Arsimi si është dhe si do ta ndryshojmë
Nga Edi Rama
Ne jemi këtu sot për të vazhduar përpjekjen në rrugën e shkrimit të një programi të ri qeverisës për Shqipërinë, duke e filluar nga shkollimi i denjë për çdo fëmijë të atdheut tonë, ku ditët e bardha për të gjithë mund ti sjellë vetëm drita e diturisë. Dua tu shpreh në këtë 7 mars mirënjohje të gjithëve ju që jeni pjesë e trupës pedagogjike apo mësimdhënëse në këtë vend dhe të gjithë mësuesve kudo në Shqipëri.
Më e para gjë që do të ndryshojë në Shqipëri kur ne të zgjidhemi për të qeverisur, do të jetë shembja e murit të presionit psikologjik që pushteti politik ka ngritur kudo për të ndaluar komunikimin normal të mësuesve e të pedagogëve, ashtu si dhe të mjekëve e të rrogëtarëve të shtetit, të përfaqësuesve të shoqërisë civile, por po njësoj edhe të atyre të sipërmarrjes private, me opozitën e me publikun. Kurrë më një qytetar apo qytetare e këtij vendi nuk do trysnohet psikologjikisht për shkak të bindjeve të veta. Kurrë më një mësues nuk do cënohet në punën e në dinjitetin e tij pse nuk pëlqen qeverinë apo simpatizon opozitën. Rilindja Shqiptare në arsim do të fillojë pikërisht nga rivendosja e dinjitetit njerëzor e qytetar të çdo mësuesi dhe pedagogu, ashtu si të çdo shqiptari. Pavarësisht prejardhjes krahinore, pavarësisht përkatësisë politike, pavarësisht angazhimit ose jo me partinë që qeveris. Shqipëria që ne duam është një vend ku politika të mos jetë një skenë ekskluzive e zanatçinjve të saj, po një hapësirë ku çdo qytetar e qytetare ka të drejtën jo vetëm të flasë, por njësoj e rëndësishme edhe të dëgjohet. Duke filluar nga mësuesit. Zëri i tyre që sot është i mbytur do të dëgjohet nga ne si një zë pa të cilin as mund të qeveriset dot mirë sistemi arsimor, as mund të garantohet dot mirëshkollimi i fëmijëve e të rinjve.
Koha e mospjesëmarrjes së qytetarëve në debatet e jetës sonë politike e publike për shkak të trysnisë primitive të pushtetit politik do të mbarojë bashkë me orët e këtij pushteti injorant, të dhunshëm e si ska më të korruptuar. Me mbarimin e orëve të kësaj qeverie shpifarake e të paaftë do të mbarojë edhe koha e një përçarje të madhe shoqërore të konsoliduar përmes një sistemi të tërë presioni dhe pamundësish. Arsimi shqiptar nuk ka njohur ndonjëherë ditë më të këqija se këto të politizimit e të barbarizmit të jetës në shkollë. Sistemi arsimor shqiptar ka arritur pikën fundore të degradimit me zhdukjen e konkurrencës e të meritës në emërime dhe me kthimin e universiteteve në valvola për të shkarkuar prurjet masive të të papunëve nga shkolla e mesme. Duke e përqeshur mendimin e botës universitare, duke e shkatërruar de fakto autonominë e saj, duke i shqyer dyert e universiteteve dhe duke hapur çdo muaj universitete e fakultete publike e private ku mundet nëpër Shqipëri, pa asnjë vizion afatgjatë për shoqërinë e për ekonominë shqiptare, asnjë konstrukt konceptual të gjeografisë së shpërndarjes së fushave të studimit në zona të ndryshme të vendit, pa asnjë objektiv tjetër përveç shmangies medoemos së përballjes me papunësinë rinore në rritje, kjo qeveri ka vulosur kapitullin më të zymtë të politikës arsimore dy dekada tranzicion. Të kuptohemi qartë, ne nuk kemi asgjë kundër universiteteve private e as kundër çfarëdo nisme e aktiviteti privat. Madje i shohim me admirim shembujt që kanë sjellë risi e zhvillim në këtë drejtim dhe do të jemi promotorë të një politike stimuluese e mbështetëse të këtyre shembujve, ndryshe nga çbën qeveria e sotme, e cila rrit numrin e tyre pa asnjë standard e kriter duke krijuar gropa që vetëm thithin para nga familjet shqiptare, konkurrojnë krejt pandershmërisht me të tjerët duke pranuar studentë e dhënë diploma jo mbi meritën po mbi lekun, institucionalizojnë rënien e shtetit dhe boshllëkun pa asnjë rregull në hapësirën më delikate të përgjegjësive të vetë shtetit që është arsimi.
Vitin e ardhshëm ne do të marrim në kurriz një barrë jashtëzakonisht të rëndë ku kthesa historike nga ky drejtim i paditur, ku po e çon arsimin politika e një kryeministri që ska qeveri dhe e një shteti që ska kryeministër është padyshim një ndër kthesat më të forta dhe më të vështira. Liberalizmi pa asnjë rregull dhe thellësisht i korruptuat në arsim është një thikë në shpinën e prindërve shqiptarë që investojnë kohë, energji dhe kursime të nxjerra mënjanë, duke hequr shpeshherë edhe nga buka e gojës, për tu dhënë një diplomë fëmijëve të tyre. Diplomat e marra në universitetet dyershqyera të kësaj qeverie që po lë tokë të djegur në çdo sektor, janë rëndom si ato letrat e dikurshme me vlerë që nuk u hynë asnjëherë në punë shqiptarëve, ndërsa studentët e studentet e kësaj kohe injorantësh në pushtet, nesër do të shtojnë frikshëm numrin e të papunëve me diplomë e për pasojë, edhe kontingjentin e të rejave dhe të rinjve që do të duan ta braktisin atdheun. Ky liberalizim pa asnjë princip, standard e rregull, jo vetëm ka krijuar iluzionin e rremë të arsimimit të lartë 100% të të rinjve, po edhe ka rrafshuar dy vlera themelore për një jetë universitare që zhvillohet në kuadrin e një shoqërie të tregut të lirë: Konkurrencën si mekanizëm i patjetërsueshëm i zhvillimit e përparimit dhe meritën si një vlerë e patjetërsueshme e krijuar nga konkurrenca. Mëson smëson, shkon nuk shkon në leksion, thua gjë a sthua gjë kur pyetesh, nuk ka asnjë dallim të përgjithshëm për të nesërmen. Dallimin e përgjithshëm e bëjnë në fund tarafllëku, bakshishi dhe fijet e klientelave politike. Ndryshimi i këtij realiteti të papranueshëm për çdo familje shqiptare që investon për shkollimin e fëmijëve, duke ëndërruar një punë sa më të mirë për djalin a vajzën dhe jo një diplomë papunësie, është një kusht themelor për të siguruar të ardhmen e këtij vendi, si edhe për të fuqizuar ekonominë kombëtare dhe ekonominë e familjeve shqiptare.
Për ta realizuar këtë ndryshim ne do të ndryshojmë në radhë të parë natyrën e qeverisjes së punëve të arsimit, duke punuar qysh ditën e parë për ndërtimin e një koalicioni të fuqishëm me trupat pedagogjike dhe me prindërit. Sëbashku ne duhet të hapim një faqe të re, duke e filluar nga konkurrenca dhe merita, jo vetëm brenda komunitetit të një shkolle mes nxënësve a studentëve, po edhe mes shkollave, të larta dhe të mesme, publike apo private, të cilat duhet të hyjnë në një sistem të ri, të besueshëm e të qëndrueshëm standardesh vlerësimi, që i japin kuptim dhe peshë rezultateve e diplomave që sot janë zhvleftësuar keqazi, pikërisht, nga mungesa e këtij sistemi. Prindërit shqiptarë bëjnë shpenzime kolosale për të shkolluar fëmijët jashtë dhe praktikisht ajo që shpenzojnë për fëmijët shqiptarë që sot janë jashtë atdheut është e barabartë me shpenzimet që bën shteti për arsimin brenda kufijve të vendit. Për shkak se ky sistem çorganizimi i organizuar që kemi në sistemin arsimor shqiptar është i pabesueshëm për të gjithë ata që e kanë mundësinë që të sakrifikojnë dhe ti japin fëmijëve të tyre një perspektivë studimesh jashtë. Vetëm në Itali familjet shqiptare derdhin për shkollimin e fëmijëve një sasi parash të barabarta me atë që derdh shteti shqiptar në buxhetin për arsimin.
