Belgjika: Mbështetje për vizat dhe statusin kandidat
ADI SHKEMBI
Belgjika mbështet Tiranën zyrtare në liberalizimin e vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, teksa e nxit atë të plotësojë të gjitha kriteret e parashikuara nga Komisioni Evropian. Kryeministri belg, Yves Leterme, zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Shqipëri e para e këtij niveli, ku u takua me Kryeministrin Sali Berisha dhe Presidentin Bamir Topi. Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij, kreu i qeverisë belge tha se “lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave, unë mendoj se kjo dosje është shumë e rëndësishme lidhur me kredibilitetin e BE-së në sytë e opinionit publik dhe qytetarëve të Shqipërisë. Unë e përgëzova kolegun tim lidhur me rezultatet e mira, progresin e bërë lidhur me procedurën e liberalizimit të vizave. Unë e inkurajove Kryeministrin Berisha dhe qeverinë shqiptare të vazhdojnë dhe të arrijnë angazhime në drejtim të kërkesave dhe kushteve të autoriteteve evropiane të fushës”. Kryeministri belg tha se procesi i liberalizimit të vizave është teknik dhe jo politik. Ai shtoi se qeveria duhet të plotësojë të gjitha kushtet për heqjen e vizave, pasi sipas tij, qytetarët shqiptarë e meritojnë të lëvizin pa vështirësi në hapësirën Schengen. Leterme, vendi i të cilit merr presidencën e radhës së BE-së nga 1 korriku i këtij viti, theksoi gjithashtu se brenda fundit të vitit Komisioni Evropian do të paraqesë opinionin për kandidaturën e Shqipërisë. “Unë mendoj se në te ardhmen anëtarësimi i plotë, i Shqipërisë në BE mund të jetë një ndër faktorët kryesorë të stabilitetit në rajon. Kjo është në interesin e qytetarëve të Shqipërisë dhe të vendeve anëtare të BE-së. Për këtë qëllim, ne zhvilluam bisedime shumë intensive këtë mëngjes, lidhur me opinion që Komisioni Evropian duhet të paraqesë në fund të vitit, mbi aplikimin për anëtarësim të plotë të Shqipërisë në BE”, u shpreh më tej Leterme. Ai vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve në disa fusha, teksa shtoi se ka ende nevojë për përmirësim në marrëdhëniet tregtare, ekonomike dhe në turizëm. Nga ana e tij kryeministri Berisha vlerësoi mbështetjen që Belgjika po ofron në heqjen e vizave dhe përmbylljen e pyetësorit. “Kryeministri Yves Leterme është kryeministri i parë që më ka dhënë lajmin në Bukuresht për miratimin e ftesës për Shqipërinë dhe sot, më ka garantuar se do të kemi mbështetjen e tij të plotë në procesin e integrimit evropian dhe liberalizimin e vizave. Kryeministri Leterme premtoi se është i gatshëm që qeveria e tij të na ndihmojë me ekspertizë në të gjithë çështjet e pyetësorit, i cili duhet t’i dorëzohet Komisionit Evropian, gjatë muajve që vijnë”, tha kreu i qeverisë shqiptare. Në të njëjtën kohë ai bëri të ditur se dy vendet janë duke përfunduar hartimin e marrëveshjes për riatdhesimin e të dënuarve dhe njohjen e sigurimeve shoqërore. “Po finalizohet marrëveshja për kthimin e të burgosurve në Shqipëri. Unë e sigurova Kryeministrin Leterme që do të firmosim çdo marrëveshje me Mbretërinë e Belgjikës dhe me çdo vend tjetër anëtar të Bashkimit Evropian, në interes të luftës më efikase dhe me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Po punohet për një marrëveshje tjetër të rëndësishme në fushën e sigurimeve shoqërore. Shpresoj se së shpejti do të procedojmë me një marrëveshje në fushën e arsimit, fushë, e cila përbën një përparësi të madhe për qeverinë time”, theksoi Berisha.