Arsenal armësh në shtëpinë e një 16-vjeçari
Lushnje-As uniformat blu nuk iu kanë besuar syve kur kanë shkuar për kontroll në banesën e 16-vjeçarit K.Z. nga qyteti i Lushnjes. Policia e ndiqte ate për vjedhje ndaj edhe i kontrolloi shtëpine, ku iu gjetën: Një automatik model 56, një pistoletë TT, një pistoletë e markës Ekol & Voltran Tuna, një armë automatiku, model ende i papërcaktuar nga policia si dhe tre krehra automatiku model 56, një krehër pistolete, disa fishekë të kalibrit 54 dhe 56.
Gjithashtu kontroll u ushtrua edhe në banesën e shtetasit Ramazan Zeneli, gjyshi i adoleshentit K.Z, ku edhe aty është gjetur një automatik model 56. Gjyshi, 76- vjeçar do të ndiqet në gjendje të lirë pasi nuk përbën rrezik për largim.
Drejtues të policisë së Lushnjes thanë se adoleshenti dyshohej për vjedhje bashkë me dy shokë të tij. “Ndaj edhe ushtruan kontroll në banesat e tyre, ku përpos sendeve të vjedhura, njërit prej tyre iu gjetën edhe disa armë”, thanë ata. Dje u vunë në pranga tre adoleshentët me inicialet K.Z, L.H dhe O.B, të tre nga qyteti i Lushnjes.