Arsenal-Barça: Emirates Stadium është gati për spektaklin e madh
Arsenali i pathyeshëm në shtëpi, sfidon Barcelonën, që në transfertë nuk ka humbur kurrë. Ky është vetëm një nga detajet e rëndësishme, që e karakterizojnë ndeshjen e sotme në Londër. Djemtë e Arsen Venger do të përballen me kampionët e Europës mbrëmjen në të cilën Tierri Henri do të bëjë rikthimin për herë të parë në “Emirates Stadium”. Titi, golashënuesi më i madh në historinë e “Topçinjve” me 226 gola, kthehet në Londër pas lamtumirës në 2007-n. Prandaj për të do të jetë një ndeshje e veçantë. “është skuadra e zemrës, shpjegon ai. Jam shumë i emocionuar, do të jetë një ndeshje e çuditshme për mua. Kam një raport të veçantë me tifozët e Arsenalit, ata janë të jashtëzakonshëm dhe i mbështes gjithmonë. Tani jam edhe unë tifoz i Arsenalit”. Henri e pranon forcën e “Gunners”-ave: “është e vërtetë, janë të rinj, por edhe shumë kompetitivë. Si ne, edhe Arsenali, dëshirojmë ta mbajmë gjithnjë topin, është e vështirë të parashikosh se ç’do të ndodhë”. Venger është gati të japë mirëseardhjen. Po sigurisht nuk është Henri rreziku numër një, pasi Arsenali do të gjejë përballë njeriun më të fortë të momentit: Lionel Mesin: “Bëhet fjalë për një lojtar të madh, shton Venger. Një lojtar i aftë të marrë topin në mesfushë, të driblojë gjithë kundërshtarët dhe të shënojë, si të luante në oborrin e shkollës. Për herë të parë në jetën time nuk më mjafton një mbrojtës për të markuar një lojtar. Por ne duhet të synojmë të sulmojmë dhe t’i detyrojmë të jenë të tërhequr”. Elozhet e tjera për “Pleshtin” vijnë nga Niklas Bendtner: “Për mua Mesi është futbollisti më i madh në botë. Ka një vizion fantastik loje dhe ajo që arrin të bëjë teknikisht, është një çmenduri. Gjërat që bën me topin, me atë shpejtësi, janë të pabesueshme”. Arsenali është eliminuar në finalen e Champions 2006 nga Barcelona. Humbja e fundit e Barçës në transfertë daton në gjysmëfinalen e dy viteve më parë ndaj Mançester Junajtid. Edhe Guardiola e ka një plan: “Loja jonë është sulmi. Edhe sot do sulmojmë, sepse kjo është një mënyrë për të jetuar futbollin. Ne do të tregojmë se te cila lojë besojmë, s’ka rëndësi kush fiton apo humb”. Do të mungojë Injesta për katalanasit, i cili do të zëvendësohet nga Buskets, ndërsa në krahun tjetër një ish, kapiteni i Arsenalit, Fabregas, është në dyshim pas dhembjeve në këmbë. Gati për vendin e tij është Denilson. Në Londër është parashikuar shi, por ne do të shpresojmë që të fitojë argëtimi.
#