E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-të e ndara dhe ndarjet brenda PD-së

Share

Nga Mero Baze

Prej ditësh Berisha dhe Rama janë përfshirë në një debat rreth faktit se çfarë elektorati do të marrin dy partitë e reja në krijim, Aleanca Kuq e Zi dhe partia e Bamir Topit. Edi Rama, duke iu referuar historisë së liderëve të këtyre dy partive, e konsideron tashmë Partinë Demokratike si një tortë të ndarë më tresh, dhe kjo duket se e bën dita- ditës më nervoz Berishën dhe shtypin e tij. Gazetat rrotull Berishës janë të angazhuara në maksimum të tregojnë se Bamir Topi është një tradhtar dhe nuk do marrë asnjë votë nga PD-ja, ndërsa Kreshnik Spahiu nuk ka lidhje me partinë e tyre edhe pse ka qenë i zgjedhuri i tyre në Këshillin Kombëtar të partisë para se të shkonte në KLD.

Debati duket se acaron ndjeshëm Berishën dhe mbështetësit e vet, por rrugët që ata kanë ndjekur për të quajtur Topin apo Spahiun të majtë janë të padobishme.

Së pari, Aleanca Kuq e Zi është një parti, e cila po bazohet qartazi mbi nacionalizmin, dhe po gjen terren tek votues të rinj, të cilët në shumicë zor se kanë votuar më parë. Jo vetëm për shkak të traditës, por dhe të retorikës që ka përdorur PD-ja si parti nacionaliste, këta votues në shumicë janë votuesit potencialë të PD-së. Mundet që një pjesë e vogël e tyre të jenë dhe votues të majtë, por janë të majtë që nuk e kanë votuar ndonjë herë Partinë Socialiste. Duke qenë të tillë, ata thjesht rrisin votat aktive në shoqëri, të cilat po rigjallërohen përmes mekanizmit të opozitës së fortë me pushtetin. Pra, nëse kemi një votues potencialisht të majtë që nuk ka votuar ose sdo ta votojë të majtën, por motivohet nga Spahiu i ashpër me Berishën, kjo është për të zezën e Berishës, jo për të zezën e së majtës. Berisha është i lirë ti quajë të majtë apo fashistë, por problemi i tij real është se ata po frymëzohen si votues kundër tij.

Sa i përket zotit Topi dhe partisë së tij të re, ajo është një parti që po mbështetet mbi të djathtën e dëshpëruar prej Berishës dhe qytetarët e tjerë të këtij vendi që duan një alternativë të re për të djathtën shqiptare. Do apo nuk do Sali Berisha, ajo jo vetëm që po themelohet nga njerëz të rëndësishëm të partisë së tij, por dhe po pritet si e tillë në elektoratin shqiptar. Të dyja këto parti, njëra përmes populizmit dhe tjetra përmes qetësisë, janë parti që realisht e ndajnë në tre pjesë elektoratin e PD-së së deritanishme.

Por ajo që bie në sy në këto momente nuk janë vetëm tri PD-të e ndara, por dhe ndarjet brenda PD-së së mbetur. Është interesant fakti se nëse përjashtojmë pjesët e PD-së që po shkëputen prej saj dhe nuk do ta votojnë më atë, shikojmë se brenda PD-së Berisha po operon tri PD të tjera krejtësisht armiqësore me njëra- tjetrën. PD e parë është grupi i ministrave në pushtet dhe njerëzit tradicionalisht besnikë të Berishës, që kryesisht përbëjnë bërthamën e pushtetit funksional të Berishës. Edhe pse këtë grup e identifikojnë shpesh me zonjën Topalli, mund të thuhet pa frikë se ai grup nuk ka lider, por ka vetëm instinktin e besnikërisë ndaj Berishës dhe të shërbyerit ndaj tij. Këtu mund të përfshihen Topalli, Patozi, Bode, Rusmali, Olldashi, Strazimiri, Noka, Nishani, dhe një sërë deputetësh që respektohen prej tyre. Këta përveçse përbëjnë një PD tradicionale, janë dhe njerëzit që kanë lehtësuar qeverisjen e Berishës duke marrë përsipër gjithë punët e pista dhe të mira që ai ka bërë në qeverisje. Ata janë njerëzit që kanë firmosur çfarë i është dashur Berishës dhe familjes së tij dhe ndoshta janë përfituesit më të mëdhenj të posteve, por më shumë të kontrolluar nga Familja për përfitime financiare. Janë njerëzit, të cilët kanë më shumë mbështetje në strukturat e PD-së dhe më pak në elektorat. Është një grup, të cilin Berisha nuk e ka shkëmbyer me askënd tjetër, duke i konsideruar si mushkat që mbajnë ngarkesën e qeverisjes së tij. Mbështetja e tyre në shtyp është minimale përveç gazetës RD dhe mediet që mbështesin Berishën i konsiderojnë thuajse kundërshtarë. Ata kanë raporte të këqija me grupin Klan, gazetën 55, Standard, Panorama,  dhe media të tjera të pushtetit.

Grupi i dytë i rëndësishëm brenda pushtetit, por i pari për nga rëndësia politike, është grupi Basha- Meta. Ky është grupi më i fuqishëm politik brenda PD-së, por jo aq shumë i fortë në strukturat e pushtetit funksional të PD-së. Marrja prej këtij grupi e Bashkisë së Tiranës duket se ka kënaqur përkohësisht interesat e tyre financiare. Ata janë agresivë, miliarderë dhe kërcënues për çdo grup që synon pushtet brenda PD-së. Kanë marrëdhënie shumë të mira me medien, thuajse të shkëlqyera, falë financimeve të nëndheshme që bëjnë për ta. E vetmja krizë e shfaqur është ajo e Bashës me TV Klan kohët e fundit, e cila siç thuhet është mbyllur duke pranuar pazarin e biznesmenëve të grupit Klan për një projekt në afërsi të stadiumit Qemal Stafa. Aleanca mes Lulëzim Bashës dhe Ilir Metës është e zgjeruar brenda qeverisjes me deputetë të PD-së të afërt me Bashën që përbëjnë kryesisht linjën e ish KOP-it dhe fluksin e LSI. Interesant është se Berisha e ka mbështetur suksesin politik tek ky grup, i cili është agresiv në fushata elektorale, korruptim dhe me dosje të hapura, por vazhdon të qëndrojë skeptik për tu lënë atyre në dorë ministritë, të cilat ai i komandon vetë përmes ministrave të besuar të tij. Interesant është se media që mbështet këtë grup është shumë e gjerë, por disa botues janë njerëz shumë të afërt të tyre. Fjala vjen botuesi i gazetës 55, Fari Balliu, i cili njihet për përfshirjen e tij në gjithë skandalet që kanë tronditur qeverinë që nga Gërdeci e deri tek koncesionet e fundit, është njeriu më i afërt i Ilir Metës dhe Lulëzim Bashës, edhe pse vizitat në zyrën e Berishës legalisht ka kohë që i ka të pamundura. Basha dhe Meta po bëhen partizanë të politikës me më shumë se sa një medie, duke tentuar kështu të thyejnë pa zemëruar deri në fund monopolin e TV Klanit në pushtet dhe po përfshihen në negociata për hapje dhe ndaj medieve kritike me qeverinë, sidomos Top Channel dhe Vizion Plus.

Grupi i tretë brenda PD-së janë ish disidentët e Berishës, të cilët i bashkon historia dhe frika që ka Berisha se mos i ikin nëse i heq nga pushteti. Mes tyre shquan Arben Imami, Genc Ruli, Genc Pollo, dhe një fluks njerëzish të tyre. Janë përgjithësisht të pashpresë për një jetëgjatësi të tyre brenda PD-së, dhe siç i ka siluruar së fundmi dhe shtypi afër Berishës, ata mund të jenë viktimë e reformave brenda PD-së në të ardhmen. Shikojnë punët e tyre, kanë majmur financat dhe nuk kanë tabu në bashkëpunim me media, duke përfshirë dhe kundërshtarë të Berishës. I vetmi ngërç i tyre duket se është me gazetën e partisë në pushtet, ndërsa me mediet e tjera janë të hapur dhe shumë bashkëpunues, biles dhe kundër dy grupeve të tjera.

Kjo situatë brenda PD-së, ku LSI i është bërë pjesë organike e pushtetit të atij që Berisha ka projektuar si pasardhës të tij, i ka krijuar Berishës një problem po aq të madh sa PD-të e ndara prej tij. LSI si një faktor i fortë për humbjen e së majtës, tashmë është bërë aq organike brenda PD-së sa jo vetëm nuk i sjell më atij vota të majta, por po i humbet vota të djathta nga përfshirja e Ilir Metës në luftërat e brendshme në PD. Darkat e përnatshme të Ilir Metës, kur mu

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›