën kur fëmijët e tyre të kenë mbushur moshën 18-vjeçare. Një gjë e tillë është bërë me dije nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili në ceremoninë e përkujtimit të 241 policëve të vrarë, është shprehur se dikasteri që ai drejton ka filluar hartimin e një projektvendimi, ku me anën e së cilit po planifikohet që t’u lidhet një pension të gjitha familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre në krye të detyrës. “Shumë shpejt projektvendimi do të shkojë për miratim në Këshillin e Ministrave për trajtimin financiar të familjeve të punonjësve të policisë, që kanë humbur jetën në krye të detyrës, ku përfshihet periudha që nga 31 marsi 1991”,- u shpreh ministri Lulzim Basha. Gjithashtu ky i fundit premtoi para uniformave blu dhe përfaqësuesve të diplomacisë së huaj se në ditët në vazhdim do të fillojë puna për rishikimin e statusit të punonjësve të policisë. Kjo do i ndihmonte efektivët e policisë, për zbatimin e kërkesave të tyre, duke filluar nga 8 orëshi i punës, vënia në zbatim e sistemit të gradave si dhe deri tek pagesa e orëve shtesë që në shumë raste policët kryejnë. Ndërkaq në ceremoninë përkujtimore të 241 policëve të vrarë, ka përshëndetur edhe Drejtori i Përgjithshëm Ahmet Prençi, i cili është shprehur se heronjtë tanë do mbeten simbol guximi dhe vendosmërie. Akti i tyre gjithmonë do të kujtohet si një shembull i virtytit dhe moralit më të lartë të shërbimit ndaj atdheut dhe gjithë shoqërisë. “Ju humbët njerëzit tuaj të shtrenjtë, por ju duhet të ndjeheni krenarë për këta trima që u bënë heronj falë shpirtit të vetëmohimit në mbrojtje të jetës e dinjitetit njerëzor. Shoqëria dhe shteti do u jenë mirënjohës e do t’i kujtojë me përulje e respekt në jetë të jetëve”,- iu drejtua familjarëve të policëve të vrarë, kreu i uniformave blu Ahmet Prençi. Në përkujtimin e policëve të rënë në krye të detyrës, ishin të pranishëm edhe ambasadori i SHBA John L. Withers II, ambasadorja britanike Fiona Mcllwham dhe ambasadorja franceze Maryse Daviet.

Pension për 241 familje

Një projektvendim po hartohet dhe pritet që së shpejti t’i dërgohet për miratim Këshillit të Ministrave, i cili do të vendosë ose jo, lidhur trajtimin financiar të familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre në krye të detyrës. Projekti planifikon që familjet të marrin në formën e pensionit një rrogë të plotë, deri në periudhën kur fëmijët e tyre të kenë mbushur moshën 18-vjeçare. Gjithashtu po punohet edhe për rishikimin e statusit të policisë.

Nderohen katër policët e GOS

Basha-Withers i japin familjeve statusin e dëshmorit

TIRANE- Në përkujtimin e policëve të vrarë, një vëmendje e veçantë ju kushtua 4 inspektorëve të Grupit Operacional Special (GOS) që u vranë nga i shumë kërkuari Dritan Dajti në 7 gusht të këtij viti në qytetin e Durrësit. Ministri Lulzim Basha së bashku me ambasadorin amerikan John Withers i dorëzuan familjarëve të katër efektivave Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Kastriot Feskaj, certifikatat e statusit “Dëshmor i Atdheut” dhe simboli “Familja e Dëshmorit të Atdheut”. Pas ceremonisë Basha kreu homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit si dhe vendosi një kurorë me lule në nderim të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës. Ministri Basha zhvilloi edhe vizita të veçanta në familjet e Dëshmorëve të Atdheut Altin Dizdari dhe Saimir Duçkollari, ku i shprehu të afërmve të tyre mbështetjen e institucionin që ai drejton. Për katër familjet e policëve të sipërcituar qeveria vendosi shpërblimin e tyre me nga 1 milion lekë të reja.

Drejtoria e Policisë Tiranë

Nderon dëshmorët, Molla, Keqi, Aliu dhe Mançellari

TIRANE- Në kuadër të 26 tetorit “Ditës së të rënëve të policisë, në krye të detyrës”, drejtues të policisë së Tiranës, përkujtuan dhe vlerësuan aktin sublim të punonjësve të rënë për shkak të detyrës, duke kryer vizita tek familjarët e ish-punonjësve të policisë së Tiranës. Në këtë ditë përkujtimore, drejtuesit e policisë së Tiranës, shkuan për të vizituar familjarët e ish- punonjësit të policisë, Ferdinad Molla, i cili gjeti vdekjen aksidentalisht pas përplasjes me një automjet në krye të detyrës më 2 shkurt 2007. Më pas vizitat vazhduan në familjen e ish-punonjësit të policisë Arben Keqi, i vrarë në 27 gusht 1999 në qytetin e Krujës, duke gjetur vdekjen e menjëhershme në krye të detyrës. Ata i rikujtuan me respekt familjarëve, punën dhe sakrificat e ish-kolegëve, dëshmorët e policisë, të cilët dhanë jetën e tyre në krye të detyrës, në luftën kundër krimit dhe kriminelët. Po ashtu, vizitë u krye edhe në banesat e të ndjerëve Hajrulla Aliu dhe Altin Mançellarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›