E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi i shmanget përgjigjes pas reagimeve të ICO dhe të EULEX-it

Prishtinë, 14 gusht - Kryeministri Thaçi, nuk është përgjigjur pas reagimit të ICO-së dhe EULEX-it, se ata nuk do të heqin dorë nga fuqitë ekzekutive, përderisa kanë mandat. Thaçi, ka përsëritur frazat e njëjta, si ditë më parë, për përmbushjen e 90 % të pakos së Ahtisaarit dhe se pas mendimit legjitimues për pavarësinë e Kosovës nga GJND-ja, priten njohje të reja. Ai gjithashtu ka thënë se bashkëpunimi me EULEX-in asnjëherë nuk ka munguar dhe do të vazhdojë, raporton KTV.
 Pas deklaratave të Thaçit, zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, ka deklaruar se EULEX-i mund të largohet nga Kosova dhe t’i transferojë në mënyrë graduale funksionet e tij ekzekutive. Sipas Krasniqit, sa më shpejt që të përmirësohet puna e policisë, gjyqësisë dhe e doganave, aq më shpejt EULEX-i do t’i transferojë kompetencat ekzekutive. Mandati i EULEX-it në Kosovë rishtazi është zgjatur edhe për dy vite, deri në qershor 2012. Gjithashtu edhe zëdhënësi i ICO-së, Kai Mueller-Berner, qëndrimin e ICO-së në Kosovë, e ka lidhur me përparimin e institucioneve vendore. “Natyrisht se është përmbushur një pjesë e konsiderueshme e Planit të Ahtisaarit, por kanë mbetur fusha kyç të punës, siç është ajo e decentralizimit, veçanërisht në veriun e Kosovës”, tha Mueller-Berner, duke theksuar se ndryshimet eventuale në mandatin e misionit të ICO-së varen nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›