Napoli zyrtarizon Xhemajlin

Napoli ka zyrtarizuar transferimin e mesfushorit shqiptar, Blerim Xhemajli nga rivali i tyre nga Serie A, Parma. Napoli, nëpërmjet një komunikate të publikuar në uebfaqen zyrtare, të premten, ka njoftuar se Xhemajli ka nënshkruar kontratë afatgjate me klubin, por nuk ka bërë të ditur detajet financiare të marrëveshjes që së fundmi thuhej se bëhet fjalë për rreth 9 milionë euro.
Skuadra nga San Paolo kërkonte një mesfushor pas largimit të Michele Pazienzas në Juventus dhe trajneri Walter Mazarri mori përforcimin e kërkuar.
“Vërtet doja të vij në Napoli. Ky klub ka ambicie të mëdha dhe është duke ndjekur një projekt të rëndësishëm. Ekipi është shumë i fortë, trajneri është i mirë dhe tifozët janë të shkëlqyeshëm. Jam shumë i lumtur me këtë transferim”, tha Xhemajli për uebfaqen zyrtare të Napolit. 25-vjeçari më parë ka luajtur në Zurich, Bolton Wanderers, Torino dhe Parma.
Ndërsa, si pjesë e marrëveshjes për kalimin e Xhemajlit në Napoli, Parma ka marrë në pronësi të përbashkët mesfushorin Manuele Blasi dhe qendërmbrojtësin Fabiano Santacroce.