E Diel, 1 Nëntor 2026

Arsimtarët me mastër, të kualifikuar

Arsimtarët që kanë kryer master nuk do të paraqiten në provimin e testimit të 29 marsit për rritje page, sipas rregullores e ndryshuar së fundi. "Të gjithë ata mësues që kanë plotësuar vjetërsinë sipas tre shkallëve të kualifikimit deri më 31 dhjetor 2008 dhe kanë kryer master, e fitojnë menjëhere kualifikimin. Në total, në Drejtorinë Arsimore të Tiranës janë paraqitur rreth 270 arsimtarë që do t’i nënshtrohen provimit për rritje page", thanë sot burime nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Sipas rregullores, data e caktuar për të dhënë provimin, është 29 marsi. Tashmë programet e testimit sipas lëndëve janë shpërndarë në drejtoritë e shkollave dhe secili mësues mund t’i gjejë ato pranë drejtorisë së shkollës së tij. Gjatë kësaj periudhe mësuesit që do të hyjnë në këtë proces do të pajisen me një vlerësim të brendshëm të realizuar nga drejtoria e shkollës dhe një vlerësim të jashtëm nga sektori i inspektimit në Drejtorinë Arsimore Rajonale. MASH deklaron se provimeve të kualifikimit do t’u nënshtrohen vetëm punonjësit, të cilët deri më datë 31 dhjetor 2008, plotësojnë vjetërsinë nga 5 deri në 9 vjet, për shkallën e tretë të kualifikimit, nga 10 deri në 19 vjet, për të dytën dhe 20 e më shumë vjet, për shkallën e parë të kualifikimit. Provimi i kualifikimit nuk ka vetëm qëllime “titujsh”, por do të shoqërohet edhe me stimulime financiare. Për kategorinë e tretë shtesa e pagës është 10 për qind, për të dytën 10 për qind dhe për të parën 20 për qind. Mësuesi që nuk merr pjesë në provim, ka mundësi të hyjë vitin tjetër. Regullorja e atestimit parashikon që të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar do t’i nënshtrohen atestimit në datën 29 mars në mjediset e shkollës  9-vjeçare “Pjetër Budi”. Testi nuk zgjat më shumë se 120 minuta. Të gjithë mësuesit pjesëmarrës duhet të paraqiten në provim me dokument  identifikimi. Rregullorja parashikon që brenda pesë ditëve nga data e provimit, pjesëmarrësi në provim ka të drejtë të ankohen.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›