E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsimi profesional, Berisha kërkon më shumë arritje

Kryeministri kritikon ecurinë e arsimit profesional. Në konferencën për kete teme, kreu i qeverise ka kerkuar nga ministrite të shqyrtojnë se cpo ndodh konkretisht ne kete fushe ku cilesia e shkollimit lë shumë për të deshiruar 

TIRANE-”Ne jemi një vend i lirë dhe është e vështirë ti kthehemi praktikave të vjetra, që ti detyrojmë siç bëhej dikur. Kjo nuk do të ndodhë, por është e domosdoshme që ne t’i nxisim të rinjve dëshirën për profesionet dhe arsimin profesional”. Kështu është shprehur sot kryeministri Sali Berisha në punimet e konferencës kombëtare me temë “Drejt një Arsimi dhe Formimi Profesional Tërheqës dhe pranë Botës së Punës”, në ambientet e hotel “Tirana International” e organizuar nga Grupi Donator DACH–PLUS, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se “Objektiv kryesore i kësaj qeverie në arsimin e mesëm kanë qenë krijimi i mundësive reale që çdo nxënës përfundon arsimin 9-vjeçar të vazhdojë arsimin e mesëm të përgjithshëm ose profesional”.
Por sipas kreut të qeverisë nuk janë arritur sa duhet objektivat rreth sistemit profesional. “Përpjekjet serioze janë bërë për hapjen e shkollave të reja profesionale dhe zgjerimin e kapaciteteve të shkollave ekzistuese, por duhet të pranojë se përqindja e nxënësve që ndjekin këto shkolla, në raport me arsimin e përgjithshëm, është e papranueshme. Ajo është rreth 22 për qind e numrit total në një kohë kur objektivi duhet të jetë së paku 40 për qind.

“Po kështu, shpërndarja e shkollave dhe profesioneve nuk i përgjigjet plotësisht nevojave të ekonomisë dhe tregut, si dhe cilësia e shkollimit profesional lë për të dëshiruar. Mirëpo, ky është një objektiv jetik dhe një drejtim themelor i arsimit".

Duke e vlerësuar arsimin profesional si një domosdoshmëri për t`iu përgjigjur kërkesave të tregut, Kryeministri u shpreh se ky objektiv do mund të realizohet në saj të një bashkëpunimi të ngushtë dhe një partneriteti intensiv të ministrisë së Arsimit dhe ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, me qeverisjet vendore, bashkitë dhe komunat e vendit. “Janë ato, të cilat më mirë së kushdo tjetër, njohin nevojat e tregut në rajonin dhe në zonën e tyre. Shpresoj që një bashkëpunim i ngushtë midis dy ministrive dhe autoriteteve vendore do të mund t’i japë vendit një platformë që të kapërcejë vështirësitë, një platformë e cila do të rrisë me shpejtësi përqindjet e nxënësve në shkollat e mesme që ndjekin arsimin profesional”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Në këtë konferencë merrnin pjesë Shefi i Komisionit Evropian në Shqipëri, z. Helmuth Lohan, ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Fatos Beja, ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta z. Anastas Duro, si dhe organizatat e punëdhënësve, sindikatat, dhomat e tregtisë dhe industrisë, përfaqësuesve të qeverisjes rajonale dhe vendore, Fondacioni Evropian i Trajnimit, donatorë, etj.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›