Zhduket Arben Sefgjini

TIRANË - Trokitjeve të panumërta në portën numër 12, në katin e tretë të një pallati në zonën që më parë quhej “Fusha e Aviacionit”, nuk u përgjigjet njeri. Po kështu as ziles së derës, as citofonisë e as telefonit personal të të zotit. Askush nuk e ka parë në pallatin e tij prej afro një jave, as atë dhe as njerëzit e familjes. Ndërsa kërkon pareshtur e pyet banorë pafund, vetëm një përgjigje mund të marrësh: Arben Sefgjini, një ndër personat kyçë të akuzuar për zhdukjen e Remzi Hoxhës më 21 tetor të vitit 1995, është “zhdukur” nga qarkullimi. Sefgjini ishte drejtori i Degës së Tiranës të Shërbimit Informativ Kombëtar, kur Hoxha u zhduk në mes të ditës, pasi u mor nga punonjës të shërbimit, sipas të gjitha dëshmive të familjarëve të Remziut, në vendin e tij të punës. I vetmi person që është në gjendje të japë informacione rreth tij është zëdhënësja e drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Brikena Bogdo. E kontaktuar nëpërmjet telefonit nga gazeta “Korrieri”, ajo përcjell shkurt dhe ftohtë deklaratën e ish-kreut të Shërbimit Informativ Kombëtar të Tiranës, i cili aktualisht është ndër drejtorët e kabineteve më të rëndësishme në Ministrinë e Financave. “Jam e autorizuar që të përgjigjem në emër të zotit Sefgjini, i cili pohon se as nuk ka dhënë dorëheqjen e as nuk ka ndërmend që të bëjë një gjë të tillë”, - përfundon prononcimi. Edhe pse Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka ndaluar atij dhe dy miqve të tjerë, Avni Koldashit dhe Budjon Meçes, lëvizjen jashtë territorit shqiptar, ish-kreu i Shërbimit të Fshehtë Informativ nuk ndodhet prej disa ditësh në banesën e tij në kryeqytet, në vendin e njohur si “Pallatet e Telebingos”. Katër ditë më parë, organi i akuzës për Krimet e Rënda pranoi implikimin e tij dhe tre shokëve të tjerë në zhdukjen e Hoxhës, përfshirë këtu dhe Kumbaron, i cili deri tani nuk është thirrur për shkak se gëzon azil politik nga drejtësia britanike. Dje është vendosur që asnjëri nga tre të akuzuarit që banojnë në Shqipëri nuk duhet të lënë për asnjë arsye vendin. Burime të besueshme pranë këtij institucioni bëjnë me dije, se kjo masë shtrënguese vjen si rezultat i nisjes së hetimeve dhe kalimit të dosjes pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila do të nisë së shpejti procesin hetimor në ngarkim të tyre. Deri tani, ende nuk dihet “fati” i Kumbaros, i cili duke përftuar nga privilegjet e azilit, mund të mos jetë i detyruar që të vijë gjatë procesit, mbase deri në një vendim që shteti anglez mund të vendosë për fatin e tij. Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Budjon Meçe, ky në gjendje jo të mirë shëndetësore, si dhe Avni Koldashi janë cilësuar nga Krimet e Rënda si persona që janë të implikuar në zhdukjen e Remzi Hoxhës, biznesmenit kosovar, më 21 tetor 1995 nga punishtja e tij në rrugën “Siri Kodra”.