E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, 60 dëshmitarë për të zbardhur krimet e Aldo Bares



Laureta Rryçi

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përcaktuar 60 dëshmitarë që, sipas saj, vërtetojnë akuzat ndaj Aldo Bares. Në seancën e djeshme, prokurori i çështjes, Gentjan Trenova, lexoi kërkesën për gjykim duke renditur disa akuza ndaj të pandehurit që nuk ishte i pranishëm në seancë. Për rreth 60 minuta, përfaqësuesi i akuzës riktheu jo pak ngjarje të frikshme të ndodhura gjatë 1997-s në qytetin e Lushnjës. Mbi Aldo Baren, i konsideruar si kreu i bandës së Lushnjës, rëndojnë akuzat për 4 vrasje, ku më e rënda është ajo e vrasjes dhe prerja e kokës së Artur Dajës. Akuzat për plagosje ishin 2, ndërkohë që prokuroria e akuzon Baren edhe për krijim të bandave të armatosura. I pandehuri Aldo Bare nuk ishte i pranishëm në seancë, por u përfaqësua nga avokati i tij, Vladimir Meçi. Avokati nuk dha miratim për asnjë nga akuzat. Seanca kundër Bares vazhdon në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Aldo Bare u arrestua në Turqi me kërkesë të Prokurorisë shqiptare. Ai u ekstradua nga Turqia në nëntor të vitit 2009, pas tri vitesh qëndrimi në qelitë turke. Më poshtë renditen vrasjet sipas versionit zyrtar të Prokurorisë.
Vrasja e vëllait të Bares
Në muajin korrik të vitit 1997, në qytetin e Lushnjës është vrarë me armë zjarri shtetasi Ramadan Shkurti, i vëllai i të pandehurit Alfred Shkurti, me emrin e ndryshuar Aldo Bare. Në këtë datë i pandehuri Aldo Bare, së bashku me shtetasit Ramadan Shkurti, Enver Rabija dhe Bardhyl Rabija janë nisur me një veturë në drejtim të lokalit ku ndodhej shtetasi Artur Daja. Kur janë afruar, i pandehuri Aldo Bare, së bashku me personat e tjerë të ndodhur në automjet, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit ku ndodhej edhe shtetasi Artur Daja. Pas fillimit të goditjes edhe nga ana e lokalit kanë filluar të qëllojnë në drejtim të automjetit. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vdekur shtetasi Genci Kashari, brenda në verandën e lokalit, ku ndodhej edhe shtetasi Artur Daja. Në verandën e lokalit, nën shoqërimin e shtetasit Artur Daja ndodheshin familjarë të tij, shtetasi Gramoz Selmani etj. Pas shkëmbimit të zjarrit i pandehuri Aldo Bare, së bashku me shtetasin e plagosur aty, Enver Rabija, janë larguar me nxitim nga vendi i ngjarjes, duke vazhduar të qëllonin herë pas herë në drejtim të lokalit. Në vendngjarje dhe pikërisht në automjet, mbetën të plagosur shtetasi Ramadan Shkurti (vëllai i të pandehurit Aldo Bare) dhe Bardhyl Rabija. Nga shkëmbimi i zjarrit mbetet i plagosur shtetasi Artur Daja, i cili afrohet në automjetin ku ndodheshin shtetasit Bardhyl Rabija dhe Ramadan Shkurti, i qëllon me armë zjarri duke u shkaktuar vdekjen. Ndërmjet shtetasit Artur Daja dhe të pandehurit Aldo Bare ka filluar një konflikt që nga viti 1996. Për vrasjen e vëllait të tij, i pandehuri Aldo Bare ka akuzuar shtetasin Artur Daja. Për këtë arsye, së bashku me grupin e tij, i pandehuri Aldo Bare ka tentuar disa herë për të vrarë shtetasin Artur Daja. Pas vrasjes së vëllait të tij, i pandehuri Aldo Bare, me qëllim hakmarrjen ndaj shtetasit Artur Daja, shokëve, miqve dhe të afërmve të tij, krijoi të ashtuquajturën bandë të Lushnjës. Fillimisht në këtë grup u mblodhën të pandehurit Ilir Stërgu, Afrim Hoxha, Arben Boriçi, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shokë, miq dhe të afërm të të pandehurit Aldo Bare dhe vëllait të tij, Ramadan Shkurti, i vrarë.
Vrasja e Xhevat Demirit
Pikërisht në këtë periudhë, më datë 03.08.1997, në qytetin e Lushnjës është vrarë me armë zjarri shtetasi shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri. Në hyrje të qytetit të Lushnjës, viktima së bashku me familjarë të tij, janë ndaluar nga katër persona të armatosur, ku ndërmjet tyre ishin edhe të pandehurit Ilir Stergu dhe Afrim Hoxha, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare. Pasi kanë vënë maskat në kokë ata kanë qëlluar në drejtim të shtetasit Xhevat Demiri, i cili kishte zbritur nga furgoni, duke i shkaktuar atij vdekjen. Ndërkohë, i pandehuri Arben Bori1çi, i cili rrinte në një veturë afër vendit të ngjarjes, është afruar me shpejtësi dhe në veturë kanë hipur të gjithë personat e sipërcituar.
Eliminimi i shokëve të Artur Dajës
Më datë 13.02.1998, në vendin e quajtur Kolonjë të Rrethit Lushnjë, është vrarë me armë zjarri shtetasi Nimet Zeneli. Në rrugën automobilistike, persona të armatosur, ku ndërmjet të tjerëve edhe të pandehurit Arben Boriçi e Ilir Stërgu, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare i kanë zënë në pritë fuoristradës “Toyota” me targë FR 8079 A. Personat e armatosur, pasi kanë parë furgonin të afrohej, kanë qëlluar me armë automatik në drejtim të tij. Në fuoristradë udhëtonte shtetasi Gramoz Selmani, shoku i ngushtë i shtetasit Artur Daja, si dhe shtetasit Masar Aliu dhe Nimet Zeneli, shokë të shtetasit Gramoz Selmani. Ky i fundit, pas goditjes nga grupi i Aldo Bares, me qëllim për t’u shmangur nga goditja e grupit, fshihej te shtetasit e sipërpërmendur. Menjëherë shoferi i furgonit, shtetasi Masar Aliu, ka nxjerrë nga rruga makinën dhe të tre personat kanë dalë nga furgoni dhe janë larguar me vrap. Të pandehurit Arben Boriçi dhe Ilir Stergu kanë ndjekur me vrap dy shtetasit Nimet Zeneli dhe Masar Aliu, duke qëlluar me armë në drejtim të këtyre të fundit. Gjatë ndjekjes, shtetasi Nimet Zeneli është plagosur me armë zjarri dhe nuk ka mundur të largohej. I pandehuri Ilir Stërgu, së bashku me të pandehurin Arben Boriçi, i janë afruar të plagosurit dhe kanë qëlluar në drejtim të tij me armë zjarri duke i shkaktuar edhe vdekjen. Dy shtetasit e tjerë, Gramoz Selmani dhe Masar Aliu, kanë mundur t’i shpëtonin ekzekutimit.
Vrasja e Masar Aliut
Disa ditë më vonë, më datë 22.02.1998, në rrugën Kolonjë–Bitaj të rrethit Lushnjë, me qëllimin e vetëm vrasjen e shtetasit Masar Aliu, persona të armatosur, ku ndërmjet tyre edhe të pandehurit Enver Dondollaku, Ilir Stërgu dhe Arben Boriçi, kanë pritur ardhjen me makinë të shtetasit Masar Aliu. Pasi kanë pikasur ardhjen e makinës, kanë dalë dhe kanë ndaluar makinën. Ata kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Masar Aliu duke i shkaktuar vdekjen. Pas kësaj ata kanë qëlluar edhe në drejtim të shtetasit Idajet Beqiri, i cili ka qenë rastësisht brenda në automjet.
Më datë 18.08.1998, në vendin e quajtur “Kodrat e ullinjve”, në afërsi të Fabrikës së Tullave të rrethit Lushnjë, është gjetur i vrarë me armë zjarri shtetasi Luan Bilbili, i cili konsiderohej si shok i shtetasit Artur Daja. Mëngjesin e ditës së ngjarjes, në shtëpinë e Luan Bilbilit kanë vajtur persona të armatosur, ndërmjet tyre edhe të pandehurit Ilir Stërgu dhe Arben Boriçi. Më pas shtetasi Luan Bilbili është gjetur i vrarë.
Djegia e banesës
Në gusht të vitit 1998 është djegur me anë të zjarrit banesa e shtetasit Shkëlqim Haxhiu. Persona të armatosur, ndërmjet tyre edhe të pandehurit Ilir Stërgu, Arben Boriçi, Enver Boriçi, Erion Cici, Jorgo Muzaka, Rexhep Gina, në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë Aldo Bare, Enver Dondollaku, shtetasin e vrarë Leonard Prifti etj., ditën e ngjarjes kanë shkuar në shtëpinë e shtetasit Shkëlqim Haxhiu. Pasi nuk kanë gjetur personat që kërkonin, ata i kanë vënë zjarrin shtëpisë dhe kanë marrë me vete disa nga personat që ndodheshin brenda në shtëpi. Ngjarja në fjalë është e lidhur me një ngjarje tjetër e ndodhur në Lushnjë në të njëjtën ditë. Paraditen e ditës së ngjarjes është bërë goditje me antitank të një makinë në Sul Zotaj (Lushnjë), ku ndodhej edhe drejtuesi i grupit kriminal Alfred Shkurti. Në vendngjarje ka qenë edhe furgoni i shtetasit, Shkëlqim Haxhiu, nga ku është qëlluar me antitank dhe armë zjarri në drejtim të makinës ku ndodhej i pandehuri Aldo Bare dhe pjesëtarë të tjerë të bandës së tij.
Ekspozimi i kokës së Dajës
Në datë 21.10.1998, në fshatin Grabian të qytetit të Lushnjës, pasi është dëgjuar një plasje eksplozivi, është gjendur në vendngjarje pjesë e një trupi njerëzor i shpërndarë. Ditën e vrasjes së Artur Dajës, në sheshin e qytetit të Lushnjës, pjesëtar të grupit kriminal të drejtuar nga Aldo Bare kanë shëtitur nëpër shesh kokën e prerë të kufomës së Artur Dajës. Ndërmjet tyre në ngjarjen kriminale të ekspozimit të kokës së prerë kanë qenë edhe të pandehurit Ilir Stërgu, Arben Boriçi, Erion Cici, Arjan Aliço, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shtetasi i vrarë Leonard Prifti etj. Të gjitha viktimat kanë qenë shokë, miq të shtetasit Artur Daja, i cili ishte kundërshtari i drejtuesit të organizatës kriminale të drejtuar nga ana e të pandehurit Aldo Bare. Viktimat nuk kanë pasur konflikte personale me të pandehurit.
Nofkat e Aldo Bares
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se i pandehuri Aldo Bare ka një rol dhe autoritet absolut në organizatë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar që të gjithë anëtarët e organizatës kriminale kanë pasur një disiplinë të fortë të drejtuar dhe të kontrolluar nga i pandehuri Aldo Bare. Në gjithë veprimtarinë e saj kjo organizatë udhëhiqej nga interesat e të pandehurit Aldo Bare. Anëtarët e organizatës i drejtoheshin drejtuesit të tyre, Aldo Bares, me nofkat të tilla si: “I Madhi”; “Profesori”; “Kryetari” e të tjera. Disiplina e fortë dallohej qartë në momentet kur urdhrat e të pandehurit Aldo Bare nuk bëheshin të diskutueshëm. Ato zbatoheshin me fanatizëm nga të gjithë anëtarët e organizatës, të cilët vepronin nëpërmjet ushtrimit të dhunës psikike, fizike dhe të veprimeve kriminale të tilla, si: rrahje, heqje të lirisë, tortura e vrasje. Në vijim të veprimtarisë kriminale kjo organizatë është kujdesur vazhdimisht në drejtim të ushtrimit të veprimtarive ekonomike, ku pjesëtarë të organizatës ushtronin role të caktuara. Këto veprimtari shtriheshin në lagunën e Karavastasë, në shoqërinë e Sport-Klub Lushnjë, në bingon e qytetit e të tjera.

Aldo Bare

Akuzuar për kryerjen e veprave penale të:
“vrasjes me paramendim” të shtetasit Genci Kashari, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal;
“vrasjes me paramendim” të mbetur në tentativë të shtetasit Artur Daja, parashikuar nga neni 78 dhe 22 i Kodit Penal;
“vrasjes me paramendim” të shtetasit Xhevat Demiri, parashikuar nga neni 78 i Kodit penal;
“vrasjes me paramendim” të shtetasit Nimet Zenelit, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal;
“vrasjes me paramendim”, të ngelur në tentativë ndaj shtetasve Gramoz Selmani dhe Masar Aliu, të parashikuar nga neni 78 dhe 22 i Kodit Penal;
“Vrasjes me paramendim” të shtetasit Masar Aliu, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal;
“mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal;
“shkatërrimit të pronës me zjarr” të banesës të shtetasit Shkëlqim Haxhiu, parashikuar nga neni 151/2 i Kodit Penal;
“krijimit të organizatës kriminale”;
“kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 333 dhe 334 të Kodit Penal.

Prokuroria për Krime të Rënda, më datë 07.02.2006 ka regjistruar procedimin penal numër 15.
Ky procedim penal është regjistruar në emër të shtetasve Aldo Bare (me emër të ndryshuar nga Alfred Shkurti), Arben Boriçi, Enver Boriçi, Ilir Stërgu, Erion Cici, Afrim Hoxha, Enver Dondollaku, Rexhep Gina etj.

25 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›