E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsenali hap dyert për kosovarët

Talentëve kosovarë u janë hapur dyert që t’i tregojnë vlerat e tyre edhe jashtë vendit. Këtë ua ka mundësuar ‘Sport Development Coaching’, që në bashkëpunim me gjigantin anglez, Arsenal, ka vendosur që ta hapë shkollën e futbollit në Prishtinë. Synim i tyre është që në Kosovë ta zbulojnë të paktën një talent, i cili do të mund të zinte vend në Akademinë e Arsenalit në Londër. Nga Valon Konushevci më 20 gusht 2011 në ora 12:07

Derisa futbollistët e Superligës së Kosovës thuajse e kanë të pamundur të bien në sy të klubeve të njohura evropiane, një mundësi e tillë u është ofruar grupmoshave të reja në vendin tonë.

Gjiganti i futbollit anglez, Arsenal në të ardhmen në radhët e veta mund ta ketë edhe ndonjë futbollist nga Kosova. Kjo pasi Topçinjtë kanë vendosur ta hapin shkollën e tyre të futbollit në Prishtinë, ‘Arsenal Soccer School’ (ASS), në bashkëpunim me ‘Sport Development Coaching’ (SDC).

Testimet e të rinjve për t’u regjistruar në këtë shkollë do të nisin të shtunën dhe ato do të përfundojnë pas tri ditëve. Ndërsa, puna në ASS zyrtarisht do të fillojë gjatë muajit të ardhshëm. Pra, pjesë e kësaj shkolle do të jenë vetëm talentët nga mosha 6 deri në moshën 14 vjeç.

“Kemi ardhur nga Arsenali sepse mendojmë se në Kosovë ka talentë të futbollit”, tha në një konferencë për media të mbajtur të premten në kryeqytet përfaqësuesi i ASS-së, Andrew Apostolou.

“Ne duam që të gjejmë talentë këtu, t’i zhvillojmë ata dhe t’i mirëpresim në komunitetin e Arsenalit. Shpresojmë që ta gjejmë të paktën një talent këtu, i cili do t’i plotësonte kriteret për të ardhur në prova në Akademinë e Arsenalit në Londër”, theksoi Apostolou.

Sipas tij, në këtë shkollë vazhdimisht do të punojnë pesë trajnerë të licencuar kosovarë bashkë me katër trajnerë të tjerë nga Londra- tre prej të cilëve do të ndërrohen me nga tre të tjerë, derisa Tony Gervaise do të jetë i përhershëm.

Në anën tjetër, zyrtari tjetër i kësaj shkolle, Bardhyl Sogojeva ka thënë se organizimi i gjithë kësaj ka qenë i vështirë dhe i mundimshëm. Sipas tij, objektivi kryesor i kësaj shkolle është zbulimi i një talenti, i cili do të zinte vend në Akademinë e Arsenalit.

“Po thonë që në Kosovë ka shumë talente. Të shohim. Ne duam ta gjejmë një talent special të cilin duam ta dërgojmë në Akademinë e Arsenalit”, u shpreh Sogojeva.

Ai tregon se interesimi i të rinjve kosovarë për t’u bërë pjesë e kësaj shkolle është shumë i madh. “Interesimi është tepër i madh. Kam pranuar deri në 200 thirrje telefonike brenda një dite”, pohoi Sogojeva.

Apostolou e Sogojeva kanë premtuar se ASS-ja do të ofrojë trajnim profesional për talentët kosovarë. Sipas tyre, puna në ASS do të bëhet në bazë të parimeve dhe metodologjive të cilat menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger i ka praktikuar në klubin londinez gjatë 14 viteve të punës së tij në këtë klub.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›