Shehu: Ligji i ri për fondin e pronave s’do bëjë çudira
Komisioni i Ekonomisë ka diskutuar dje projektligjin “Për krijimin e Fondit të Kompensimit të Pronave”. Pjesë e debatit fillimisht është bërë çështja e kompetencës së ministrive përkatëse duke qenë se ky projektligj mban firmën e Ministrisë së Drejtësisë. Deputeti Shefedin Shehu shprehu shqetësimin se ligjin për fondet speciale e propozon vetëm ministri i Financave. “Fondet speciale janë praktika më e keqe e buxheteve dhe për këtë arsye në të gjithë botën kjo behët vetëm me firmën e ministrit të Financave” u shpreh ai. Por nga ana e kryetarit Spaho kjo është cilësuar vetëm si një çështje juridike e ezauruar që në momentin që e ka miratuar Këshilli i Ministrave. Duke lënë mënjanë këtë debat komisioni ka dëgjuar relacionin e Ministrisë së Drejtësisë lidhur me fondin e kompensimit të pronave. Edhe pse është vlerësuar pozitivisht kjo nismë, sërish nga ana e deputetëve ka pasur debate. Edhe një herë Shefedin Shehu është ndalur në atë çka synohet me këtë ligj. “Unë e vlerësoj si projektligj për qëllimin që ka por nuk duhet ta trumbetojmë sikur ky ligj do të bëjë çudira sepse ky është një ligj që merret thjesht me administrimin e të ardhurave që iu shkojnë ish-pronarëve për kompensimin e pronave të tyre” tha ai. E reja e këtij ligji sipas Shehut është thjesht fakti që mundësohet ndarja e fondeve brenda vitit buxhetor dhe kjo shpërndaje tani mund të shkojë dhe përtej vitit buxhetor.