Arsimi, prioritet i qeverisë - rritja e mëtejshme e pagave, objektiv i mandatit të tretë

Kreu i qeverisë Sali Berisha shkruan në Facebook pas bashkëbisedimit me arsimtarë të Elbasanit
“Arsimi është çështje serioze dhe mbetet një nga prioritetet e qeverisë” - thekson shefi i qeverisë, Sali Berisha në një koment në Facebook, pas takimit me arsimtarë të Elbasanit. Duke iu referuar të dhënave dhe arritjeve në arsim gjatë këtyre viteve, Berisha thotë se qeveria ka mbajtur premtimet. “Takimi i djeshëm me mësuesit në qytetin e Elbasanit, djepin e arsimit tonë kombëtar, ishte frymëzues! Unë aty isha thjesht si një ish nxënës që ka admiruar shumë mësueset dhe mësuesit e tij, si një prind dhe gjysh i vëmendshëm për shkollimin e fëmijëve, mbesave e nipërve të tij, si një qytetar që beson dhe nderon shumë dijen dhe vlerat e saj. Në ekspozen time, theksova se këto vite iu kemi faktuar shqiptareve se për ne arsimi është çështja më serioze. Ne mbajtëm premtimet; rritem 120 deri në 150% rrogat e mësuesve, shtrimë internetin në 2000 shkolla të vendit nga vetëm 40 shkolla me internet në vitin 2005, rritëm nga 900 në 24 mijë numrin e kompjuterëve në shkolla, ndërtuam dhe rindërtuam mbi 1300 shkolla. Sot 92% e nxënësve që mbarojnë arsimin bazë ndjekin shkollat e mesme dhe 72% e maturanteve ndjekin universitetet. Këto janë nder nivelet më të larta në botë. Por qëllimi ynë me kryesor për 4 vitet e ardhshme është cilësia dhe rritja e saj”- tha ai.
Sipas shefit të ekzekutivit, qëllimi me kryesor për 4 vitet e ardhshme është cilësia dhe rritja e saj. Ndërkaq, një tjetër element i rëndësishëm në reformën në arsim, është edhe rritja e pagave për arsimtarët. Kryeministri thekson se pagat për mësuesit janë rritur nga 216% në 225%, ndërsa garanton se qeveria do t’i rrisë ato edhe gjatë mandatit të tretë. “Mësueset dhe mësuesit shprehën dje mendime, propozime, kritika, opinione, që do të pasurojnë shume programin e PD për 4 vitet që vijnë. Arsimi ka qenë dhe do jetë përparësia jonë më madhore. Në epiqendër të reformës sonë arsimore ne kemi vendosur mësuesin, kushtet e tij te punës, jetesës, përgatitjen, kualifikimin, rolin e tij kyç ne edukimin e fëmijëve tanë. Ne këtë kontekst dhe ne përputhje me premtimet tona: pagat mujore për mësuesit ne arsimin parauniversitar gjate periudhës 2005-2012 kanë pësuar vetëm rritje. Me konkretisht, pagat mujore për edukatoret janë rritur me 240%, pagat mujore për mësuesit e arsimit bazë janë rritur me 225% dhe pagat mujore për mësuesit e arsimit të mesëm janë rritur me 216%. Grafiku flet vet! Rritja e mëtejshme e pagave për mësuesit do të jetë objektivi ynë kryesor gjate mandatit te trete. Ne mbajmë premtimet tona!”- shkruan kryeministri, duke i shoqëruar të dhënat me një grafik të rezultateve 8 vjeçare në arsim, të qeverisë së Partisë Demokratike.