Parlamenti sanksionon votën e hapur, terror tek e majta, që shpresonte në pazare kulisash

Kuvendi ka votuar me 73 vota “pro”, ndryshimet në rregullore, të cilat sanksionojnë votën e hapur për të gjitha ato procese që kërkojnë qendrime politike. Si gjithmonë, opozita gjendet në anën e humbësit dhe sërish zgjedh rrugën e arratisjes, rrugën e braktisjes së seancës plenare
Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi dje punimet e seancës plenare.
Pjesë e rëndësishme e diskutimeve të seancës së djeshme, ka qenë miratimi i ndryshimeve në rregulloren e funksionimit të Parlamentit.
Me 73 votat e deputeteve të mazhorancës, kuvendi miratoi ndryshimin e rregullores së tij.
E gjithë seanca u karakterizua nga përplasje të forta mes deputeteve opozitare dhe atyre të mazhorancës për dekretet e presidentit
Në fillim të debatit, deputeti i Partisë Demokratike, Viktor Gumi tha se, ndryshimet në rregullore sjellin një përmirësim të dukshëm në procedurat parlamentare, rrisin transparencën e vendimmarrjes së Parlamentit dhe llogaridhënien.
"Nisma për votimin e hapur kërkon të thyejë një mentalitet, ndaj duhet të shprehim besim në përzgjedhjen që bëjmë përmes votimit të hapur dhe nominal për dekretet e Presidentit", tha Gumi.
Sipas tij, votimi i hapur i dekreteve presidencialë është një procedurë që i përgjigjet zhvillimeve të parlamentit shqiptar dhe amendamentet e paraqitura nuk kanë përmbajtje antikushtetuese dhe as janë në shkelje të ligjit.
Deputetet e opozitës nuk ishin në sallë pasi kishin njoftuar pas disa orë replikash të forta se jo vetëm nuk do të japin votat për të ndryshuar rregulloren, por as nuk do të ishin të pranishëm në këtë votim.
Largimit të deputetëve të majtë i parapriu fjala e kryetarit të grupit socialist, Gramoz Ruçi, i cili tha se opozita nuk do të bëhet bashkëfajtore me këto ndryshime të rregullores së Kuvendit.
"Amendimi i rregullores e lë krizën politike në vend të pazgjidhur dhe përmes saj synohet goditja e integritetit politik të deputetëve", u shpreh kreu i grupit socialist, ndërsa më pas së bashku me kolegët e tij u largua nga salla.
Më pas, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, duke mbrojtur ndryshimet në rregullore tha se ato sjellin një frymë të re në Kuvend.
Amendimi i rregullores, që është dhe dokumenti themelor i funksionimit të Kuvendit, synon votimin e hapur të dekreteve të Presidentit, ndryshe nga deri më sot, kur votimi i tyre bëhej me kuti ose i fshehtë me elektronikë.
Ky ndryshim parashikon gjithashtu dhe ndryshimin e afateve kohore të shqyrtimit dhe votimit të dekreteve të Presidentit në Kuvend, nga tri javë që është aktualisht, në tetë javë.
Përgjatë katër orëve debat mazhoranca dhe opozita u pozicionuan kundër në qëndrimet e tyre për amendimet në fjalë. Shumica në Kuvend mbron votimin e hapur të dekreteve presidencialë, që sipas saj, është një procedurë që i përgjigjet zhvillimeve të parlamentit shqiptar. Sipas saj, amendamentet e paraqitura nuk kanë përmbajtje antikushtetuese dhe as janë në shkelje të ligjit.
Gjatë diskutimeve në Këshillin e Rregullores të këtyre amendimeve, mazhoranca dhe opozita janë pozicionuar kundër, pa mundur të gjejnë konsensus për ndryshimet e propozuara.
Ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, sipas nenit 117 të saj, miratohen me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.