E Shtunë, 31 Tetor 2026

Montobbio: Duhet marrëveshje PD-PS



Bashkimi Evropian i bën apel politikës shqiptarë të gjejnë zgjidhje të ngërçit politik. Ambasadori spanjoll në Tiranë, Emanuel Montobbio, vendi i të cilit mban dhe presidencën e radhës të BE-së, tha dje në një intervistë për “Top Channel”, se nëse kjo situatë do të vazhdojë pa një zgjidhje, Shqipërisë do t’i skadojnë afate të rëndësishme për perspektivën evropiane dhe mungesa e një rrugëdaljeje do të vonojë integrimin. “Arsyeja për këtë ngërç politik janë mosmarrëveshjet për kompetencat mbi komisionin hetimor në lidhje me zgjedhjet e kaluara. Në mënyrë të veçantë, se si ky komision duhet të bëjë transparencë për zgjedhjet e kaluara, ku maxhoranca dhe opozita nuk bien dakord. Bashkimi Evropian ka thënë se zgjidhja e këtij ngërçi politik është një dialog konstruktiv politik dhe rezultati që do të arrihet nëpërmjet këtij dialogu është pikërisht një marrëveshje për mandatin e këtij komisioni hetimor parlamentar. Ne e kemi thënë, dhe komisioneri Fyle ka bërë një deklaratë publike të premten e kaluar, që përmbajtja e këtij mandati duhet të bazohet në dy principe, i pari është respektimi i Kushtetutës dhe i dyti, ai i transparencës. Dhe siç ai e sqaroi, ky është një kusht kyç i Bashkimit Evropian”, u shpreh Montobbio. Për përfaqësuesin e presidencës së BE-së në Tiranë, marrëveshja mes palëve duhet të arrihet në Parlament. “Marrëveshja duhet të arrihet në Parlament, dhe ashtu siç e tha komisioneri Fyle, vendi për të arritur këtë gjë është Parlamenti, ku dialogohet dhe arrihet në një konsensus. Dhe kush duhet ta arrijë këtë marrëveshje? Liderët e politikës shqiptare, që do të thotë njëkohësisht që zgjidhja, ashtu siç e tha dhe komisioneri Fyle, nuk duhet të vijë nga jashtë”, shprehet ambasadori spanjoll.
Montobbio shpreh qartë pritshmërinë e BE-së nga politika shqiptare për kalimin e ngërçit politik. “Të mund të arrihet në Parlament një ligj, për të cilin të jetë rënë dakord nga palët mbi ngritjen dhe kompetencat e komisionit hetimor mbi zgjedhjet e kaluara, bazuar te Kushtetuta dhe transparenca. Ashtu siç e theksoi edhe komisioneri Fyle të premten e kaluar, maxhoranca dhe opozita janë përgjegjëse, të dyja palët pra janë të nevojshme, të domosdoshme dhe ne i bëjmë thirrje të dyja palëve të arrijnë këtë marrëveshje”, u shpreh ambasadori. Sipas tij, nëse nuk gjendet një zgjidhje e tillë, vendi rrezikon shumë në raportet e tij me BE-në. “Kemi përpara etapa dhe afate të rëndësishme për t’u arritur, ndërmjet të tjerave dhe Këshilli i Asociim-Stabilizimit në një nivel ministerial ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. është një takim që ndodh vetëm një herë në vit, dhe në këtë mënyrë kjo do të kushtëzojë për një kohëzgjatje prej rreth një viti marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE-së dhe prandaj ne i rikujtojmë edhe njëherë rëndësinë e këtij afati që kemi përpara dhe kërkesa jonë është që të merret parasysh interesi i përbashkët kombëtar, në mënyrë që të superohet dhe të tejkalohet kjo situatë”, paralajmëroi dje ambasadori i Spanjës, në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›