E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur pasionet ballkanase vijnë përsëri

Arta Seiti 

Në 5 nëntor, Shoqata e  Marrëdhënieve Ndër-kombëtare të Universitetit të Shkencave Politike në Paris organizoi një konferencë me temë: “E ardhmja Europiane e Ballkanit”, ku ishin ftuar drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Europian  z.Pierre Mirel, ambasadori kroat z.Mirko Galiç, ambasadori serb z.Dusan Batakoviç dhe ambasadori shqiptar z.Ylljet Aliçka, të akredituar në Francë. Debati zhvillohej vonë në darkë e për çudi rruga ishte e bllokuar me policë e makina policie. Një mendim i paqartë më rreku, megjithëse e mësuar me debate të tilla tashmë në Paris. «Ballkani» e krijonte këtë rrëmujë? Të ftuarit kryesorë? Më pas, realizova, duke hyrë në ndërtesën e Fakultetit të Shkencave Politike që ishte një shkak tjetër… debati që është hapur në Francë mbi identitetin kombëtar kishte ndezur studentët që klithnin me rastin e ardhjes në po atë orë e ndërtesë të ministrit të Imigrimit, Integrimit e Identitetit Kombëtar të Francës, z.Eric Besson. Një rastësi që përkoi gjithsesi me debatin tonë, me çështjet e kombësisë e të  identitetit, me çështjen e territorit e pikërisht me dy arsyetimet e kundërta: shikimin serb e shqiptar mbi Kosovën. Publiku i sallës përbëhej nga profesorë, studentë, kërkues, specialistë të çështjeve gjeopolitike, përfaqësues nga Ministria e Jashtme franceze dhe nga Ministria e Mbrojtjes. Debati u përqendrua kryesisht në vizionin evropian të Ballkanit Perëndimor, në kontekstin e botimit nga Komisioni Europian i “Strategjisë së zgjerimit” e «Progress Reports» më 14 tetor 2009.
Z.Pierre Mirel bëri një pasqyrë të detajuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke vënë theksin, së pari, tek sfida ekonomike dhe kriza buxhetore e kryesisht te problemet bilaterale që ekzistojnë akoma në Ballkan. Këto të fundit shfaqen si pengesa kur ato lidhen me çështjen e kufijve, duke veçuar pozitivisht Shqipërinë, e cila nuk ka një problem të tillë. Ndërkohë, ai pohoi se që prej paraqitjes së kandidaturës së Shqipërisë për anëtarësimin në BE, Gjermania  përbën tani për tani një pengesë.
Por do të përqendrohesha në ligjëratën e ambasadorit të Serbisë në Francë, një debat që për mendimin tim ishte i qartë, por i befasueshëm. Ky konstatim bazohet në këndvështrimin nacionalist e ideologjik të vjetruar, mbi të cilin ambasadori e mbështeti fjalimin. Në emër të Serbisë, ai fliste me shifra për serbët e shumtë në Bosnjë-Hercegovinë, në Republikën Serbe, në Malin e Zi. 
E ishim kthyer sërish mbrapa, në tezën e «Serbisë së madhe». Duke shënjuar «diskriminimin që iu është bërë serbëve» dhe «shpërnguljen me forcë të 66% të serbëve të Kosovës mbas periudhës së luftës në 1999», ai tregoi edhe një herë ndjenjën e viktimizimit që ekziston në Serbi. 
Në sallë dëgjoheshin akoma thirrjet e forta të studentëve që përkonin si jehonë e largët me lëvizjet studentore në Kosovë. Ai e ndërpreu për një çast fjalimin… i ngacmuar nga britma, për ta rifilluar: «Ne ia kemi dhënë provincën e Kosovës OKB-së për ta administruar…». Ishte e pavend, cinike përkrah statusit të pavarur të Kosovës e gjithë kontekstit ndërkombëtar.
Kjo analizë ishte katërcipërisht e mbështetur në një shprehje  etnike, të besimit fetar e tingëllonte dhe për nga forma,   përqeshëse.
Z. Ylljet Aliçka, ambasadori shqiptar në Francë, analizoi   prioritetin kryesor të Shqipërisë, integrimin në BE. Duke folur për liberalizimin e vizave, ai shtoi që Shqipëria nuk ka probleme të komuniteteve etnike, probleme kufijsh, e kështu ky akt ekonomik do të përbënte dhe një “liberalizim psikologjik” për Shqipërinë. Do të ishte edhe një herë “rënia e një muri”, “e murit të vizave”. Me një analizë të hollë, e duke theksuar raportin e mirë të fqinjësisë së Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor, ai vuri në pah me vend se një bashkëpunim me Serbinë do të sillte një impakt pozitiv në rajon. Lidhur me ligjëratën e ambasadorit serb, z.Aliçka theksoi me maturi që këndvështrimi i tij ishte etnik e fetar dhe analiza nuk mund të paraprihej nga një kriter i tillë. Nëse do të fillonim dhe ne të “numëronim shqiptarët» në Ballkan… 
Integrimi në BE duhet të jetë synimi ynë i përbashkët e jo ndasitë etnike e fetare, aq më tepër interpretimet në emër të tyre. Duke folur për Kosovën dhe për zgjedhjet e ardhshme të 15 nëntorit, ai evokoi që mospjesëmarrja e serbëve në zgjedhje nuk e ndihmonte kauzën evropiane. “Vlerat e një shoqërie demokratike në Kosovë do të përvijohen me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, pra, edhe atij serb. Ndaj qeveria e Kosovës i bën thirrje këtij komuniteti për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale dhe për ndalimin e funksionimit të strukturave paralele”. Ambasadori shqiptar vazhdoi më pas se shqiptarët e Kosovës “kanë orientuar energjitë drejt së ardhmes, pa treguar sa duhet për tmerret që serbët shkaktuan mbi to. Ende e vërteta e asaj që kanë bërë serbët në Kosovë nuk është shfaqur sa dhe si duhet”.
Ndër mesazhet që ambasadori Aliçka shkëmbeu me të ftuarit në sallë, ishte edhe përgjigjja që ai i dha një pjesëmarrësi në konferencë ndaj pyetjes lidhur me marrëdhëniet e qeverisë shqiptare me atë serbe, në një kohë që ende jehona e akuzave të Karla del Pontes për trafik organesh nuk është shuar nga atmosfera e propagandës serbe. Zoti Aliçka argumentoi absurditetin e akuzave të kësaj natyre, duke u nisur nga njohja vetjake e mjedisit të fshatit, ku presupozohet të jenë bërë ndërhyrje kirurgjikale për marrje organesh. Duke punuar shumë vite në atë fshat si mësues dhe duke njohur mjedisin, natyrën, madje dhe mentalitetin dhe brendësinë shpirtërore të asaj zone, ai theksoi që akuzat mbeten absurde dhe shteti shqiptar është i hapur në çdo rast për hetim ndërkombëtar.
* * *
Ishte vonë e britmat e studentëve kishin pushuar. Por pasionet, arsyetimet e kundërta ishin aty. Sonte i ndjeva në këtë sallë. Në mbarim, ambasadorët shtrëngonin duart, pa fjalë, e të gjithë ne buzëqeshnim miqësisht.

*Autorja është kërkuese për çështjet gjeopolitike e strategjike në Qendrën e Gjeostrategjisë dhe drejtuese e grupit të studimeve për Ballkanin në IPSE, Paris.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›