E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arritjet ne 2011 dhe prioritetet per 2012 te Policise se Shtetit

Shqipëria ka bërë ndryshime drastike në 20 vitet e fundit. Ky ishte konstatimi i ardhur nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, gjatë fjalës së tij në analizën vjetore të Policisë së Shtetit. Sipas tij, policia është rritur profesionalisht, duke pasur si prioritet mbrojtjen e institucioneve dhe parandalimin e veprimtarisë kriminale. “Policia Shtetit pati një angazhim të plotë në zgjedhje, duke përballuar çdo situatë”, u shpreh ministri Nishani. Madje duke iu referuar ngjarjeve të një vitit më parë në 21 janar, ministri Nishani vlerësoi se “policia zbatoi misionin e saj, për të mbrojtur institucionet”.
Ndërkohë nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj në fjalën e tij vlerësoi faktin se gjatë vitit që lamë thellimi i masave në menaxhimin e kufinjve ishte një moment mjaft i rëndësishëm. Gjithashtu, duke u ndalur në të dhëna konkrete lidhur me intesifikimin e masave ndaj krimit të organizuar, Burgaj u shpreh se “rregjistrohen 653 vepra penale në fushën e drogës, 661 vepra penale në fushën e trafiqeve, 11.17 mld lekë pasuri të konfiskuara, 7.5 mln euro konfiskime për pastrim parash, 2181 raste të dhunës në familje”. Po kështu, Burgaj bëri me dije se gjatë vitit 2011 u goditën 37 grupe kriminale, me 127 autorë. Ndërkohë që, sipas tij, do të vijojë të mbetet prioritet i Policisë së Shtetit goditja e krimit të organizuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›