Vrasja e Mirit të Xhikes, Prokuroria thërret sërish si dëshmitar Ylli Kelmendin
Prokurori i çështjes riktheu në seancën e djeshme vrasjen e Fatmir Ramës, i njohur ndryshe si Miri i Xhikes. Sipas përfaqësuesit të akuzës, sërish autori i kësaj vrasjeje mbetet Lavdërim Tufa dhe se në listën e dëshmitarëve u përmend edhe emri i Ylli Kelmendit. Ndërkohë, përfaqësuesi i akuzës kërkoi edhe thirrjen e ekspertëve për ekzaminimin e kapuçit që u gjet në vendngjarje. Mbrojtja kërkoi pavlefshmërinë e aktit të ekspertimit që është kryer në procesin e parë në laboratorin anglez. Në lidhje me këtë kërkesë, trupi gjykues rezervoi të drejtën për t’u shprehur në seancat e ardhshme. Vrasja e Mirit të Xhikes po rigjykohet nga një trupë gjyqtarësh nga Gjykata e Tiranës. Pavarësisht se procesi për ngjarjen e bujshme i kushtoi shumë Drejtësisë shqiptare, vendimi i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda e detyroi institucionin e akuzës ta dërgojë edhe një herë dosjen për gjykim në një gjykatë të një niveli më të ulët përsa i përket rrezikshmërisë së veprës penale. Madje, sipas burimeve, kjo është konsideruar nga trupa gjyqësore si një prej shkeljeve të shumta procedurale që janë gjetur gjatë gjykimit të kësaj çështjeje. I arrestuar për vrasjen e bujshme në Lundër, është prej vitesh Lavdërim Tufa. Në ngjarjen që ndodhi pak kilometra larg kryeqytetit mbetën të vrarë Fatmir Rama, Julian Durishti dhe Kristaq Cami. Apeli i Krimeve të Rënda vendosi katër vite pas dënimit me “burgim të përjetshëm” të Tufës, ta rikthejë çështjen për rigjykim, por kësaj radhe në Gjykatën e Tiranës. Shkak, sipas arsyetimit të vendimit të trupës gjyqësore për dhënien e këtij vendimi, kanë qenë shkelje të shumta procedurale, mes të cilave më kryesorja, moskompetenca. Sipas kësaj trupe gjykuese, i pandehuri Tufa nuk duhet të ishte gjykuar nga Krimet e Rënda, por nga Gjykata e kryeqytetit. Prokuroria e Tiranës dorëzoi dje dosjen për rigjykim dhe shorti elektronik përcaktoi treshen e gjyqtarëve që do të rigjykojnë këtë çështje. Kryesuesi u përcaktua gjyqtari Albert Meçe.
25 Mars 2010