Policia kap tre trafikantë me 100 kg marijuanë
Policia e Gjirokastrës ka arrestuar tre persona për trafik lëndësh narkotike dhe ka arritur të sekuestrojë 100 kg marijuanë që kishte për destinacion Greqinë. Gjatë fazë së parë të operacionit të koduar "Rrëshqitja" është prangosur 23-vjeçari Izet Shahin Boçka nga fshati Kopaçes i Delvinës dhe 37-vjeçari Fatmir Agim Jashari nga Saranda. Burime nga policia sqarojnë se pas sinjalizimit në mënyrë operative se në orët e para të mëngjesit të së hënës po transportohej nga Lazarati për në Sarandë një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike, është bërë e mundur kapja e dy trafikantëve në shpatin e malit të Muzinës, mbi fshatin Grapsh të Dropullit të Poshtëm, në rrethin e Gjirokastrës. Në një përrua u arrit të kapej 23-vjeçari Boçka, i cili po transportonte dy çanta të mëdha me marijuanë, ndërkohë bashkëpunëtori i tij u kap në Qafën e Muzinës. Grupi hetimor, gjatë këqyrjes së çantave, ka konstatuar se në to kishte rreth 50 kilogramë marijuanë dhe një armë zjarri tip kallashnikov. Ndërkohë, Boçkës i është sekuestruar dhe një pistoletë TT, të cilën e mbante në brez. Në vijim të veprimeve të operacionit të koduar "Rrëshqitja", gjatë orëve të para të ditës së djeshme në pikën kufitare të Kakavijës, janë sekuestruar 50 kilogramë të tjera marijuanë, të fshehura në një kamion që shkonte drejt Greqisë. Makina ishte nisur nga Fieri dhe shkonte për në Athinë, nëpërmjet Kakavijës. Rreth orës 10.00, gjatë kontrollit të maunes me targa FR 79 34 C që transportonte gurë dekorativë, është gjetur lënda narkotike dhe është arrestuar drejtuesi Eduart Kane, 44 vjeç, nga Fieri. Marijuana u gjend në kokën e këtij automjeti, brenda kabinës së shoferit.