Arsenali i pafuqishëm, largohen yjet
Arsene Wenger është i vendosur të luftojë për titull në Premierligë sezonin e ardhshëm, por Arsenali duket se është shumë pranë të humbë kapitenin Cesc Fagregas në Barcelonë.
Për të përkeqësuar gjërat edhe më tepër, mesfushori spanjoll mund të përcillet në largim nga Emirates Stadium nga dyshja Samir Nasri dhe Gael Clichy.
Për dallim nga 12 muaj më parë, Arsenali ende nuk ka publikuar asnjë komunikatë, pavarësisht se Barcelona ka intensifikuar përpjekjet për transferimin e Fabregasit në Nou Camp.
Edhe futbollisti është treguar i kujdesshëm në deklaratat e tij të fundit duke refuzuar të përjashtojë cilëndo mundësi dhe thjesht ka thënë se ishte i “qetë” rreth gjithë situatës.
Përveç tij, Arsenali duhet të brengoset edhe për Nasrin dhe Clichyn, të cilët hyjnë në vitin e tyre të fundit të kontratës më klubin, ndërsa janë objektiv të Manchester Cityt. Sulmuesi Nicklas Bendtner tashmë ka konfirmuar se do të largohet nga klubi gjatë kësaj vere, njësoj sikur mesfushori Denilson.
Wenger do të grumbullojë ekipin javën e ardhshëm, para turneve në Malajzi dhe Kinë.