Kranjçar ‘përzë’ Beqirajn

Selektori i Malit të Zi, Zlatko Kranjçar ka publikuar listët e futbollistëve të ftuar për ndeshjen kualifikueses të Euro 2012 kundër Uellsit, që zhvillohet më 2 shtator në Cardiff, derisa i befasishëm është lajmi për mungesën e Fatos Beqirajt.
Sulmuesit pejan, i cili tash e dy vjet e gjysmë ka qenë vazhdimisht reprezentuesi i Malit të Zi, nuk do të udhëtojë për atë që konsiderohet si ndeshja më e rëndësishme e fushatës kualifikueses.
Sipas gazetës së përditshme malazeze Vijesti, janë shfaqur probleme në relacionin Kranjçar – Beqiraj. Thuhet se sulmuesi i Dinamo Zagrebit në pushimin mes pjesëve në miqësoren kundër Shqipërisë nuk ishte ngritur për t’u ngrohur, sepse ishte ankuar për një lëndim.
Mirëpo, vetëm tri ditë më vonë, 23-vjeçari kishte luajtur për Dinamo Zagrebin dhe kjo duket se e ka hidhëruar Kranjçarin, i cili duket se e fshiu emrin e Beqirajt nga lista.
Çka ka ndodhur në të vërtetë nuk e di askush. Trajneri kroat nuk e ka komentuar mungesën e ish-futbollistit të Besës derisa sulmuesi i ri ka mohuar të ketë mosmarrëveshje me Kranjçarin.
Mirëpo sipas medieve malazeze, në opinion flitet se Beqiraj është i hidhëruar që nuk luajti në ndeshjen kundër Bullgarisë, sepse kishte premtimin e selektorit se do të jetë titullar në këtë takim, por edhe në përballje me Shqipërinë.
“Nuk kamë mosmarrëveshje. Kam thënë se nuk kam luajtur kundër Shqipërisë, sepse kam ndier dhimbje. Pas këtij dueli nuk jemi takuar e as dëgjuar me selektorin, kam mbetur i befasuar kur nëpërmjet medieve kam kuptuar se nuk jam i ftuar”, ka thënë Beqiraj për Vijesti.
Ish-sulmuesi i Buduçnostit është shfaqur i përmbajtur në deklaratat e tij për mospërfshirje në listë për ndeshjen kundër Uellsit.
“Kam qenë vazhdimisht i ftuar, por nuk më takon mua të komentoj, nuk do të ishte mirë ta bëj këtë. Dua që përfaqësuesja të arrijë suksese në ndeshjen e rëndësishme kundër Uellsit”, ka thënë ai për Vijesti.
Sulmuesi i Dinamos në ndeshjen e fundit në Maksimir, u inkuadrua nga bankina dhe shënoi gol të rëndësishëm në kualifikimet për Ligën e Kampionëve. Dinamo fitoi 4:1 kundër Malmos dhe bëri hap të madh drejt realizimit të ëndrrës.
“Do të jap gjithçka nga vetja që me paraqitje të mira me Dinamon të rikthehem në përfaqësuese, të tregoj se e kam vendin në ekipin kombëtar. Ndeshja e ardhshme me Uellsin është duel i rëndësishëm për ne, besoj se ekipi do të arrijë cakun”, ka përfunduar Beqiraj, i cili në fanellën e Malit të Zi ka debutuar në vitin 2009, në ndeshjen miqësore kundër Italisë.