E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova: Të largohet kush nuk shfrytëzon 60% të kohës në punë



Largim nga puna, nëse mjekët nuk shfrytëzojnë nga 40-60% kohën e tyre në spital. Të njëjtat masa edhe për ata që kapen duke marrë para nën dorë. Për kreun e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” Halim Kosova, çdo qindarkë që jepet nën tryezë është problem, ndërsa ndërgjegjësimi për të paguar atë që të takon çon në zhvillim. Sipas tij, kualifikimi i mëtejshëm i personelit mbetet prioritet kryesor për të garantuar cilësi shërbimi ndaj pacientëve. Dje gjatë analizës vjetore të vitit 2009, ku ishte i pranishëm edhe Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, krahas një panorame të detajuar të punës, Kosova në kërkesat e tij për të ardhmen, u fokusua në trajnimet e mëtejshme sidomos të personelit të mesëm. “Ka më pak mundësi për kontakte jashtë shtetit. Ka më pak mundësi për kontakte profesionale, më pak aktivitete kryen për të, mirëpo suksesi i punës sonë varet nga mënyra se si do t’i shërbejmë pacientit në 24 orë. Vetëm me kualifikimin e personelit të lartë, pa kualifikimin e personelit të mesëm, kurrë nuk do të arrijmë atë që kërkojmë”, tha Kosova. Gjatë analizës, ministri Vasili shprehu superlativa për punën e bërë në këtë maternitet. “Eshtë e mundshme që të kemi rezultate, nëse sistemi reformohet në rrugën e duhur dhe profili menaxherial i fortë merr atë peshë që duhet. Sot jemi në një institucion, që ndoshta është në avangardën me rezultate të prekshme. Rezultate, që njihen prej të gjithë pacientëve që marrin ndihmë këtu, të cilët në mënyrë shumë objektive opinionin e nxjerrin jashtë institucionit. Dhe nëqoftëse dalin me idenë që aty zhvillohet një veprimtari formale, d.m.th që nuk ka informalitet. Kjo është një garë e fituar”, tha Vasili. Ministri në fjalën e tij vuri theksin në autonominë e spitaleve, e cila është një hallkë e rëndësishme për reformimin e sistemit, por gjithashtu edhe në rritjen e aftësisë menaxheriale. Sipas Vasilit, rreth 90 për qind e ngarkesës së shërbimit shëndetësor në vend përballohet nga shërbimi publik shëndetësor. Ndaj kjo, sipas tij, është meritë e sistemit që e përballon, por dhe detyrimit që ai të shtojë cilësinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›