E Diel, 1 Nëntor 2026

Arsim Shpejti këshilltar i lartë politik i kryetarit Muja

Prizren, 14 gusht – Nënkryetari i degës së AKR-së në Prizren, Arsim Shpejti është kthyer në zyrën e njëjtë në Shtëpinë e Bardhë, por tani me detyrë tjetër. Disa javë pasi ishte detyruar  nga kryetari i komunës, Ramadan Muja që të largohej nga ndërtesa e KK-së për shkak se ishte emëruar nga vet ai në një pozitë të paligjshme, atë të nënkryetarit të dytë të komunës, Shpejti është rikthyer si këshilltar i lartë politik i të parit të komunës. Me këtë manovër të dyja palët kanë arritur që të ruajnë në jetë marrëveshjen e koalicionit PDK-AKR.
“Kryetari i komunës së Prizrenit, prof. Dr. Ramadan Muja ka emëruar z. Arsim Shpejtin si këshilltar të lartë politik. Ky vendim shkon në drejtim të përmbushjes së marrëveshjes së koalicionit që kemi me AKR-në në Prizren”, ka thënë kryesuesi i KK-së së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, i cili njëherësh është edhe sekretar i degës së PDK-së.
Ai ka pranuar se kjo është një zgjidhje kompromisi, meqë varianti i mëhershëm i ofrimit të postit të nënkryetarit për zyrtarin e lartë të AKR-së nuk ka mundur të gjej zbatim, për shkak të kufizimeve ligjore.
Ndërsa vet Arsim Shpejti ka konfirmuar se nga fillimi i kësaj jave ka nisur që të ushtroj detyrën e re, atë të këshilltarit politik. “Kemi gjetur gjuhë të përbashkët dhe emërimi im në këtë post është pjesë e zbatimit të marrëveshjes së koalicionit mes subjekteve tona politike”, ka deklaruar Shpejti.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›