Rama me ndërtuesit: Plani, i Tiranës, peng i KRRTRSH
“Plani Rregullues i Tiranës mbetet peng i vendimit të KRRTRSH-së. Vonesa të tilla të paarsyeshme nuk bëjnë gjë tjetër veçse thellojnë krizën ekonomike, ndaj qeveria duhet ta miratojë sa më shpejt”, këtë deklaratë bëri dje kryebashkiaku Edi Rama gjatë nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me Shoqatën e Ndërtuesve. Këta të fundit kërkuan stimulimin e biznesit dhe heqjen e barrierave penguese e burokratike, të cilat shpesh herë ndodhin edhe brenda Bashkisë së Tiranës. Ata garantuan se do të përmirësojnë standardet e ndërtimeve urbane, duke zbatuar kuadrin ligjor dhe etikën profesionale në ndërtim. Memorandumi i nënshkruar dje ka për qëllim hedhjen e një hapi përpara në respektimin e transparencës gjatë ushtrimit të funksioneve publike. Nga ana tjetër, gjatë takimit Rama preku edhe çështjen e titujve të pronësisë dhe të drejtave të pronës dhe pronarëve. “Unë nuk mund të rri pa përmendur problemin e krijuar së fundmi në qendër të Tiranës, i cili është një çështje simbol, e asaj që ndodh sot me titujt e pronësisë. Nuk ka shfaqje më të patolerueshme, se ajo që qeveria dha e po vazhdon të japë në qendër të Tiranës, ku u shfaq si grabitëse e një prone private dhe zaptuese e një territori nën juridiksionin kushtetues dhe ligjor, me një alibi e cila ndryshoi tre herë brenda tri ditësh” ,tha Rama. Duke u ndalur më gjatë te Plani Rregullues i Tiranës, Rama theksoi se tanimë ai ka kapërcyer të gjitha instancat lokale, duke marrë OK dhe mbetet vetëm për miratimin e KRRTRSH-së. “Shqipëria është në një krizë ekonomike dhe kompanitë e ndërtimit, komuniteti i ndërtuesve është pa as më të voglin dyshim, pika ku çdo qeveri e arsyeshme dhe e përgjegjshme duhet të kapet, për të bashkëpunuar në funksion të përballimit të krizës. Lënia pa punë e kompanive të ndërtimit, në kushtet e kësaj krize që po troket përditë e më fort në dyert e familjeve shqiptare është mungesë e plotë vizioni për përballimin e saj”, tha Rama. Ai e ka cilësuar si një hallkë të tepërt dhe shkelje të autonomisë vendore procesin vendimmarrës përfundimtar nga KRRTRSH. “Së dyti miratimi është kthyer në domosdoshmëri pasi si shoqëri, ne mbetemi peng i një zhvillimi tërësisht të pakontrolluar e të paorientuar, që po vazhdon të rrisë koston e së nesërmes dhe në radhë të parë, nga mungesa e një ligji të përshtatshëm me këtë kohë dhe me këto sfida që shteti ka përballë, sfida që shteti po i humb përditë”, theksoi kryebashkiaku. Sipas tij, roli i shoqatës së ndërtuesve është mjaft i rëndësishëm në funksion të përfaqësimit të duhur. “Kam bindjen se kjo shoqëri do të shpëtojë përfundimisht nga të gjitha makthet e të kaluarës, në momentin kur sipërmarrësin do ta vërë në piedestal, kur bota e sipërmarrjes nuk do të jetë më një satelit që në mënyrë të dhunshme detyrohet të rrotullohet rreth botës së pushtetit”, theksoi Rama.