E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Fierit rehabiliton qentë, harron fëmijët e rrugës

"Bashkia e Fierit po përfundon një projekt, i cili në qendër të tij ka trajtimin më të mirë për qentë e rrugës". Kjo është deklarata e kryetarit të bashkisë Baftjar Zeqaj dhënë për gazetën "Shqip" menjëherë pas përfundimit të bisedimeve me një shoqatë amerikane, lidhur me të ardhmen e qenve të rrugës që janë bërë problem. Bashkia ka vendosur të mos i vrasë me kafshët e rrugës, por t‘i trajtojë ata në një qendër të posaçme. Kryetari i Bashkisë thotë se e ka ndërmarrë këtë nismë duke marrë parasysh edhe reagimet e qytetarëve, të cilët ishin kundër vrasjes së qenve. Por në qytetin e Fier ka shumë fëmijë që lypin rrugëve. Për ta bashkia nuk ka asnjë projekt dhe ka për këtë një justifikim mjaft origjinal: Lypësit nuk janë banorë të qytetit të Fierit. Po qentë?

Projekti për qentë

Sipas kryebashkiakut Zeqaj konfirmohet se në qytetin e Fierit nuk do të ketë më shfarosje të qenve të rrugës, por një trajtim të tyre në qendra sociale për kafshë endacake. "Dy vitet e fundit, ne si bashki nuk kemi ndërmarrë asnjë aksion për largimin apo shfarosjen e qenve rrugaçë. Kjo për faktin se vrasja e tyre është cilësuar si një metodë barbare dhe jo fort e pranueshme nga komuniteti. Më parë, me sezone të veçanta ne organizonim shoqatën e gjuetarëve për t‘i shfarosur, duke i vrarë qentë, ndërkohë që dy vitet e fundit nuk kemi mundur. Edhe pse janë shtuar së tepërmi lukunitë e qenve të rrugës, sërish ne si bashki nuk kemi ndërhyrë", thotë kreu i bashkisë.

Për projektin e ri, kryetari i bashkisë Baftjar Zeqaj ka sqaruar se ka nisur të hartohet një vit më parë dhe është menduar që qentë e rrugës të mblidhen në një qendër dhe të trajtohen atje.

"Por kërkimi i donatorëve dhe specialistëve na detyroi që të mirëpresim bashkëpunim me shtete e shoqata të huaja, të cilat kanë përvojë në trajtimin e këtyre rasteve. Aktualisht jemi në bisedime me një shoqatë amerikane për të ndërtuar një qendër sociale për pritjen e të gjithë kafshëve endacake, kryesisht qenve dhe maceve", thotë kryebashkiaku Zeqaj. Sipas tij, kjo qendër do të ndërtohet në një të ardhme shumë të afërt, duke i shpëtuar qytetarët nga bezdisja dhe vetë qentë nga vrasja.

Lypësit

Nuk është njerëzore të bësh krahasime, por në qytetin e Fierit ka edhe shumë fëmijë rrugësh. Ata lypin, herë të vetëm, herë bashkë me prindërit. Qëndrojnë në rrugët e pluhurosura më shumë se 12 orë në ditë, në shi e në diell, duke shtrirë dorën për pak të holla.

Oficerë të policisë së Fierit pohojnë faktin se po hetojnë disa raste kur persona të ndryshëm nxjerrin fëmijë të vegjël në rrugë për të lypur. Sipas burimeve të policisë, janë siguruar disa ankesa të tilla për persona që "menaxhojnë" të ardhurat e lypësve të vegjël.

Përveç fëmijëve, në rrugët e Fierit dalin çdo ditë edhe shumë lypës të rritur, që i gjen jo vetëm në qendër të qytetit, por edhe në rrugët e lagjeve.

Të ngacmuar nga projekti zemërgjerë për rehabilitimin e qenve, pyetëm në bashki nëse ekzistonte ndonjë projekt për rehabilitimin e lypësve, kryesisht fëmijëve. Por përgjigjja që morëm ishte krejt origjinale: të gjithë lypësit janë të ardhur në Fier dhe nuk ka asnjë banor të qytetit që të dalë në rrugë e të shtrijë dorën.

Departamenti i Strategjive të Zhvillimit në Bashki ka bërë një studim mbi këtë shtresë dhe burimet zyrtare të tij të thonë se "lypësit në qytetin e Fierit vijnë nga rrethinat. Ndërkohë që numri më i madh i lypësve është nga komuniteti rom, që e ka si traditë një punë të tillë".

Kryetari i Bashkisë së Fierit thotë se bashkia ka rritur numrin e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe kjo është bërë muaj pas muaji, por nuk ka asnjë projekt për trajtimin e lypësve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›