E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga homofobia tek familja homoseksuale



Rreth shtatë muaj më parë, Kryeministri i vendit deklaroi se kishte marrë prej një forumi për të drejtat e njeriut, një projektligj që synonte luftën kundër diskriminimit ndaj pakicave me orientim të ndryshëm seksual. Në një pozicionim, formalisht të qartë, pro draftit në fjalë ai paralajmëroi se, nuk do të kufizohej në atë se çfarë pretendonte organizata nismëtare por se, do të dërgonte për miratim në Parlament një ligj që do të përfshinte edhe martesat homoseksuale. Qasja antidiskriminit, që fillimisht afishoi shefi i ekzekutivit, u modifikua më pas në mjediset dhe massmediat pranë Qeverisë si një kërkesë, thuajse kushtëzuese, që Bashkimi Evropian i kishte paraqitur ekzekutivit shqiptar për proceset e tij integruese, duke ngjallur dyshime rreth sinqeritetit në qasjen ndaj problemit.
Shumë më e kujdesshme, kryetarja e forumit, nxitoi të saktësonte se, “ne nuk e kemi përfshirë martesën brenda homoseksualëve si nen të mundshëm të projektligjit dhe kjo nuk ka të bëjë me faktin nëse ne jemi pro ose kundër martesave homoseksuale por se, Shqipëria është ende e papërgatitur për një hap të tillë”. I konsideruar si një “surprizë shqiptare”, lajmi bëri xhiron e botës, massmedia e së cilës nuk harroi sakaq të nënvizonte solidaritetin mes religjoneve(por jo vetëm) në dënimin e këtij ligji(në projekt). Dhe kaq. “Banorët” e mjedisit juriprudencial, ata që e kishin deontologjikisht të detyruar të shpreheshin, sepse flitej për binomin liri-e drejtë, nuk u shprehën. Doktrina e munguar, qasja jusnatyraliste, ngarkesat moraliste, fshehja pas dimensionit tradicionalist, pozicionimi shumë i rezervuar në habitatin e “etikisht delikates”, apo ndoshta të gjitha bashkë bënë që, ende sot e kësaj dite, të mos i jepet një përgjigje serioze pyetjes: a është juridikisht i përligjur refuzimi i martesës homoseksuale dhe, më tej, a kanë të drejtë çiftet homoseksuale të kenë një familje, civilisht të njohur?
DEFEKTET E QASJES JUSNATYRALISTE DHE TRADICIONALISTE
Argumenti par excellence që përfaqësuesit e koorporatës antihomoseksuale hedhin sa herë që dëgjojnë të flitet për një çështje të tillë është se, bëhet fjalë për një marrëdhënie që shprish rendin biologjik dhe cënon legalitetin natyror të gjërave. Si e tillë, nuk meriton vëmendje juridike, sepse nuk mbërrin në rangun e një fenomeni juridikisht të rëndësishëm. Qasja intolerante ndaj fenomenit është e hershme në mjedisin socio-juridik shqiptar e që nuk ka pasur lidhje me epokat politike që mund të ketë përjetuar shoqëria shqiptare. Së pari, ka qenë intolerancë në akt e që më pas është kodifikuar, që do të thotë se, në fillim ka qenë homofobi për të qenë më vonë normë. Thënë ndryshe, ka qenë një miks mes traditës ultrakonservatore me bazë oriento-ateiste dhe vështrimit jusnatyralist të të drejtave i cili, klasifikon se, ç’është natyrale dhe jonatyrale, bazuar në argumente parajuridikë.
Me një vizitë të shkurtër në kodin penal të mbretërisë dhe atë të regjimit komunist, e ke shumë të lehtë të identifikosh analogjitë në vështrimin ndaj fenomenit por edhe, thuajse, kopjimin e frymës represive të dispozitave përkatëse. Madje, në atë të dytën, ashpërsia prek kuota të pazakonta që tejkalojnë ndjeshëm logjikën juridike.
Në kapitullin “Turpnime të kundra natyrshme”, në nenin 377 të kodit penal mbretëror thuhej: “Ay që ban veprën e turpënimit të kundra natyrshme…omissis…ndëshkohet me burgim të randë nga tre muej, deri në dy vjet ose me internim nga një deri në pesë vjet dhe në të dy rastet ndëshkimit i shtohet edhe gjoba e randë, si dhe ndalimi i përkohshëm nga ofiqet publike.
Po me këto ndëshkime dënohet edhe ay që turpënohet në këtë mënyrë…omissis…”.
Kodi penal i 1952, në kapitullin “Krime kundër moralit shoqëror”, neni 289(përveç një paqartësie konceptuale, sepse barazonte homoseksualitetin me pederastinë) disiplinonte: “Pederastia, d.m.th. marrëdhëniet seksuale ndërmjet meshkujve, dënohet:
Me heqje të lirisë gjer në dhjetë vjet.
Po kjo vepër e kryer me dhunë ose kundër një të mituri, që nuk ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç, dënohet:
Me heqje të lirisë, nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet”.
Për të kaluar më pas në regresin cilësor që solli kodi penal i 1977, i cili në nenin 137 nuk saktësonte dhe as diferenconte por thjesht sanksiononte: “Pederastia dënohet:
Me heqje të lirisë, gjer në dhjetë vjet”. Fakti që marrëdhëniet me të miturit nuk klasifikoheshin fare, të bën të kuptosh se, për ligjvënësin e kohës, ka pasur rëndësi vetëm ruajtja e shëndetit të familjes tradicionale, si një institucion më së pari ideologjik (familja socialiste) dhe pastaj juridik.
Duke u rikthyer në argumentin “natyrore apo jonatyrore”, është e nevojshme të vendosen disa piketa mbi homoseksualitetin, në raport me të drejtat e personalitetit. Përbën një pohim, thuajse të gjithëpranuar në literaturën juridike moderne se, “qenia njerëzore është person edhe në universin juridik”. Që do të thotë se, persona iuris, nuk është gjë tjetër veçse një kompleks të drejtash personaliteti, të cilat përderisa janë veç të tjerash, edhe a-esenciale; b-absolute; c-ngushtësisht personale; d-të paparashkrueshme; e-të panegociueshme, përkufizojnë gjithë impiantin e atyre prerogativave që qenia njerëzore, në mënyrë legjitime, ka të drejtën t’i pretendojë në marrëdhëniet me të tretët dhe trupin social. Pohim i personalitetit është edhe e drejta për të ndërtuar një strukturë relacionesh afektive dhe sociale të pakushtëzuara dhe në përputhje të plotë me “natyrën” apo qenien personale. E drejta e emrit p.sh., e cila mbron interesin e individit për të pasur dhe përdorur një element dallues, i cili i siguron atij përveçimin dhe identifikimin në marrëdhëniet me të tretët, mbrohet në nenin 5 të kodit civil, sipas së cilit, “çdo person ka të drejtën dhe detyrimin të ketë emrin dhe mbiemrin e tij…omissis…”. Derivat i së drejtës së emrit është e drejta e identitetit personal e cila, si një produkt jurisprudencial, mbron të drejtën e individit për të qenë ai që është, pra për të ruajtur në mënyrë integrale qenien e tij, në kuptimin e orientimit të tij etik, moral, ideologjik, seksual etj., i pakushtëzuar nga faktorë të jashtëm. Që përkthehet se, nuk mund të gjejë asnjë lloj përligje juridike, etike, morale, qasja homofobe dhe refuzimi i çdo lloj profili, edhe ai më privati, i një individi, mjaft që ai mos të përbëjë një kërcënim për trupin social dhe sigurinë e tjetrit. Mbështetja pas traditës dhe “vlerave morale të shoqërisë sonë” si p.sh.,uniteti familjar, respekti i gruas për burrin(jo aq e vërtetë e anasjellta), vazhdimësia e rracës apo fisit, në një kontekst intolerant dhe thuajse retrograd si ky yni, nuk prodhon gjë tjetër përveçse një pozitivizëm të ngurtë juridik i cili, pikërisht përmes këtyre paradigmave, kufizon apo përjashton a priori ato prerogative të qenies njerëzore që, përkundrazi, meritojnë garanci dhe mbrojtje. është krejt e arsyeshme të pohohet se, e drejta është një sistem kulturor i formësuar mbi bazën e përvojës dhe bashkëjetesës së një komuniteti të caktuar, por është po aq e arsyeshme të artikulohet fort se, interesi juridik mbi institucionin familje nuk rrjedh nga fakti se ajo është një njësi biologjike por, sepse ajo është një njësi sociale. Kjo nënkupton se, struktura e saj nuk është(dhe historia është një dëshmitar i besueshëm në këtë rast) një perpetuum, por ndryshon dhe i përshtatet kostumit social në periudha të ndryshme historike. Pikërisht ky impostim atipik të ndihmon për të kuptuar nevojën e përveçimit të konceptit “familje” nga konceptet “traditë” apo “natyrore”. Nëse do të pohonim të kundërtën do të na duhej të rishikonim edhe, fjala vjen, të drejtën e abortit që tradita jonë socio-familjare nuk mund ta konceptonte deri pak dekada më parë apo bashkëjetesën që, me të drejtë, ligjvënësi e ka pranuar si institucion vetëm pak vite më parë. Edhe më tej është krejt organike që kundërshtarët e martesave homoseksuale të kenë një pozicion tradicionalist, ratio e të cilit përligjet, sipas tyre, me ekzistencën e një norme zakonore, e cila gjithmonë sipas tyre përbën një burim të drejtë. Por, edhe në qoftë ashtu, askush nuk mund t’i “shpëtojë” detyrimit për t’i gjetur atij burimi, pozicionin juridik në hierarkinë e burimeve. Dhe më kryesorja, askush nuk duhet të harrojë se, zakoni mund të legjitimohet si burim vetëm nëse përputhet plotësisht me parimet themelore kushtetuese.
CENIMI I PARIMIT
KUSHTETUES TE BARAZISE
Debati rreth familjes homoseksuale është krejt pa sens, nëse do të mbahej jashtë perimetrit të parimeve kushtetuese. Duhet pranuar se, në një interpretim evolutiv, Kushtetuta jonë nuk manifeston ngurtësi të skajshme normative kur flitet për martesën dhe familjen. Ajo, thjesht, duhet kontekstualizuar. Në nenin 53 sanksionohet se: “1-Kushdo ka të drejtë të martohet dhe të ketë familje. 2-Martesa dhe familja gëzojnë mbrojtjen e veçantë të shtetit…omissis…”.
E kombinuar edhe me nenin 18, sipas së cilit “1-Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. 2-Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, etnia…omissis…”, ajo prodhon një përligje, relativisht të qëndrueshme, për ta rikonsideruar institutin e martesës, tashmë, jashtë atyre paradigmave që rendita pak më sipër.
Në ndihmë të këtij vështrimi vjen edhe e drejta komunitare, e cila ka inkurajuar adoptimin e instrumenteve juridikë për eliminimin e diskriminimit me të cilin përballen çiftet me orientim të ndryshëm seksual. Eshtë emblematike në këtë kontekst orientimi i ri historik që solli Karta Evropiane e të Drejtave Themelore, e cila në nenin 9 të saj fiksonte “e drejta për t’u martuar dhe e drejta për të krijuar familje janë të garantuara… omissis…”(ndonëse ia delegonte legjislacioneve nacionale lëndën konkrete), duke mos imponuar formula përjashtuese, për shkak të gjinisë apo përkatësisë seksuale. Pa asnjë hezitim qasja ishte historike sepse, tejkalonte kornizat e Konventës Evropiane të 1950, e cila në nenin 12, disiplinonte se “burrat dhe gratë në moshën e përshtatshme kanë të drejtën të martohen”. Ka qenë e njëjta frymë antidiskriminuese që është manifestuar më pas në gërmën e rezolutës së Parlamentit Evropian të 8 shkurtit 1994, e cila shprehimisht kërkoi “heqjen e të gjitha barrierave kundër martesave homoseksuale…duke garantuar plotësisht të drejtat e martesës…”. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Rezolutën e Parlamentit Evropian të 2006 rreth homofobisë dhe deficiteve ligjore në mbrojtjen e të drejtave të homoseksualëve, rezolutë që u propozua nga Partia Popullore Evopiane(anëtare e të cilës është edhe partia në pushtet) e cila, në thelbin e saj, nënvizonte se, “nëse ndalohet martesa mes çifteve homoseksuale, kjo përbën një formë diskriminimi”. Po kjo rezolutë e përkufizonte homofobinë si “një frikë dhe urrejtje irracionale kundër homoseksualeve”… “e ngjashme me antisemitizmin”.
çështja e martesës mes personave brenda së njëjtës familje gjinore, së bashku me debatet që ajo implikon, rrok dy parime bazë: barazinë në trajtimin e të drejtave themelore dhe refuzimin e çdo diskriminimi që ka të bëjë me identitetin personal. Reflektimi rreth përjashtimit arbitrar të martesave homoseksuale ngre pikëpyetje serioze mbi vlerën reale të parimit kushtetues të barazisë dhe garancive të të drejtave themelore. Duke analizuar në terma ngushtësisht jusnatyralist, martesat brenda të njëjtit seks nuk meritojnë një mbulesë normative. Por, përderisa prezumojmë tejkalimin e një stadi të tillë doktrinar, atëherë është tërësisht e përligjur që këtë “institut ilegal” ta integrojmë te liritë themelore.
Mbi ç’parim racional duhet të pranojmë një model familjar, normativisht të paracaktuar, mes një burri dhe një gruaje dhe të përjashtojmë një model të ri(në fakt jo dhe aq)mes dy femrash apo dy meshkujsh? A nuk tingëllon si një aberacion i kulluar logjik (mandej edhe juridik) që të aplikojmë parimin e barazisë mes burrit dhe gruas nga njëra anë dhe atë të pabarazisë mes familjes “normale” burrë-grua dhe familjes “anormale” homoseksuale? Përse “ne” kemi të drejtën të vetkategorizohemi si “normalë” dhe “ata” t’i kategorizojmë si “jo normalë”? Pra, a ka ndonjë bazë teorike apo doktrinare kjo lloj asimetrie interpretimi juridik? Kostituentët tanë, në mos vizionarë(nuk kanë sanksionuar përkatësitë gjinore që do të kushtëzonin vlerën juridike të martesës) kanë qenë, së paku, (ndoshta rastësisht)të kujdesshëm kur janë shprehur në nenin 53 pika 1 se, “Kushdo ka të drejtë të martohet dhe të ketë familje…”. çdo përkufizim tjetër do të kishte prodhuar një nen liberticid. Kështu që, Kushtetuta e sotme(do të kishte prodhuar një situatë jashtëzakonisht komplekse një kushtetutë që do të disiplinonte përkatësitë gjinore të bashkëshortëve) t’a lehtëson problemin sepse, formulimi i mësipërm do të thotë se, shteti nuk ka ndërmend të imponojë qasjet apo konceptet e tij ideo-moraliste në krijimin dhe ekzistencën e institucionit të martesës dhe familjes. Kushtetuta jonë, në ndryshim nga mjaft simotra, nuk bart brenda saj kontradiksione të tipit, “nuk lejohet diskriminimi për shkaqe gjinore” dhe “martesa mund të lidhet vetëm mes burrit dhe gruas”. Në po këtë linjë do të ishte e pakonceptueshme që ligjvënësi, e rrjedhimisht norma, t’i përcaktonin partnerin afektiv dikujt. Përderisa në këtë moment interpretativ ne nuk jemi të kushtëzuar nga fryma, por vetëm nga gërma e normës, atëherë e kemi të përligjur të prezumojmë se, për autorët e aktit themeltar të shtetit, elementi i vetëm kushtëzues për ekzistencën juridike të institucionit të martesës është i ashtuquajturi affectio coniugalis i çiftit dhe jo orientimi i tyre seksual. Konkluzioni: përderisa Kushtetuta nuk paravendos asnjë lloj modeli familjar, do të thotë që përfshin të gjitha modelet familjare. Vështirësitë, në dukje, që mund të provokojnë kundërshtarët e këtij modeli të ri familjar (e përsëris, jo dhe aq të ri, madje moshatar me modelin tradicional), janë lehtësisht të kapërcyeshme. Në ç’mënyrë? Së pari, duke apeluar mbi pathemeltësinë e tezës arkaike se homoseksualiteti është një devijacion, që del jashtë “normales” në kuptimin biologjik, shkencor, antropologjik e kështu me radhë. Në një pozicionim të sajin të 17 majit 1990, Organizata Botërore e Shëndetësisë, pastroi çdo ekuivok rreth statusit biologjiko-anatomik të homoseksualëve duke e vlerësuar homoseksualitetin si “një variant natyror i sjelljes seksuale të individit”. Gjithashtu, po sipas OBSH, së paku 5 % e popullsisë kanë një orientim seksual të ndryshëm. Shifra, në vetvete e refuzon komentin. Prej saj, për analogji, mund të lindte një pyetje: a do të kishte përligje një shtet, mjaftueshmërisht liberal, të cënonte të drejtat themelore të një minorance që përbënte 5 % të popullsisë së tij? Së dyti, duke përveçuar njëherë e mirë konceptin familje nga projekti riprodhues. Nuk ka dhe nuk mund të ekzistojë ndonjë dispozitë që të kushtëzojë ekzistencën e familjes me lindjen e fëmijëve. Sepse, çdo të bënim me çiftet sterile? Po me ata që vendosin të martohen në një moshë kur shëndeti riprodhues tashmë është i kompromentuar? Po me ato gra në menopauz që vendosin të fillojnë një jetë të re në çift? A mos vallë do t’u mohonim të drejtën themelore për t’u martuar? Si do të vepronim me ata prindër që përgjatë jetës së tyre në familjen tradicionale, me fëmijë, zbulojnë një natyrë të ndryshme të sjelljes seksuale?
Së treti, duke çliruar nga frika ata që shohin një konseguencë të pashmangshme mes familjes homoseksuale dhe adoptimit të fëmijëve. Martesa homoseksuale dhe fëmija janë dy realitete socio-juridike që jo domosdoshmërisht kanë një lidhje mes tyre. Kjo do të thotë se ato mund të jetojnë në mënyrë autonome, pa qenë në një raport shkak-pasojë. Ne mund të pranojmë familjen homoseksuale me të gjitha efektet e saj civile, por nuk jemi të detyruar të pranojmë adoptimin prej saj të fëmijëve.
Së katërti, duke zhveshur familjen tradicionale nga statusi i një instituti juridik të privilegjuar. Duke siguruar, në terma normativë, një status të njëjtë dhe alternativë mes familjes eteroseksuale dhe homoseksuale, nuk bëjmë gjë tjetër përveëse respektojmë parimin kushtetues themelor të barazisë. Në këtë optikë është paradigmike ajo që Nicolas Sarkozy do të pranonte më 2007: “Dashuria etero nuk është më superiore se ajo homo. Dallimi i vetëm mes dashurisë dhe pasionit të thjeshtë seksual qëndron në faktin se, dashuria ndjen gjithmonë nevojën e njohjes sociale…Dashuria homoseksuale duhet të njihet, duhet t’i japim një kuadër normativ që do t’i mundësonte të shprehej…”.
ANTIDISKRIMINIMI QE DISKRIMINON
Do të ishte krejt racionale që në mbështetje të këtij pozicioni, i cili përkrah qartë lirinë e individit në përputhje të plotë me parimin themelor kushtetues të barazisë, të thërrisja në ndihmë jurisprudencën apo modelet e mjaft shoqërive të cilave kërkojmë t’u ngjajmë. Ndonëse, edhe kundër këtyre shembujsh, koorporata e tradicionalistëve do ta kishte kundërargumentin: “Ne duhet kohë të bëhemi si ata”.P o parapëlqej t’i shmangem një tipologjie të tillë ballafaqimi edhe për faktin se, shumica që mori përsipër rreth shtatë muaj më parë të bënte një ligj të plotë për të drejtat dhe liritë e komunitetit homoseksual u tërhoq, duke e reduktuar atë në një ligj të thjeshtë antidiskriminim. Një ligj jo thjesht i vonuar por skajshmërisht i tejkaluar, i cili në fakt, përmes “antidiskriminimit” fsheh një diskriminim. Vetë impostimi i problemit të krijon përshtypjen se, për ligjvënësit, ky është një kuadër normativ i nevojshëm, sepse kemi të bëjmë me një komunitet fatkeqësi (nuk dua të besoj se është një hall i madh që duhet të zgjidhet sepse na e kërkojnë partnerët tanë evropianë). Koha u dha të drejtë dyshimeve të shtatë muajve më parë. Në një kontekst global kaq të ndjeshëm ndaj të drejtave dhe lirive në përgjithësi, të bësh një ligj të thjeshtë antidiskriminim kundër homoseksualëve është njësoj sikur, fjala vjen, t’u flasësh amerikanëve të vitit 2010 që kanë votuar një President me ngjyrë, për Rosa Parks që kërkonte më 1954 të ulej në autobusin e të bardhëve si një protestë kundër diskriminimit.
Sidoqoftë, liria për të zgjedhur partnerin në përgjithësi dhe martesa homoseksuale në veçanti, nuk mund të qëndrojnë edhe për shumë kohë jashtë horizontit normativ dhe institucional. Kjo, për arsyen e thjeshtë se, në një vend të lirë e demokratik, nuk mund të lejohen pafund terrene juridike të braktisur mbi të cilët të ndërtohen geto për liritë dhe të drejtat e individit.
*Pedagog në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti Evropian i Tiranës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›