E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Nuk e thyejmë bojkotin, bëmë një apel për reflektim të PS

 

Lëvizja për mendimin ndryshe nëpërmjet Kastriot Islamit, i ka bërë thirrje opozitës të heqë dorë nga bojkoti dhe të kthehet në Parlament, në emër të integrimit në BE. Deputeti socialist Kastriot Islami tha dje se kërkesa e bërë një ditë më parë ka si qëllim reflektimin e grupit parlamentar socialist. “Ne kemi bërë një apel për të reflektuar. Ne nuk do ta thyejmë vendimin e PS, por i bëjmë apel që duke vazhduar protestat, të cilat janë një vendim komplementar i gjithë aktivitetit politik të PS, të ndërpresë bojkotin dhe të marrë pjesë në këtë eveniment të rëndësishëm për fatet e gjithë shqiptarëve”, u shpreh Islami. Duke iu përgjigjur interesimit të mediave, deputeti socialist tha se nuk do të dalë kundër qëndrimit të shumicës dhe nuk do të hyjë në Parlament pa miratimin e saj, por kërkon që Partia Socialiste të rikthehet në Kuvend vetëm në emër të integrimit. Deputeti i majtë shton se është pro hapjes se kutive, por kundër bojkotit në këto momente kaq të rëndësishme për vendin, kur të gjithë po i drejtojnë opozitës të njëjtën thirrje, të kthehet në Parlament.
“Apeli që i bëj Partisë Socialiste vjen pasi kjo parti ka dhënë kontribut në 8 vjet. Ajo e ka filluar procesin për integrimin në BE, prandaj le të vazhdojë të jetë ende prezente kur ky proces të finalizohet”, deklaron ai. Islami kthimin e opozitës në Kuvend e justifikon vetëm me vendimin që BE do të marrë ditën e hënë, vendim nga i cili varet e ardhmja e Shqipërisë në BE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›