E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti i Karavastasë "pranon" trafikimin e klandestinëve

Dhjetë të pandehurit, mes tyre edhe prifti i Karavastasë, kanë "pranuar" dje trafikun e klandestinëve. Gjatë seancës gjyqësore, të pandehurit i kanë kërkuar Gjykatës së Tiranës gjykimin e shkurtuar, ashtu siç janë aktet e dosjes së prokurorisë. Të pandehurit dhe mbrojtësit kanë argumentuar se kërkojnë që të gjykohen me provat e paraqitura nga akuza, por nuk kanë pranuar akuzën e ngritur. Kërkesa e bërë nga ana e të pandehurve u pranua nga gjyqtari Fehmi Petku. Në seancën e radhës, prokurori i çështjes, Dritan Reshka, do të paraqesë edhe konkluzionet e tij përfundimtare. Të pandehurit e këtij gjykimi janë: Ilir Çipi, Leonard Belortaja, Altin Qatipi, Irfan Dalipaj, Mihal Shuli, Artur Likollari, Edmond Tallkuci, Manol Xhamia dhe Rajmond Duro. Nga hetimet e kryera nga njësia Task-Forcë ka rezultuar se të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndihmuar persona të ndryshëm për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Sipas akuzës, ata i kalonin klandestinët në dy drejtime, në pikën kufitare të Kakavijës dhe në atë të Kapshticës. Pikërisht në këtë të fundit, organizatorët e këtij rrjeti kriminal, Edmond Tallkuci, prifti i fshatit të Karavastasë, Mihal Shuli, dhe Artur Likollari, kishin mundur të korruptonin disa herë me radhë të pandehurin Rajmond Duro, i cili ushtronte detyrën si kontrollor në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Nëpërmjet kësaj pike, por edhe nëpërmjet rrugës së malit, ata kalonin në mënyrë ilegale klandestinët, të cilëve u merrnin shumën nga 300 deri në 2000 euro secilit. Klandestinët vinin nga zona të ndryshme të Shqipërisë dhe pasi strehoheshin në Kamzë dhe në kishën e Karavastasë, transportoheshin me makina në drejtim të fshatit Vërnik të Devollit. Prej këtej, nëpërmjet rrugës së malit, trafikantët i kalonin klandestinët në Greqi, vend në të cilin ata shpërndaheshin në drejtime të ndryshme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›