Arsenali pa portierë? Venger kthen Lehmanin!
Arsen Venger, menaxheri i Arsenalit, ka rikthyer sërish në ekipin anglez ish-portierin e ‘topçinjve’, Jens Lehmanin. Gjermani 41-vjeçar, i cili ka lënë futbollin verën e kaluar, është rikthyer në aktivitet me kërkesë të Vengerit, për të zgjidhur krizën në portën e Arsenalit, pasi dy portierët polakë, Vojzieç Shzeshni dhe Lukaz Fabianski, janë të dy të dëmtuar. Jens Lehman ka luajtur për pesë vite me Arsenalin përpara se të largohej në vitin 2008 për te Shtutgarti pas shumë konflikteve me portierin Manuel Almunia. Lehman do të nënshkruajë një kontratë deri në fund të sezonit dhe mund të jetë me skuadrën për ndeshjen e ardhshme. “Unë do të ndihmoj Almunian ose këdo tjetër që do të mbrojë portën e Arsenalit. E di që do të jem portieri rezervë. Nuk do të ketë rivalitet me Almunian si tre vite më parë. Jam shumë i lumtur që po i rikthehem futbollit”, u shpreh Lehman.