E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsimi profesional, Qeveria shkel premtimet

Autori i Lajmit: red.
Rruga e ideve për të ardhmen e Partisë Socialiste në sektorin e arsimit ka vazhduar të kristalizohet në qytetin e Durrësit në një takim me mësues dhe pedagogë të këtij qyteti. Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka vazhduar fazën e dytë të “Dialogut me Shqipërinë”. Duke bashkëbiseduar me pjesëmarrësit kryesocialisti iu referua statistikave që tregojnë se në qarkun e Durrësit 84% e mësuesve të arsimit bazë janë më shkollë të mesme, ndërsa në bashkinë e këtij qyteti 70 % e mësuesve të arsimit bazë janë me arsimin e mesëm. Rama pohoi se një tjetër problem janë raportet jo të drejta mes arsimit profesional dhe atij të përgjithshëm. “Ne jemi një vend me marrëdhënie skandaloze mes arsimit të përgjithshëm dhe atij profesional. Kemi një shifër zyrtare 1 me 7, pra në 1 që shkon në arsimin profesional, 7 shkojnë në arsimin e përgjithshëm. Por, kjo është një shifër e rritshme, sepse edhe ajo pjesë që i drejtohet arsimit profesional, shkon në një sektor që është tërësisht i paadoptuar me kërkesat e kohës dhe nuk ka lidhje me tregun e punës. Ndërkohë, që në rast se i kthehemi kësaj shifre në qarkun e Durrësit, ku ka një papunësi të madhe, jemi në raportin 1 me 19”, - tha Rama. Ai kujton se në programin e qeverisë “Berisha” ishte shkruar se arsimi profesional, do të zinte 45 %. Kryesocialisti theksoi se pushteti nuk është qëllim në vetvete, por është mjet për të realizuar qëllimet e mëdha dhe ky është qëllimi i madh, të ndryshojë arsimin dhe kushtet e arsimimit në Shqipëri, për të bërë të mundur që ato qindra miliona euro, të cilat prindërit në këtë vend i paguajnë për shkollimin e fëmijëve të tyre jashtë shtetit, të mund të mbeten këtu. “Këto janë qëllimet e mëdha që duhet të ketë, çdo ditë e më shumë, më qartë Partia Socialiste, gjithmonë në funksion të njerëzve, të atyre për të cilët ekziston edhe politika, për të përmirësuar jetën e përbashkët, jo thjesht jetën individuale të atyre që merret me politikë, për të përmirësuar kushtet në vendin tonë të përbashkët”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 27/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›