Banorët e Spitallës, protesta për ujin e pijshëm
Nisin protestat për ujin e pijshëm në Durrës. Si të mos mjaftonte rritja e temperaturave gjatë ditës së diel, që kërkon rritjen e nevojës për konsum më të madh të ujit të pijshëm, banorët e zonës janë përballuar me mungesën e tij. Dje, banorët e zonës së Spitallës kanë protestuar duke bllokuar edhe rrugën që lidh qytetin bregdetar me këtë lagje periferike veriore, tepër të rëndësishme për një pjesë të bizneseve. Rreth 150 banorë të zonës kanë protestuar kundër mungesës së ujit të pijshëm në shtëpitë e tyre dhe kanë paralajmëruar të tjera protesta në rast se situata nuk do të zgjidhet. Protestuesit bllokuan rrugën që lidh qytetin e Durrësit me Porto Romanon, duke mos lejuar kalimin e automjeteve në këtë aks rrugor. Sipas tyre, prej disa javësh u mungon uji i pijshëm në një kohë që temperaturat janë rritur ndjeshëm dhe nevojat për të janë dhe më të mëdha. Ata deklarojnë se janë konsumatorë të rregullt dhe që shlyejnë të gjitha detyrimet ndaj shërbimit që marrin nga Ndërmarrja e Ujësjellës- Kanalizimit në Durrës, po në këmbim të korrektesës së tyre janë ndëshkuar me thatësirë në tubacione dhe çezma. Shumë prej tyre shprehen se nuk do të shlyejnë më faturat pasi nuk kanë pse paguajnë për një shërbim dhe mall që nuk e kanë. Protesta e qytetarëve të zonës ka qenë e paralajmëruar dhe si rezultat i kaosit në trafik, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë të cilat bënë të mundur hapjen e rrugës dhe normalizimin e qarkullimit në të. Ndërkaq protestuesit u shprehën se nuk do t‘i reshtin protestat e tyre në kërkim të ujit, një elementi kaq të domosdoshëm për jetën dhe për shumë prej tyre fakti që jemi në një proces elektoral shihet si një kohë e favorshme, ndonëse e përkohshme për të pasur zgjidhjen e problemit të hershëm të tyre. Prej vitesh kjo zonë furnizohet me çezma kolektive, realizim i projektit të BB-së, ndërsa për një pjesë të tyre tubacionet janë shtrirë deri në shtëpi. Me gjithë investimet e kryera në zonë, furnizimi me ujë të pijshëm nuk është zgjidhur, ashtu si dhe në zonën e ish-kënetës ku beteja për ujin vazhdon. Edhe në qytetin e Durrësit ka nisur të ndjehet një furnizim më i kufizuar në orarin prej 2,5-3,5 orë në ditë. Ndërkaq probleme ka pasur edhe zona e plazhit ku si rezultat i ndëshkimeve kolektive mijëra apartamente dhe njësi shërbimesh turistike nuk janë furnizuar nga ujësjellësi duke i dhënë hapësirë edhe këtë vit lulëzimit të tregtisë së ujit të pijshëm në bregdet.