Gërdeci, vazhdojnë andrallat

TIRANË - Në ditën e 36-të të hetimeve, grupi hetimor i çështjes së Gërdecit, i përbërë nga gjashtë prokurorë dhe dhjetë oficerë të Policisë Gjyqësore, po has një tjetër vështirësi në zbardhjen e çështjes. Bëhet fjalë për evidencat statistikore të municioneve që kanë dalë nga depot e ushtrisë për më shumë se një vit rresht dhe që me kamionët e ushtrisë janë transportuar drejt Gërdecit. Pikërisht sasia e këtyre municioneve ka vënë në vështirësi të madhe grupin e specializuar të hetuesve, pasi siç shpjegojnë burime pranë prokurorisë, ky dokumentacion kalon në pesë duar të ndryshme, duke respektuar shkallën hierarkie të ushtrisë. Është fakt tashmë, që për nxjerrjen e municionit nga depot e ushtrisë ekzistojnë të paktën tre urdhra të ndryshëm, që nisin nga Ministra e Mbrojtjes e deri tek Brigada e Armatim-Municionit. Të tre këta urdhra u drejtohen 26 depove në të gjithë Shqipërinë dhe kanë si objekt kalimin e municioneve ndërmarrjes “Meico”, në zbatim të kontratës për demontim dhe çmilitarizim që kishte me kompaninë amerikane “SAC”. Por pas ngjarjes tragjike të 15 marsit, prokuroria nisi kërkimet për evidencat e sakta të sasisë së municioneve që shkuan drejt depos së vdekjes. Këtu nis dhe lëmshi, për të cilin grupi hetimor nuk po gjen dot një zgjidhje përfundimtare. Janë procedurat e kalimit të dokumentacionit sipas shkallëve hierarkike të ushtrisë, ato që po pengojnë zbardhjen e një prej të vërtetave fillestare, pasi organi i akuzës deri tani ka mundur të evidentojë se dokumentacioni kalonte në të paktën katër duar të ndryshme. Evidencat për daljet e municioneve që mbante çdo oficer përgjegjës për depot e armatimit i dërgoheshin Brigadës së Armatim-Municionit, ndërsa kjo e fundit këto dokumente i përcillte në Batalionin e Armatim-Municionit dhe më pas është Seksioni i Armatim-Municionit në Drejtorinë Logjistike të Shtabit të Përgjithshëm, ajo që duhet t’i administrojë dhe të kontrollojë të gjithë dokumentacionin e përcjellë nga vartësit e saj. Megjithëse hetuesit kanë sekuestruar kopje të evidencave në të gjitha hallkat e strukturave ushtarake, rezulton se ka një mospërputhje mes evidencave fillestare të mbajtura nga oficerët e rolit bazë dhe atyre që janë gjetur në Seksionin e Armatim-Municionit në Drejtorinë Logjistike të Shtabit të Përgjithshëm. Ky lëmsh dokumentesh çoi dy ditë më parë në prokurori ish-shefin e Armatim-Municionit në Drejtorinë Logjistike të Shtabit, i cili për disa orë me radhë dha shpjegime për mënyrën e kalimit të dokumentacionit. Ilmi Laçi, i shkarkuar pak kohë më parë nga detyra, me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketës, sqaroi para hetuesve gjithë itinerarin që përshkruajnë dokumentet që vërtetojnë se nga depot e ushtrisë janë nxjerrë municione. Me gjithë shpjegimet e ish-drejtorit që ka si kompetencë kontrollin e këtyre dokumenteve, grupi hetimor përsëri nuk arriti të vërtetojë dyshimin e tij se në cilën hallkë të strukturës ushtarake mund të jetë ndryshuar informacioni.