E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Kutitë ose zgjedhje të reja

 

Vlorë/ Qemal Biraku

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama u bëri thirrje shqiptarëve të mblidhen në 20 nëntor për të detyruar kryeministrin të bëjë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Rama deklaroi nga qyteti i Vlorës, në protestën e radhës të opozitës, se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme nëse nuk hapen kutitë. “I them sot nga Vlora Sali Berishës, do të fundosesh me turp në batakun, ku po e zhyt përditë nga pak Shqipërinë, njësoj si atëherë kur u kërkoje shqiptarëve të ishin të lumtur me piramidat e me pasqyrat e tua. Por, ndryshe nga atëherë, Shqipëria nuk do të fundoset bashkë me ty, sepse po nuk i hape rrugën lirisë dhe demokracisë duke hapur kutitë e 28 qershorit, do detyrohesh t’i hapësh ti vetë rrugën Shqipërisë shumë më përpara sesa ç’mund të të duket sot, kur u flet broçkulla shqiptarëve nga kutia e mbyllur e Parlamentit për jetën e lumtur që bëjnë. Do të duhet të largohesh me zgjedhje shumë të parakohshme, Sali Berisha”, i bëri apel Rama nga Vlora.
Kreu socialist, duke i dhënë përgjigje zërave që janë kundër bojkotit dhe protestës së opozitës, tha se ajo është një zgjidhje e imponuar. “Bojkoti i Parlamentit nuk është zgjedhja jonë, por e vetmja rrugë që kemi sot për të mbrojtur demokracinë nga një deformim dramatik me bazë deformimin zgjedhor. Asnjë protestë nuk është zgjedhja e lirë e atyre që protestojnë. Por vetëm një rrugë për zgjidhjen e një problemi, që nuk dëgjon nga ata që duhet ta zgjidhin. Lëvizja jonë e protestave qytetare nëpër Shqipëri nuk ka lindur nga ndonjë dëshirë e jona për t’u grumbulluar qytet më qytet, madje edhe nën shi e në të ftohtë dhe për të folur për demokracinë, ndërkohë që vendi shkon në drejtimin e duhur”, tha Rama. Sipas tij: “Kjo lëvizje që ka bashkuar socialistë, progresistë e liberalë, të majtë e të djathtë, është një zgjedhje e detyruar patriotike nga gjendja e rëndë e demokracisë në vend, pas deformimit të votës së lirë nën presionin e shtetit të bërë njësh me pushtetin”. Kreu socialist u shpreh i qartë në kërkesat që ka opozita për të zgjidhur krizën. “Këtu jemi, prej kohësh kemi bërë të qartë çfarë kërkojmë dhe nuk është faji ynë që të tjerët kanë kujtuar ose kanë dashur të kujtojnë se kjo është një lojë politike e zakonshme, për interesa të vogla dhe pa gjasa që të zgjasë shumë”, tha Rama. Sipas tij, opozita është e gatshme të bashkëpunojë për të gjetur zgjidhjen. “Megjithatë ne jemi këtu për të ofruar në çdo çast kur ka dëshirë e vullnet nga pala tjetër, kontributin tonë që kërkesat tona të kuptohen drejt edhe nga ata që s’kanë dashur apo s’kanë mundur t’i kuptojnë”, u shpreh Rama para protestuesve vlonjatë. Kreu socialist tha dje se kërkesat e opozitës nuk bëhen për interesa të vogla partiake apo personale. “Ne nuk hyjmë në Parlament dhe nuk do të hyjmë në  Parlament për t’u bërë bashkëfajtorë në mbylljen e syve përpara të vërtetës dramatike të 28 qershorit dhe për të mbyllur, kushedi për sa vite të tjera mundësinë që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Rama. Për herë të parë me protestën e opozitës është bashkuar edhe kreu i PDK-se Nard Ndoka, i cili deklaroi se: “Qeveria e ngritur mbi vjedhjen e votës të largohet sa më shpejt”. “U bëj thirrje që më 20 nëntor në Tiranë t’i japim fund kësaj klike dhe të tregojmë se shqiptarët kanë forcë për të kërkuar votën e tyre. Kjo është një maxhorancë që ka ardhur momenti të bllokohet dhe kjo bllokohet vetëm me anë të protestës në Tiranë”, tha Ndoka.

Ruçi: “Me ne janë bashkuar të gjithë opozitarët”
“Që pas 65 vjetësh do kishin qeveritarët më të korruptuar, këtu në qytetin e  pavarësisë, në qytetin e lirisë dhe demokracisë këtë askush nga ne nuk e kishte menduar. Janë arsye më shumë që neve sot këtu na u bashkuan Nard Ndoka, se shpirti demokristian është për liri dhe demokraci, për të vërtetën, ja pse na është bashkuar Spartak Ngjela, se 15 vjet burg, nuk i fali për këtë liri, por për standarde të lira dhe të drejta, ja pse është kreu i G99, se rinia shqiptare nuk u ngrit për këtë demokraci. Kauza për transparencën e votës, për luftën kundër korrupsionit, krimit, është kauza e të gjithë shqiptarëve. 20 nëntori na thërret për transparencën e votës, prandaj ejani vlonjatë. Ju bëj thirrje të gjithëve, që në 20 nëntor të vini në Tiranë, për të hapur kutitë, që Berisha do t’i mbajë të mbyllura”.

Ngjela: “Në 20 nëntor do përballemi me sali Berishën”
“Koha ju kërkon ndihmë për t’i dhënë fund më 20 nëntor në Tiranë tiranisë së tij. Në këto momente, gjithë historisë tonë po i bëhet një agresion total. Ne drejtohemi nga një uzurpator që ka qenë në kulimin e gëzimit kur njerëzit e mençur të këtij vendi thoshin kohë e tmerrshme për të qenë gjallë, ky është njeriu që gëzohet me tragjedinë tonë, po do ta vëmë para më 20 nëntor të këtij muaji. Pasi të mbarojmë punë me Berishën do t’i drejtohemi bashkiakut të Himarës që t’i tregojmë se ku i ka kufijtë Shqipëria. Sali Berisha fshihet pas vendimit të gjykatës. Por cilës gjykatë?! Cili është ai ndërkombëtar që thotë se e keni të pavarur sistemin gjyqësor. Duhet t’i themi stop kësaj tiranie, e cila nëse nuk frenohet do na grabisë dhe për dekada të tjera të ardhmen tonë”, u shpreh kreu i PLiDr.

Legisi: “Pushteti nuk mbahet me hajdutllëqe” 
“Unë ju bëj thirrje të gjithë atyre qytetarëve që u mashtruan nga Ilir Meta që do të rrëzonte Berishën, e tani po lufton si një kukull për ta mbajtur atë në pushtet. Jam këtu për t’i thënë Metës se nuk mundet të mbahet me zor një pushtet, me hajdutllëqe si p.sh., tuneli i Kalimashit që u shemb 4 muaj mbasi u inaugurua. Jemi këtu për t’i thënë Saliut e Metës se nuk mund ta shesin votën e shqiptarëve. Ndaj ne duhet të qëndrojmë fort sepse ky qytet, ky shesh do të luftojë fort. Prandaj unë i them këtij pushteti se nuk mund të trafikojë vota siç ka bërë për 18 vjet me radhë, prandaj unë ju falënderoj të gjithëve e ju lë takimin në Tiranë në 20 nëntor në protestën e madhe”, u shpreh ish-anëtari i kryesisë së LSI-së. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›