E Diel, 1 Nëntor 2026

Gates pret Imamin në Pentagon, vlerësohet kontributi në Afganistan

 

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Arben Imami, u prit dje në Pentagon nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates. Sipas njoftimit për median, takimi ka zgjatur mbi 30 minuta, ku janë biseduar një sërë çështjesh që lidhen me angazhimin e Shqipërisë në Afganistan në kuadër të NATO-s, zhvillimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura, demilitarizimin dhe asgjësimin e municioneve dhe shumë çështje të tjera. Sekretari Robert Gates ka falënderuar ministrin Imami për prezencën e Shqipërisë në Afganistan dhe për kontributin që po jep vendi ynë atje dhe në shumë vende të tjera ku jemi angazhuar. “Shqipëria është e angazhuar në Afganistan duke iu përgjigjur thirrjes së SHBA-së dhe Aleancës. Ne jemi angazhuar përgjatë zgjedhjeve në Afganistan me një kompani, e cila do të qëndrojë atje. Po dërgojmë një skuadër mjekësore. Do rritet numri edhe me disa oficerë që do të shkojnë atje”, tha Imami. Ndërkohë ministri më tej u shpreh se është biseduar me Sekretarin Gates edhe për rritjen e kapaciteteve operacionale të Forcave Ushtarake Shqiptare. “Ajo që është më e rëndësishme është fakti që do të rritet kapaciteti operacional i Forcave tona të Armatosura. Kemi dy programe shumë të rëndësishme, njëri prej të cilëve me Gardën Kombëtare të Nju Xhersit, për të krijuar një grup trajnimi, i cili do të rrisë ndërveprueshmërinë e Forcave tona të Armatosura. Gjithashtu po punojmë për një program tjetër shumë të rëndësishëm. Një skuadër speciale e Forcave tona të Armatosura do të jetë e gatshme të dalë në terren së bashku me Forcat e Armatosura të SHBA-ve”, u shpreh ministri i Mbrojtjes. Përsa i përket angazhimit të Shqipërisë në vendet në konflikt, ministri i Mbrojtjes tha se, “sekretari Gates i është mirënjohës Shqipërisë për gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në mbrojtje të lirisë dhe sigurisë globale”. “Sekretari Gates na falënderoi për gatishmërinë që Shqipëria dëshmon për t’u angazhuar kudo që NATO angazhohet për të garantuar lirinë dhe sigurinë globale. Pata falënderime të përzemërta për këtë politikë të Shqipërisë”, tha ministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›