E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrogantë me uniformë

Patrullat e pergjithshme te Policise perbehen ne shumicen e rasteve nga te rinj qe kane vetem 6 muaj trajnim dhe qe sillen neper rruget e Tiranes sikur te ishin rruget e Los Anxhelesit. Lumenj ankesash qytetare per arrogance dhe brutalitet

TIRANË - Mungesë etike, kanosje, tejkalim kompetencash, arrogance, deri në mitmarrje... Këto janë shqetësimet e qytetarëve të Tiranës, të cilët çdo ditë dorëzojnë kallëzime penale ndaj punonjësve më të rinj të rendit, Patrullave të Përgjithshme. Drejtues automjetesh e njerëz nga më të ndryshmit shprehin çdo ditë në polici acarimet e tyre, nervat dhe shqetësimin që kanë rreth mënyrës sesi trajtohen. Një lumë deponimesh mbërrin çdo ditë në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm. Burime zyrtare pranë këtij organi bëjnë të ditur për gazetën “Korrieri”, se çdo ditë qytetarë të ndryshëm dorëzojnë kallëzime penale për punonjësit e patrullave. I akuzojnë në mënyrën më revoltuese të mundshme, për thyerje etike dhe tejkalim kompetencash. Në çdo orë të ditës apo në mesnatë njerëz të ndryshëm nuk ndalen këtu. I akuzojnë edhe për mitmarrje. Të njëjtat burime pohojnë se kohët e fundit ata po hetojnë raste shkeljesh për mitmarrje nga ana e të shënjestruarve. “Çdo ditë përballemi me njerëz të revoltuar, që vijnë të nevrikosur e të acaruar ngaqë janë konfliktuar me patrulluesit. I akuzojnë se s’dinë të sillen, të komunikojnë, por vetëm bërtasin dhe fyejnë. Madje kanosin, a thua se janë gati për të goditur”, - thonë burimet. Duke vijuar, ata nuk lënë pa përmendur se njerëz të ndryshëm deklarojnë që janë ndier të kërcënuar prej tyre, madje u kanë kërkuar edhe lekë. Burimet thonë se “po hetojmë mjaft raste mitmarrjesh dhe në rast se do të vërtetojmë që njerëzit kanë të drejtë, atëherë masat disiplinore do të jenë mjaft të rrepta për ta”.

Por, siç pritej, të një mendimi krejt tjetër janë burime pranë këtyre patrullave. Ata tregojnë se këta punonjës kanë ardhur në polici me një frymë të re, plot vullnet e korrektësi. “Punonjësit e patrullave janë përgatitur sipas një sistemi amerikan. Janë të rreptë, aspak tolerantë dhe shumë korrektë. Por mesa duket, njerëzit nuk janë mësuar me këtë frymë të policëve. Me policë që nuk korruptohen dhe që kërkojnë rregull. Prandaj dhe e kanë të vështirë të përshtaten me to”, - thekson burimi. Ndërsa i pyetur në lidhje me atributet që gëzojnë për vënien e gjobave për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, bëhet e ditur se “janë 10 nene të Kodit Rrugor, që i kanë kaluar si kompetencë Patrullës së Përgjithshme. Nene që kanë të bëjnë me tejkalim shpejtësie, kundravajtje, mosvënien e rripit të sigurimit, mosrespektimi i semaforit etj. Përpara disa muajsh ka qenë vetë drejtori i Përgjithshëm që i ka deleguar, në bazë të ligjit, disa kompetenca të Policisë Rrugore Patrullës së Përgjithshme”, - përfundojnë burimet.

Arsimimi

Çdo pjesëtar i Patrullave të Përgjithshme duhet të ketë mbaruar arsimin e mesëm, duhet të posedojë një patentë drejtimi automjeti dhe të jetë i përgatitur mirë fizikisht. Më pas ata i nënshtrohen një shkolle 6-mujore, kohë gjatë së cilës përgatiten sipas metodave “alla-amerikane. Pas përfundimit të shkollimit dalin në terren dhe patrullojnë. Shumë prej tyre, të porsaardhur nga zonat rurale ne realitetin metropolitan, nisin te besojne seriozisht se jane amerikane. Pasojat i vuajne qytetaret. Ankesat ndaj sjelljes arrogante te shume policeve “shkolle e re”, jane shnderruar ne nje shqetesim per vete Kontrollin e Brendshem ne polici, i cili po rishikon menyren e trajnimit te ketyre oficereve 6-mujore. Dhe dhenien atyre te atributeve te 10 neneve më kryesore të Kodit Rrugor. Çdo komisariat i kryeqytetit, sipas shtrirjes zonale, ka numrin e saj të punonjësve të patrullës, që janë në shërbim 24 orë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›