E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takim me profesorin Felix Unger

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Presidentin e Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, në Austri, Profesorin Felix Unger, i cili ndodhet në vendin tonë, në kuadër të bashkëpunimit të kësaj Akademie me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Në tetor të këtij viti, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, me rastin e 40 vjetorit të krijimit do të mbledhë në Tiranë, presidentët e të gjithë Akademive të Shkencave dhe Arteve, në Evropë.
Gjatë takimit, zoti Unger e informoi kryeministrin Berisha lidhur me raportin kërkimor që do të publikohet së shpejti në lidhje me shëndetin, i cili është pjesë e strategjisë dhe baza e programit të veprimit për mbrojtjen e shëndetit 2014-2018. Ky raport ndër të tjera do të jetë i vlefshëm edhe për Shqipërinë në strategjinë e saj të shëndetit.
Në takim u diskutua edhe lidhur me mundësitë për një menaxhim më të mirë të spitaleve, për të cilën zoti Unger u shpreh se Akademia Evropiane e Shkencave dhe Arteve, mund të japë kontributin e saj në këtë drejtim, për edukimin e punonjësve të mjeksisë në menaxhimin spitalor.
Profesori Unger e ftoi Kryeministrin Berisha të marrë pjesë në një takim të Senatit të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, ftesë të cilën kryeministri Berisha e priti me kënaqësi, duke falenderuar zotin Unger.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›