Arsenali gaboi me Van Persien

Legjenda e Arsenalit, Tony Adams mendon se klubi gaboi që shiti sulmuesin Robin van Persie në Manchester United dhe frikësohet se skuadra do të kalojë një tjetër sezon pa fituar asnjë trofe.
Në kërkim të titullit të parë nga viti 2005, Arsenali lejoi largimin e Van Persiet drejt Unitedit në marrëveshje me vlerë prej 24 milionë funtesh, gjatë afatit kalimtar të verës.
“Mendoj se shitja e Robinit ishte gabim i Arsenalit”, deklaroi Adams, ish kapiten i Arsenalit për BBC Sport. “Mendoj se ai mund të kishte luajtur edhe për katër ose pesë vite tjera. Shpresoj që ata të fitojnë gjithçka. Por, realisht mendoj se do të dështojnë sërish”, u shpreh ai.
Menaxheri Arsene Wenger, i cili trofeun e fundit me Arsenalin e fitoi më 2005 në FA Cup, me kalimin e sezonit mund të ndjejë mungesën e golashënuesit më të mirë nga edicioni i kaluar.
Van Persie realizoi 44 gola në 57 ndeshje për klubin dhe Kombëtaren para transferimit në Old Trafford gjatë verës. Reprezentuesi holandez kishte edhe një vit në kontratën e tij me Arsenalin por insistoi se nuk dëshiron të vazhdojë qëndrimin e tij në klub.
“Nuk do ta merrja atë vendim (për shitjen e Van Persiet)”, theksoi Adams gjatë një interviste për Football Focus të publikuar nga BBC Sport. “Sepse besoj se nëse dëshironi të fitoni tituj, ju nevojiten futbollistët më të mirë”, theksoi ai.
Adams po ashtu sugjeroi se ish partneri i tij në qendër të mbrojtjes Steve Bould mund të ketë telashe në rolin e ndihmës-trajnerit në Arsenal. Arsenali ka pranuar nëntë gola për dallim nga 17 në të njëjtën fazë të edicionit të kaluar dhe Bould është lavdëruar për përmirësimet në repartin defanziv. Por, secili prej pesë golave të pranuar u realizuan nga ndërprerjet.
“Është bekim por edhe mallkim për të”, tha Adams i cili shënoi 48 gola në 669 paraqitje gjatë 18 viteve që kaloi në Arsenal.
“Njerëzit do të thonë: ‘Çfarë mbrojtje e mirë’ sepse ai luajti në mbrojtje. Dhe, pas pranimit të një goli të gjithë do të kthehen tek ai, dhe do ta akuzojnë se nuk është duke bërë punë të mirë. Nga përvoja ime me Arsene Wengerin mund të them se ai është shumë ofanziv dhe do ta jetë shumë vështirë për Steven”, përfundoi Adams.