Shenjë e mirë
Kryetari i Federatës së Xhudos të Kosovës (FXHK), Agron Kuka është ftuar nga Komiteti Organizativ i Lojërave Olimpike ‘Londra 2012’ për ta vizituar vendin ku do zhvillohen duelet në xhudo në kuadër të Olimpiadës verore.
Në fakt, Kuka është ftuar nga Komiteti Organizativ i Lojërave Olimpike ‘Londra 2012’ që të jetë pjesë e një delegacioni të Federatës Botërore të Xhudos (IJF), i cili pasi ta mbajë Kongresin e vet në Paris, në muajin gusht, do ta vizitojë Londrën.
Në këtë mënyrë, gjasat janë rritur që Kosova nëpërmjet xhudos të përfaqësohet në Olimpiadën ‘Londra 2012’. Kështu thonë edhe vetë udhëheqësit e FXHK-së.
Realisht, xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi thuajse e ka të sigurt pjesëmarrjen e saj në ‘Londra 2012’. Mirëpo, gjasat ishin të vogla që ajo ta përfaqësojë Kosovën në atë olimpiadë, sepse Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ende nuk është pjesë e atij ndërkombëtar.
Pra, nuk dihej se Kelmendi do të udhëtojë drejt Londrës nëpërmjet Shqipërisë apo ndonjë mënyre tjetër. Mirëpo, me këtë rast, organizatorët e Olimpiadës kanë dhënë sinjal se Kelmendi në Londër pritet ta përfaqësojë Kosovën.
“Agron Kuka është ftuar qartë në cilësinë e kryetarit të Federatës së Kosovës nga organizatori i Olimpiadës, për të qenë pjesë e një delegacioni të Federatës Botërore të Xhudos që do ta vizitojë Londrën. Pra, ata thuajse po na njohin si Kosovë”, deklaroi për Express, drejtori i FXHK-së, Driton Kuka, i cili njëherësh është edhe trajner i Majlinda Kelmendit.
“Pra kjo është një shenjë pozitive se Kelmendi mund ta përfaqësojë Kosovën në Olimpiadë. Tani jam shumë optimist se Majlinda atje do ta përfaqësojë Kosovën, nëse jo me flamur shtetëror, atëherë me flamur të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, por si kosovare. Në të ardhmen e afërt, besoj se do të sqarohet gjithçka, ndërsa ne po punojmë shumë në këtë drejtim”, theksoi Kuka.
Në anën tjetër, ky lajm e ka gëzuar edhe kryetarin e KOK-ut të ‘izoluar’ nga KON-i, Besim Hasani.
“Për të marrë pjesë në Olimpiadë si Kosovë, KOK-u duhet të jetë anëtar i KON-it. Mirëpo, në këtë rast, Komiteti Ekzekutiv i KON-it ka mundësi që Kelmendin ta kualifikoj në Olimpiadë si sportiste e pavarur, me flamur të KON-it. Por, deri sa të nisin Lojërat Olimpike, KOK-u do të bëjë çmos që të inkuadrohet në KON dhe të marrim pjesë në Olimpiadë tamam si Kosovë, me flamur shtetëror”, tha Hasani për Express.
Majlinda Kelmendi aktualisht e posedon normën e pikëve olimpike për t’u kualifikuar në Olimpiadë, derisa në rrugë të mirë është edhe Nora Gjakova.