Qeveria i fal tokë në bregdet shkrimtarit Kadare
Qeveria i bën “dhuratë” për festat e fundvitit shkrimtarit të madh Ismail Kadare një sipërfaqe toke në bregdet. Tokë pa shpërblim. Këtë vendim komunikoi dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave kreu i qeverisë Sali Berisha si një akt vlerësimi për një personalitet botëror si Kadare, ndaj Këshilli i Ministrave gjatë mbledhjes së djeshme vendosi që shkrimtarit Ismail Kadare t’i kalojë në pronësi pa shpërblim një sipërfaqe toke. Bëhet fjalë për kalimin në pronësi, pa shpërblim, z. Ismail Kadare, të një prone, truall, me sipërfaqe 3 647 (tre mijë e gjashtëqind e dyzet e shtatë) m2, të ndodhur në zonën kadastrale 3101, Qerret. Duke u shprehur në lidhje me këtë vendim, Kryeministri Berisha theksoi: “Jam i bindur se çdo shqiptar e mbështet këtë vendim, por dua të theksoj këtu se Ismail Kadare i ka falur qytetit të Gjirokastrës dhe mbarë Shqipërisë shtëpinë e tij ku ka lindur, ku është rritur në Gjirokastër dhe që është bërë absolutisht pika kryesore e referencës së këtij qyteti të lashtë”. Më pas, Kryeministri Berisha nënvizoi faktin se shtëpia e Kadaresë në Gjirokastër është përfshirë nën një rindërtim të plotë nga Ministria e Kulturës së bashku me autoritetet vendore. Kryeministri Berisha cilësoi se dhurimi i kësaj sipërfaqeje toke “është më e pakta që qeveria shqiptare mund të bënte si një akt vlerësimi për një personalitet botëror të letrave, një shkrimtar siç do të theksonte Princi i Asturias, ndër më të mëdhenjtë e kohërave”. Vendimi bëhet në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 3 të ligjit nr. 8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Kalimi i pronësisë për z. Ismail Kadare të bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për zbatimin e këtij vendimi.