E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arroganca vrastare

Arben Malaj 

Përpara se të marrësh një vendim duhet të ndërgje-gjësohesh për impakin e tij social”. Kjo është këshilla që u jepet drejtuesve të kompanive të vogla apo të mëdha, drejtuesve të kompanive publike komunave, bashkive, ministrive apo edhe qeverive. Lajmi i djeshëm se një familjar fatkeq që kishte humbur fëmijën e tij të dashur në tragjedinë e Gërdecit, vret veten pasi e pushojnë nga puna, është tronditës. Ky rast tregon një sëmundje të rëndë të shoqërisë shqiptare, arrogancë vrastare të disa individëve të veshur me pushtet.
Si është e mundur që pushohet nga puna një fatkeq, i cili meritonte më shumë se kushdo tjetër një përkujdesje të veçantë të ambientit shoqërore ku punonte, meritonte ligjërisht asistencë falas për gjendjen e tij të rëndë psikike, meritonte ngrohtësinë e ambientit shoqëror ku punonte dhe banonte.
Pak kohë më parë media zbuloi një tragjedi tronditëse, disa raste fëmijë dhe të rritur me probleme të sëmundjeve të tyre, të cilat në mungesë të përkujdesit shëndetësor, mbaheshin me dhjetëra vite të lidhur me zinxhirë dhe në kushte të tmerrshme.
Rasti i djeshëm është tronditës, por ai mund të mos jetë i vetëm. Ai rast duhet hetuar së pari nga media. Të hetohet pse pikërisht ky fatkeq duhej të pushohej nga puna? A ishte pushimi i tij nga puna mundësia e vetme, edhe sikur të kishte vështirësi në përmbushjen e punës tij për shkak të tragjedisë së tij familjare. Pse ky familjar fatkeq u braktis nga kujdesi i detyrueshëm për të asistuar në gjendjen e tij të rënduar shëndetësore? U pushua për shkurtim vendesh pune? U shkurtua për të hapur një vend pune për një militant?
Një investigim transparent dhe një sensibilizim publik duhet bërë. E njëjta gjë ndodh në ristrukturimin e kompanive publike, largohen specialistë thjeshte për të hapur vende pune për militantë. E njëjta arrogancë u konstatua gjatë fushatës së fundit elektorale, ku abuzimet me ndihmën ekonomike u bënë pjesë e presioneve elektorale. E njëjta arrogancë konstatohet me pushimet nga puna për preferenca partiake.
Rasti konkret është tragjik. Çfarë rëndësie ka emri konkret i kryetarit të komunës, bashkisë, ministrit apo kryeministrit që duke abuzuar me pushtetin qeveritar të pushon nga puna, të ndërpret ndihmën ekonomike, të vret, të vret shpresën, të vret të ardhmen, të çon deri në veprime tragjike si rasti i fundit.
Ndoshta partitë politike tremben të distancohen publikisht prej tyre, ndoshta qeveritarët tremben të zbulojnë përmasat e këtij fenomeni dhe t’i penalizojnë jo vetëm moralisht këta vrastarë me pushtet.
Media dhe opinioni publik mbeten mundësitë më të mira për të luftuar këtë fenomen, media duke investiguar dhe bërë publike përmasat e fenomenit dhe viktimat e kësaj arrogance vrastare.
Opinioni publik mund të kontribuojë duke reaguar kundër forcave politike dhe qeverive vendore apo qendrore që vret me arrogancën e saj.
Ky rast duhet të hetohet edhe nga vetë qeveria. Duhet të hetohet në mënyrë të pavarur nga Prokuroria. Këta persona me pushtet arrogantë dhe pa asnjë ndjenjë prindërore, pa asnjë sensibilitet social për veprimet e tyre duhet të penalizohen, moralisht, politikisht dhe ligjërisht.
Ky rast tragjik është një test për të gjithë politikën dhe shoqërinë tonë. Jo rrallë raste të veçanta kanë zbuluar problem apo sfida të rënda për shoqëritë në vende të ndryshme.
Në qoftë se ajo forcë politike që e ka mandatuar nuk e denoncon publikisht, në qoftë se qeveria që e paguan nuk e heton dhe në qoftë se rezulton fajtor nuk e penalizon, atëherë duhet të trishtohemi, sepse kriza më e rëndë, kriza e vlerave njerëzore në ambientin tonë politik dhe shoqëror fatkeqësisht pranohet si normalitet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›