Sejdiu vazhdon me Trepçën '89
Gani Sejdiu përfundimisht ka vendosur ta vazhdojë punën si trajner i Trepçës ’89 edhe në sezonin e ri që nis në muajin gusht.
Trajnerit të njohur kosovar i kishte skaduar kontrata me klubin mitrovicas me të përfunduar kampionati. Mirëpo, ai kishte kërcënuar me largim nga klubi, nëse Kryesia nuk synon që në edicionin e ri të luftojë për pjesën e epërme të tabelës.
Mirëpo, Sejdiu bashkë me drejtuesit e Trepçës ’89, tashmë kanë vendosur që në sezonin e ri të luftojnë për njërën nga gjashtë pozitat e para të tabelës së klasifikimit, me ç’rast trajneri mitrovicas përfundimisht vendosi të qëndrojë në stadiumin ‘Riza Lushta’.
“Kemi gjetur gjuhë të përbashkët me kryesinë e klubit dhe vendosa përfundimisht të vazhdoj me Trepçën ’89. Në edicionin e ri synojmë ndonjërën prej gjashtë pozitave të para të tabelës. Besoj se do t’ia dalim mbarë”, deklaroi Sejdiu, i cili ndihet i gëzuar që do të vazhdojë të punojë në klubin ku edhe e kishte filluar aventurën si trajner.
Florent Sejdiu përforcon Trepçën ‘89
Pasi vazhdoi edhe për një sezon kontratën me Trepçën ’89, Gani Sejdiu skuadrën e tij e ka përforcuar me të birin, Florent Sejdiun. Sulmuesi së fundmi ka luajtur në Finlandë me ekipin PK-35, ku ishte transferuar nga Trepça. Ndërsa, në edicionin e ri do t’i mbrojë ngjyrat e Trepçës ’89.
“Florenti është kthyer nga Finlanda, sepse e kishte vështirë të qëndrojë larg familjes dhe të përshtatet në atë ambient. Andaj, të paktën gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, ai do të luajë për Trepçën ‘89”, pohoi Gani Sejdiu. Ai paralajmëroi edhe disa përforcime të tjera në skuadrën e tij gjatë ditëve të ardhshme.