Stojku: Do arkëtojmë 9 milionë euro nga shitja e energjisë
KESH ka vazhduar të ruajë kuotat e prodhimit në nivelin 26 milionë kwh në ditë duke eksportuar rreth 7.5 milion kwh. Këto detaje i ka bërë të ditura dje drejtori i Korporatës Muharrem Stojku në një konferencë për shtyp ku mes të tjerash ka dhënë edhe shifrat e arkëtimeve nga eksporti. “Nga eksporti i energjisë kemi siguruar rreth 12 milionë euro në janar dhe pritet të sigurojmë rreth 9 milionë euro këtë muaj. Muajin e ardhshëm parashikojmë që energjia të shitet me çmimin e rreth 42 euro për megavat orë që është edhe bursa greke në këto kohë” shtoi Stojku. Duke ju referuar tenderëve drejtori i Korporatës shtoi se në to marrin pjesë zakonisht rreth 28 kompani të ndryshme, çeke sllovene apo edhe greke. “Këto kompani ftohen në tender, i cili zhvillohet në javën e fundit të muajit, pasi kjo javë përcakton saktë rezervën hidrike dhe situatën” tha ai. Duke i bërë një përmbledhje situatës aktuale në liqenet e kaskadës së Drinit drejtori i KESH shtoi se Fierza është në kuotat normale prej 287 metra dhe po brenda normalitetit është situata edhe në liqenet e tjerë të kaskadës. Duke ju referuar kësaj situate hidrike ai shtoi se edhe në mars do të ruhen të njëjtat kuota prodhimi dhe do të vazhdojnë eksportet. “Në mars do të eksportojmë 225 milionë kilovat orë gjatë gjithë muajit. KESH zhvillon tender çdo muaj në varësi të situatës hidrike. Rreth 67 për qind të konsumit, duke përjashtuar humbjet ne ia japim OSSH” vazhdoi kreu i KESH. Duke vazhduar më tej me perspektivën Stojku shtoi se në muajt e thatësirës KESH ka parashikuar të prodhojmë aq sa i duhet OSSH-së. Aktualisht dy kompanitë KESH dhe OSSH janë në një proces të bërjes së bilanceve mes detyrimeve të njëra-tjetrës. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes nën pronësinë e CEZ Grup një pjesë të energjisë e merr nga Korporata si detyrim që lind nga kontrata e fillimit. Po kështu KESH ka edhe marrëdhënie shkëmbimi me Kosovën çka i lejon eksportimin e energjisë në momentin e tepricave dhe kthimin e saj në momentet kur është e nevojshme.
bilanci i kesh
Prodhimi shkurt 26 milion kwh në ditë
Eksporti shkurt 7.5 milion kwh në ditë
Eksporti mars 225 milion kwh
Energjia për OSSH 67 për qind
Arkëtimet janar 12 milion euro
Arkëtimet shkurt 9 milion euro
çmimi në mars 42 euro për Mwh