Berisha: Në 2010-n presim opozitën në Kuvend
Në seancën përmbyllëse të sesionit parlamentar 2009, Kryeministri Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit i drejtoi mbrëmë një tjetër thirrje publike kreut të PS-së që të mos të pengojë më tej hyrjen e opozitës në Kuvend. Me shpresën se vitin e ardhshëm PS-ja do të zërë vendet në sallone Kuvendit, Berisha siguroi se opozita do të ketë të gjitha hapësirat për vijimësinë e reformave të mëtejshme. Kryeministri vuri në dukje se opozita duhet të kontribuojë në realizimin e reformave të domosdoshme për integrimin e vendit dhe për këtë duhet t’i jepen hapësirat. “I bëj thirrje zotit Rama të mos pengojë partinë e tij të kthehet në Parlament. Opozita është e domosdoshme, ajo ka bërë hapa të mëdha në ecurinë e saj”, - deklaroi z. Berisha. Por, sipas tij, të deklarosh se njoh rezultatin e zgjedhjeve, por nuk kthehem në Parlament, kjo është diçka absurde. “Shpresoj, - shtoi Kryeministri, - që vitin e ardhshëm opozita të zërë vendin e saj në Parlament. Ajo do të ketë hapësirën e nevojshme për reformat, në mënyrë që të luajë rolin e vet në procesin e integrimit”, - tha në Kuvend Kryeministri Berisha. Ndërkohë, gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë i qëndroi stoik vendimit për të mos hapur kutitë, pasi, sipas tij, është e pamundur të dalë mbi gjykatat dhe ligjin.“Të bllokosh hyrjen e opozitës në Parlament, duke kërkuar që ky tempull të dalë mbi një vendim gjykate, është e pamundur. Kutitë do t’i kishim hapur 100 herë për opozitën, por procedurat juridike dhe ligjet nuk lejojnë që ky tempull të marrë pushtetin gjyqësor”, - shtoi më tej Berisha. Ai garantoi sërish se mazhoranca është e gatshme të plotësojë çdo kërkesë të opozitës, nëse ato nuk bien në kundërshtim me ligjet që ka miratuar Kuvendi. Gjatë fjalës së tij në Parlament, Kryeministri Berisha vlerësoi punën e bërë nga ky institucion për këtë sesion, që sipas tij, ka sjellë arritje të rëndësishme. Berisha vuri theksin në veçanti tek pranimi i kërkesës së Shqipërisë për anëtarësimin në BE, si dhe tek ecuria në procesin e liberalizimit të vizave.
“Ky parlament mundësoi pranimin e kërkesës së Shqipërisë për anëtarësimin në BE. Parlamenti bëri të mundur që në procesin e liberalizimit të vizave të ecet me shpejtësi të paparashikueshme. Reformat e miratuara nga ky Parlament bindën Parlamentin Evropian që të votojë në unanimitet që Shqipëria sapo të përmbushë detyrimet teknike, të fitojë heqjen e vizave”, - deklaroi z. Berisha. Kreu i qeverise vuri në dukje se mazhoranca parlamentare i doli në mbrojtje biznesit të vogël, i cili, sipas tij, do të mbytej nga taksat e qeverive vendore. “Në këtë sesion ky Parlament miratoi dhjetëra ligje e marrëveshje, në mënyrë të veçantë ligjet më të rëndësishme për mbrojtjen e biznesit të vogël. Në kohën e krizës më të thellë, biznesi shqiptar i vogël u përball me arbitraritetin më të madh të disa qeveritarëve vendorë, që filluan ta trajtojnë atë me vlera të barabarta me taksën e tij vjetore të biznesit të vogël. Por, Parlamenti qëndroi në mbrojtje të biznesit të vogël, duke përcaktuar kushte plotësisht të përshtatshme për krizën”, - ka pohuar Berisha. Kryeministri theksoi më tej se qeveria qendrore u angazhua gjithashtu që me buxhetin e saj të shmangte të gjitha pasojat e buxheteve të qeverive vendore. Ai rikonfirmoi planin e kabinetit të tij që vitin e ardhshëm të bëjë rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve të administratës shtetërore. “Në kohen më të vështirë ne parashikojmë për vitin që vjen, rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve të punonjësve të administratës publike. Me këtë reformë mori një goditje të rëndë fenomeni i korrupsionit, që duhet të luftohet me vendosmëri dhe seriozitetin më të madh. Ligji që ju keni miratuar, është një vegël e fuqishme për institucionet e zbatimit të ligjit në këtë vend. Keni miratuar edhe një sërë ligjesh që kanë afruar më shumë se kurrë Shqipërinë me BE-në”, - ka përfunduar Berisha deklaratën e tij para deputetëve.
Meta, në Kuvend: Z. Rama, hiq dorë nga standardet e dyfishta
Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm, Ilir Meta, i kërkoi dje në Kuvend kreut të PS-së, Edi Rama, të heqë dorë nga standardet e dyfishta. Duke iu referuar disa prej padive të Ramës në Gjykatën Kushtetuese, Meta është shprehur: “Ftoj kryetarin e PS-së të heqë dorë nga standardet e dyfishta. Kur e respekton kaq shumë Gjykatën Kushtetuese dhe Kushtetutën, pse e mban jashtë Parlamentit forcën politike që drejton?”, - theksoi Meta. Sipas tij, kërkesa e opozitës për hapjen e kutive të votimit është antikushtetuese dhe i bën thirrje Ramës të heqë dorë nga standardet e dyfishta. Në fjalën e tij, Meta u shpreh se viti që po vjen, është një vit i suksesshëm në aspektin e integrimit. Ai deklaroi se 2010-a do të jetë viti kur Shqipëria do të anëtarësohet në BE, duke ironizuar më pas protestat e opozitës. “Është për të ardhur keq që dëgjojmë spekulime lidhur me liberalizimin e vizave, ku për fat të keq, jo vetëm manipulohet, por edhe gënjehet. Të gjithë e dinë që KE në verën e këtij viti i rekomandoi Këshillit që për tri vende, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, të jepte liberalizimin dhe kjo, për shkak të një trashëgimie shumë më të pasur se Shqipëria. I kishin kushtet të plotësuara. Një kusht ishte pajisja e qytetarëve me pasaporta biometrike, që Shqipëria nuk e kishte përmbushur në atë kohë. Unë them që viti 2009 ishte viti i NATO-s, ndërsa 2010-a do të jetë viti i liberalizimit të vizave. Kjo do të gëzojë të gjithë shqiptarët, edhe ata që dalin në protesta dhe derdhin lot krokodili”, - ka deklaruar Meta nga salla e Parlamentit. Ndërsa i ndalur tek situata aktuale ekonomike, Meta është shprehur: “Vendi nuk po kalon situatën më të mirë financiare, por ka qëndrueshmëri ekonomike”, - ndërsa ka theksuar se situata ekonomike do të vijë duke u rregulluar. Në lidhje me pagat dhe pensionet, për Metën e rëndësishme është të mos cenohen parametrat makroekonomikë